Rama: Studentët që mbaruan jashtë, praktikë në bashki
Bashkia e Tiranës ka punësuar për një periudhë 6-mujore 15 studentë shqiptarë që u diplomuan jashtë vendit. Në fjalën e tij, kryetari i bashkisë tha se "ky program i ri punësimi është për ata që kanë mbaruar shkollën brenda apo jashtë vendit dhe që këtu mund të kryejnë praktikat profesionale për gjashtë muaj rresht, duke përfituar pagën dhe sigurimet shoqërore që do të mbulohen nga Drejtoria Rajonale e Punësimit, pranë Shërbimit Kombëtar të Punësimit". Të rinjtë e sapodiplomuar mund të njihen me administratën vendore dhe me procedurat vendimmarrëse. Pas kësaj praktike ata edhe mund të zënë një vend pune në bashki. Për këtë Rama tha se "mund të bëhemi palë me disa prej jush që do ta meritojnë, sigurisht brenda mundësive tona për të absorbuar burime të reja njerëzore, në bazë të nevojave dhe të ligjit të shërbimit civil, i cili në Bashkinë e Tiranës është një bazë e pacenueshme dhe e patjetërsueshme".