E Diel, 1 Nëntor 2026

Ikja e Zogut, Xhufi “Shuplakë” Majkos: Flet me gjuhen e Saliut

TIRANE- Deklarata e deputetit socialist Pandeli Majko mbi mbretin Zog, ka ngjallur reagime jo vetëm nga emrat e politikës, por edhe nga emrat e historisë. Në një kohë që kryeministri Berisha i ka dalë dje në krah rivalit të tij politik, Pëllumb Xhufi, si historian e kritikon rëndë atë. Vetëm dy ditë më parë, deputeti socialist njëherazi ish-kryeministër, deklaroi në një intervistë, se ikja e Zogut në 1939-ën nuk ishte tradhti. Por kjo mbështetje që ai i ka dhënë mbretit, ka hasur pakënaqësi jo vetëm në qarqet politike, përkundrazi, mbi të gjitha në ato akademike. 

"Deklaratat e Majkos mbi Zogun unë i shoh simetrike me ato të Berishës: Të paditura, profane, arrogante, amorale. Vlera e vetme e tyre, është se na sqaron përse në Partinë Socialiste mbretëron një heshtje varri sa herë që Berisha anatemon emblemat e kombit e të historisë kombëtare të shqiptarëve, si Abdyl Frashëri, Fan Noli, Bajram Curri e Luigj Gurakuqi, për të nxjerrë nga gjirizet e turpit Esat Pashët e korrupsionit e të tradhtisë", - thekson Xhufi, në një prononcim për "Gazeta Shqiptare". Sipas tij, Partia Socialiste qenka e shushatur në këtë 100-vjetor, ngaqë deri edhe liderë "historikë" të saj si z.Majko nuk paskan ndonjë referencë ideore, kulturore, historike e filozofike të ndryshme nga ajo e Berishës. 

"Duket, z. Majko ka marrë përsipër të përligjë aktin më të shëmtuar të Zogut, atë të arratisjes së tij, në prag të pushtimit fashist, që u parapri nga çarmatosja dhe demotivimi i ushtrisë dhe popullit shqiptar, si dhe nga plaçkitja prej tij e arkës së shtetit", - vëren Xhufi. Sipas historianit, që disa herë ka kritikuar veprimet e Zogut-mbret, "z.Majko na shfaqet kështu, mbrojtës i kulturës së lasizmit dhe kolaboracionizmit që aq shumë i ka kushtuar këtij vendi. Rrjedhimisht i kundërvihet thelbit të kulturës së majtë në Shqipëri, që është ajo e luftës dhe e qëndresës, që mishërohet në veprën e lavdishme të rilindësve dhe të luftëtarëve të të gjitha kohërave, të cilët i dhanë Shqipërisë lirinë, pavarësinë dhe dinjitetin kombëtar".
Krahasimi
Për Xhufin, Majko është tashmë një "alterego" i Berishës në çështjet e historisë dhe thotë një të pavërtetë të madhe, kur pohon se të gjithë mbretërit e Europës, braktisën vendin e tyre para invazionit nazi-fashist. Këtë kundërshti, Xhufi e ilustron me fakte historike të qarta, duke bërë një krahasim të veprimit të Zogut me atë të mbretërve të tjerë të Evropës. "Z. Majko, mbretërit e Evropës, organizuan dhe drejtuan rezistencën e popujve të tjerë. Kështu ndodhi me mbretin Xhorxh të Anglisë, apo me mbretëreshën e Holandës, që qëndroi deri në fund dhe deshi të vdiste me popullin e saj, dhe do kishte vdekur ashtu, sikur në çastin e fundit të mos evakuohej, kundër dëshirës së saj nga komandot angleze. Mbreti Pjetër i Jugosllavisë, ishte vetëm 17 vjeç kur hodhi poshtë diktatin e Hitlerit dhe pranoi një sfidë të pamundur, që i kushtoi viktima të panumërta popullit të tij, por që i dha dinjitet e kredenciale të jashtëzakonshme Jugosllavisë së pas luftës, shpeshherë edhe për të zezën e ne shqiptarëve", - shprehet historiani. 

Nga ana tjetër, Xhufi, shigjeton edhe një herë ikjen e mbretit në vitin 1939, duke thënë se ndryshe nga vendet e tjera, neve "fati na dhuroi një mbret burracak e të padenjë. U sollën shumë ndryshe nga Zogu ynë e juaj, mbretërit e kryeministrat e Evropës dhe të Ballkanit". Historiani i kujton ish-kryeministrit Majko, se në çastin e mbramë kur gjermanët po hynin në Athinë, kryeministri grek Korizis, refuzoi të largohej, u mbyll në dhomën e vet dhe i dha fund jetës me një plumb në kokë. "MUND TE THEMI GJITHÇKA PER TE, por jo që ishte burracak. Akte të tilla nuk i prisnim kurrsesi nga mbreti ynë: Nuk e kishte brumin. Por të paktën të bënte atë çka premtoi vetë në prag të pushtimit: Të vishte opingat e të kuturisej i vetëm ca ditë nëpër malet e Shqipërisë. Kush e di, misionar", - përfundon prononcimin e tij për "Gazeta Shqiptare", Pëllumb Xhufi. 
(e.m/GazetaShqiptare/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›