E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ikonat e rralla shqiptare ekspozohen në Bari

02/07/2009  Janë ikona të rralla, që ekspozohen në Bari të Italisë. “Shenjtorë të Adriatikut” është ekspozita me ikona të shenjtorëve të Adriatikut, e çelur më 18 qershor në kështjellën “Svevo”. Ikonat e ekspozuara janë marrë nga muzeu “Onufri“ në Berat dhe Muzeu i Artit Mesjetar në Korçë, ndërkohë që organizimi i ekspozitës ishte nismë e projektit “Cooperation & Heritage”, i cili bashkoi në një rrjet të vetëm pasuritë muzeale të muzeve kombëtare shqiptare dhe atyre pulieze. Ky projekt ka funksionuar për një vit, duke pasur si synim kryesor takimin e kulturave të dy vendeve fqinje në breg të Adriatikut. Në ceremoninë e zhvilluar për hapjen e ekspozitës ishte pjesëmarrës dhe Ardian Tana, sekretar i përgjithshëm i Ministrisë së Turizmit, Kulturës, Rinisë dhe Sporteve. Duke përfaqësuar palën shqiptare, Tana vlerësoi rëndësinë e këtyre iniciativave për promovimin e kulturës së lashtë të shqiptarëve dhe ndryshimin e imazhit te vizitori europian, si një vend që tashmë eksporton vlera kulturore dhe qytetare. Ekspozita u mundësua falë programit “Interreg” Itali-Shqipëri dhe me bashkëpunimin e MTKRS-së së Shqipërisë, muzeut të Beratit e të Korçës, rajonit të Pulias, Drejtoria Rajonale të Pasurive Kulturore të Pulias etj. “Shenjtorët e Adriatikut” do të qëndrojë e hapur deri më 25 tetor 2009 dhe shërben si një mundësi për të evidentuar raportet që përmes detit kanë formuar gjuhën artistike që përkthen ndjenjën fetare dhe besimin në tërësi të popujve në të dyja anët e Adriatikut.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›