Ta duash apo jo Tiranën?
Gjatë dy vjetëve të fundit sidomos, Tirana është bërë një nga metropolet më të rëndësishëm në Gadishullin Ballkanik. Ka ndryshuar me ritmet më të shpejta se gjithë kryeqytetet e Ballkanit, madje edhe të Evropës, pohon sociologu dhe pedagogu i Universitetit të Tiranës, Zyhdi Dervishi.
Opinionin përmbledhës e argumenton me bumin e ndërtimeve, të cilat kanë zgjeruar sipërfaqen dhe shtrirjen e qytetit, por dhe me katërfishimin e popullsisë së saj pas 90-s. Qytete të tilla që ndryshojnë me ritme kaq të shpejta, kanë fuqi të madhe tërheqëse për një masë të madhe njerëzish që banojnë në zona periferike, sidomos fshatra, shton sociologia Merita Poni, edhe kjo pedagoge në UT. Vijojnë të argumentojnë se si disa magnetizohen prej klimës së përshtatshme të Tiranës, e ngrohtë krahasuar me zonat e thella malore. Të tjerë vijnë me dëshirën për të shkolluar në mënyrë më cilësore fëmijët e tyre apo për kujdes më të mirë shëndetësor. E një mori faktorësh tipikë.
Por megjithëse popullsi në rritje, dhe brenda këtij dhjetëvjeçari mendohet që Tirana të arrijë në 1.5 milionë banorë nga 763 634 mijë që ka ajo sot me gjithë rrethinat e saj, sipas Censusit, rritja e popullsisë së Tiranës nuk po bëhet më me ritmet e mëparshme. Nëse në vitet 2003-2005, sipas INSTAT-it, rritja e popullsisë urbane të Tiranës ishte me afërsisht 50-70 mijë banorë çdo vit, në tre vitet e fundit nuk i kapërcen 10 mijët në vit. Kontigjenti që erdhi herët në Tiranë nxitoi të kafshojë një mollë të ndaluar, pasi iu ishte mohuar e drejta për të jetuar dhe banuar në Tiranë. Në mendësinë e popullit shqiptar ka qenë përhapur proverbi: afër detit afër mbretit. Me pozicionin e saj gjeografik në zemër të Shqipërisë, edhe afër detit, Tirana i ofron këto mundësi, si një tokë e bekuar. Por pas njëzet vjet prove, bashkëjetesa me Tiranën po rezulton edhe mjaft e vështirë për tu përballuar prej një sërë specifikash që po shfaq sot ajo, shton profesor Zyhdiu.
Sociologët e kanë vështirë të bëjnë krahasime me metropolet në botë, pasi për këtë duhen studime. Ata përdorin disa njohje më të qëndrueshme, të prekura edhe nëpër librat e tyre, për të kuptuar çfarë përfaqëson kryesisht sot Tirana brenda llojit të saj, brenda territorit të saj dhe atij shqiptar në tërësi. Meqë studimet e plota mungojnë, opinionet e mëposhtme që krijojnë njëfarë orientimi, iu referohen dy sociologëve: Zyhdi Dervishi dhe Merita Poni.
E gjen një punë sido që të jetë ajo
Duke qenë një qytet që ndryshon në mënyrë të vrullshme, Tirana ushqen shpresat e shumë njerëzve për tu punësuar. Në Tiranë, megjithë papunësinë e saj prej 12% të totalit të punëkërkuesve të papunë me profesione elementare në të gjithë vendin, prapë së prapë ke më shumë mundësi të gjesh një punë se kudo tjetër. Për shkak të përqendrimit më të madh të bizneseve të mëdha, të mesme apo të vogla në të. Ndoshta jo aq sa të kënaqësh ambiciet nëse nuk ke një mik të fortë dhe parà me vete, por gjithsesi pa bukë nuk mbetesh!
Sikur gazetat që ofrojnë punësim të ndjekësh, e gjen një punë si kamarier, banakier, kuzhinier, elektriçist, pastruese, rrobaqepëse etj.
Bëhet famë dhe para
Tirana u përkëdhel ëndrrat shumë të rinjve që aspirojnë të përparojnë në karrierën profesionale në të gjitha fushat. Mirë apo keq, me hir apo pahir, me dështim apo sukses, merituar apo pamerituar, në Tiranë mund të bëhet fama më shumë se kudo tjetër.
Kontaktet me bërthamat e zhvillimit të shumanshëm, pikërisht në këtë qytet janë më të shumtat. Lehtësirat në distancë dhe kohë, më të mëdha për kë jeton në Tiranë, krahasuar me dikë që vjen nga një qytet tjetër. Ka edhe mjaft mungesë vlerash dhe pikëpyetje nga pas në të mirënjohurën famë, karrierë apo pasuri, hallka këto që pasojnë njëra-tjetrën, në kryeqytetin Tiranë, edhe prej shumë faktorëve specifikë.
