E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilaçet me pullë të pafalsifikueshme dhe kode të veçanta

Medikamentet që do të futen në vendin tonë do të kenë secili pullën dhe kodin e vet sipas llojit. Një sistem i informatizuar do të kontrollojë komplet sistemin farmaci-distributor-Qendër Kontrolli të Barnave. Të gjitha të dhënat do të jenë të informatizuara, barnat do të kenë numrin përkatës, pullën dhe të dhëna të regjistruara. Pulla do të jetë e pafalsifikueshme me elementë të fortë sigurie dhe njëkohësisht e kontrollueshme nga sistemi nëse është e rregullt apo jo. Ky sistem informatizimi do të nisë të zbatohet shumë shpejt në vendin tonë. Një projekt italiano-shqiptar, i cili do të vazhdojë në kohë, do të mundësojë për herë të parë ngritjen e një rrjeti të dhënash në sistemin farmaceutik. Dje në prezantimin e projektit, drejtori i Qendrës së Kontrollit të Barnave tha: "Projekti do të krijojë rrjetin e të dhënave, do të forcojë sistemin e kontrollit dhe njëkohësisht do të minimizojë ndjeshëm kontrabandën dhe informalitetin në sistemin farmaceutik. Pajisjet e para kompjuterike kanë ardhur në qendrën tonë, ndërsa presim të nisin edhe fazat e tjera të projektit". Gjatë prezantimit të fazave të projektit, tekniku italian theksoi se aktualisht sistemi farmaceutik dhe qendra e kontrollit të barnave kanë pika të dobëta për sa i takon kontrollit të cilësisë së ilaçeve dhe pullës. Aktualisht, pulla jeshile që vendos Qendra e Kontrollit të Barnave është lehtësisht e falsifikueshme. Elementët që ka ajo sot mund të fotokopjohen shumë thjesht, ndërsa monitorimi i barnave dhe cilësisë së tyre në treg nuk mund të kryhet saktësisht nëse sistemi nuk ka të dhënat bazë të sigurisë. Nëpërmjet informatizimit të të dhënave dhe sipas pikave të projektit, distributorët mund të bëjnë kërkesa për barna edhe nëpërmjet internetit. Kontrolli nga Qendra e Barnave do të jetë më i thjeshtë, ndërsa cilësia e barnave do të jetë plotësisht e kontrolluar. Për sa i takon kontrabandës së ilaçeve do të jetë shumë e thjeshtë për t‘u zbuluar. Një pajisje e cila kontrollon pullën apo kodbarin mund të gjejë nëse elementët e sigurisë janë të saktë apo falsë. Sipas deklaratave të specialistëve, secili bar do të ketë numrin dhe kodin e vet. Kjo e ndarë, sipas llojit të medikamentit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›