E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha, PS-së: Eja në Kuvend të heqim vizat e të hyjmë në BE



Kryeministri Sali Berisha i bëri thirrje dje opozitës nga salla e Kuvendit që të rikthehet në Kuvend, duke i premtuar bashkëpunim të plotë. Duke folur për progres-raportin e Komisionit Evropian, Berisha i kërkoi Edi Ramës vijimësinë e bashkëpunimit për reformat e mëtejshme, në mënyrë që vendi të ecë drejt rrugës në BE dhe të liberalizojë vizat sa më shpejt. “Shfrytëzoj rastin të ftoj Ramën të autorizojë partinë e tij të marrë pjesë në Kuvend. Të vazhdojë më tej reformën zgjedhore. E garantoj se do t’i japim opozitës zërin kryesor në këtë reformë. Ne do të miratojmë me konsensus të gjitha propozimet e tij dhe të partisë së tij, që kanë të bëjnë me sugjerimet e OSBE/ODIHR-it. Unë dhe një herë i bëj thirrje kryetarit të PS-së, Edi Rama, që të shqyrtojë në përputhje me raportin e KE-së qëndrimin e tij dhe të PS-së ndaj Parlamentit”, - deklaroi Berisha. Ai më tej tha se rruga e bojkotit nuk ka asnjë përfitim për asnjë palë, duke shtuar se është një dëm për moralin e Partisë Socialiste.

Duke folur më tej në lidhje me progres raportin, kreu i qeverisë tha se zgjedhjet ishin demokratike. “Që nga data 28 qershor e deri më sot, nuk ekziston qoftë dhe një zë i vetëm në planet që të vërë në dyshim legjitimitetin e këtij parlamenti dhe karakterin e këtyre zgjedhjeve. Ky raport fakton se demokracia në Shqipëri funksionon. Ai është i pari dokument në historinë e vendit që bën fjalë për zgjedhje të standardeve dhe ai e nxjerr Shqipërinë nga lista e vendeve me zgjedhje të kontestueshme, listë kjo jo e denjë për një vend që ka përcaktuar si objektiv madhor integrimin në NATO dhe BE”, - tha Berisha. Ai i njohu meritën edhe opozitës në procesin e 28 qershorit. “Meritë të padiskutueshme ka opozita shqiptare, e cila në një proces serioz u angazhua për hartimin e kodit të ri zgjedhor si dhe për ndryshimet e mëdha dhe të thella kushtetuese”, - shtoi Kryeministri.

Ligji i makinave

Dje Kuvendi miratoi projektligjin që u heq zyrtarëve makinat zyrtare, duke u lënë një kuotë mujore për shpenzim për transportin. Deputetët e mazhorancës propozuan shumë ndryshime, por i vetmi që u pranua, ishte lënia e makinave zyrtare krerët e prokurorive në rrethe. Kryeministri Berisha tha se modeli shqiptar do të jetë i ngjashëm me atë të modelit austriak. Sipas këtij projektligji, 3 500 makina zyrtare do të dalin në ankand, ndërsa vetëm 374 makina do të kenë mundësi të parablihen nga zyrtarët që i kanë zotëruar.

Më tej deputetët folën kryesisht për progres-raportin. Ata i bënë thirrje opozitës të vijë në Kuvend. Ministrja e Integrimit, Majlinda Bregu, tha se një nga kritikat është edhe imuniteti i zyrtarëve dhe ajo ftoi PS-në në Kuvend që të heqin imunitetin e deputetëve. Në diskutimin e tij deputeti i Beratit, Lefter Maliqi, deklaroi se socialistët e thjeshtë kanë bojkotuar Ramën. Sipas tij, vetëm në Berat 3 mijë të majtë më shumë kanë votuar qeverinë e Berishës.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›