Konkurrencë e nëndheshme
Konkurrenca së parinisnë rrugët e Tiranës. Për fat të keq, puna kryesore që shumë njerëz kanë edhe në kryeqytetin pararojë është ti bëjnë karshillëk njëri-tjetrit, qoftë edhe si të panjohur mbi trotuar, duke tejçuar shumë arrogancë dhe dhunë psikologjike pa e hapur gojën fare. Edhe përtej rrugës, në mjedise pune, banimi, konkurrenca është e lartë. Nuk është e hapur, por e nëndheshme, e padukshme dhe e pamëshirshme. Në Tiranë i gjen të tëra dukuritë: si konkurrencën, ashtu edhe nepotizimin dhe pëlqimet partiake për të gjetur një vend pune apo bërë karrierë. Nuk ka debate të hapura për vende pune në administratë, nuk shohim debate të hapura dhe konstruktive për interesa ekonomike. Shpesh mbijeton apo ngjit shkallë individi më i përulur, dhe jo ai që mbart vizione që sjellin zhvillim. Megjithatë, në biznesin privat po zbehen më tepër nepotizmi dhe ndërhyrjet e dikurshme miqësore për një vend pune.
Por drejtuesit e bizneseve në raste jo të rralla qërojnë edhe hesapet me njëri-tjetrin si rrjedhojë e konkurrencës së pandershme. Në një studim të fundit sociologjik rezulton që pjesa më e madhe e biznesmenëve shqiptarë parapëlqejnë të jetojnë në pallat, ndihen më të sigurt aty se sa nëvilatë veçuara.
Multikulturore, kozmopolite
Tirana është shndërruar në mozaik subkulturash me të ardhur nga të gjitha hapësirat shqiptare. Por edhe kozmopolite, plot me shtetas të huaj nga anekënd botës, të cilët në kohë krizash kërkojnë tu buzëqeshë fati edhe në Tiranë, duke çelur bizneset e tyre që sa vijnë edhe shtohen. Tirana ka ekstreme, ka njerëz mjaft të kulturuar, por të cilët janë fare pak dhe po pakësohen edhe më, ka edhe të kundërtën e kësaj, e cila shpesh përfaqësohet sidomos nga sjellje të vrazhda, të shtuara në mënyrë të frikshme si pasojë e shumë faktorëve. Përpara 90-s shqiptarët përdornin shumë pak fjalë vulgare në komunikim, ishin shumë më të përmbajtur, sidomos ndaj grave. Nën ndikimin e kulturave të tjera, tashmë fjalori është bërë i shthurur, duke shkaktuar dhunë të shpeshta verbale.
Më shumë liri, më shumë indiferentizëm
Jemi të skajshëm. Ose kujdesemi shumë për tjetrin, aq sa kalojmë masën dhe i kufizojmë lirinë, ose nuk kujdesemi fare, e trajtojmë tjetrin si hije e si pasojë arrijmë edhe e dhunojmë atë apo mjedisin e përbashkët. Kjo duket që nga respektimi i vijave të bardha në rrugë e deri tek marrëdhëniet në punë, shkollë, lagje, familje etj. Jemi shquar si popull për të komentuar sjelljen e tjetrit në baza morale. Tendencat urbanizuese të Tiranës e kanë zbehur këtë dukuri të zellit të përgojimit. Edhe pse në nuklin e të njohurve dhe miqësive nuk mungojnë thashethemet dhe analizat e të tjerëve, por në masë shumë më të vogël dhe sipërfaqshëm nga çndodh përtej Tiranës.
Kur vijnë në Tiranë njerëzit sikur ngujohen në kullën e interesave të tyre. Duket sikur tjetërsohen, largohen nga të afërmit. Një zhvillim i natyrshëm ky pasi, sa më dinamike të jetë jeta në qytet, aq më pak kohë ke të merresh me të tjerët. Njerëzit ndihen më të lirë, larg nga syri i kontrollit që censuron sjelljen nëpër fshatra e provinca. Edhe vetëcensurohen më pak dhe nuk pranojnë të censurohen prej të tjerëve.
Njohjet dhe miqësitë e reja, të vështira
Vështirë të krijosh miqësi të reja në Tiranë, megjithë detin e pamatë të mundësive. Kjo kushtëzohet nga tre elementë: 1) pavëmendja që vjen prej kushtit për të mos ndërhyrë në jetën e tjetrit, një rregull i heshtur ky, 2) pasiguria për njohjen e tjetrit, 3) ndrojtja për të shfaqur hapur ndjenjat, kjo më shumë e trashëguar ndër breza. Sidomos në raporte intime dashurie dhe miqësie, duke i bërë njerëzit më të mbyllur. Ndërsa në lidhje profesionale situata ndryshon, duke ofruar më
