E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilaçet me rimbursim, recetat online për 48 orë

SHKRUAN: Jonida Tashi 10-09-2011 12:23

Farmacitë do të kenë vetëm 48 orë kohë për të regjistruar recetën e ilaçeve me rimbursim që ekzekutojnë. Nga 50 ditë për hedhjen e të dhënave nga farmacitë, koha është shkurtuar në 2 ditë, falë sistemit të ri të vendosur nga Instituti i Sigurimeve dhe Kujdesit Shëndetësor (ISKSH). Tashmë, ISKSH ka arritur të finalizojë një projekt shumë të rëndësishëm, atë të hedhjes online të recetave me rimbursim nëpërmjet programit të E-Farmaci. Ndërkohë që synohet që shumë shpejt në sistemin E-Farmaci të përfshihet edhe lista e barnave të shtrenjta. Drejtoresha e ISKSH-së, Elvana Hana ka sqaruar dje në një konferencë për shtyp detajet e projektit E-Farmaci dhe si do të funksionojë ai konkretisht. “Për të rritur transparencën në funksion të përmirësimit të shërbimit ndaj popullatës, ISKSH ka arritur të finalizojë një projekt shumë të rëndësishëm, atë të hedhjes online të recetave nëpërmjet programit të E-Farmaci. Ky projekt mundësoi lidhjen në kohë të shpejtë të rreth 96% të të gjithë shërbimit farmaceutik të kontraktuar në të gjithë vendin, duke siguruar në këtë mënyrë informacion në kohe reale dhe të përditësuar në lidhje aktivitetin e farmacive, me rimbursimin e medikamenteve të listës, duke realizuar në të njëjtën kohë kontrolle më eficente, shpejtësi në vendimmarrje dhe transparencë më të gjerë në trasaksionet tona financiare me këta ofrues”, - u shpreh Hana. Më tej, ajo ka sqaruar se në bazë të kontratës së re me farmacitë, këto të fundit do të kenë 48 orë afat për të regjistruar recetën që ekzekutojnë. Falë këtij sistemi, ISKSH, nëpërmjet drejtorive të saj të kontrollit, marrin brenda 48 orësh një informacion për transaksionet dhe sasinë e barnave. E-Farmacia ka krijuar një regjistër qëndror online të barnave të rimbursueshme. Tani mjafton të azhornohet lista e barnave në serverin e ISKSH-së dhe në çast e kanë të gjitha farmacitë. Gjithashtu, ky projekt ka krijuar edhe një regjistër qëndror online të farmacive. Regjistri ka të dhëna identifikuese, të dhëna për të kontaktuar me farmacinë, si dhe statusin e kontratës. Drejtoresha e ISKSH-së ka bërë të ditur se një ndër projektet më madhore që ISKSH aktualisht po punon është ai i ndërtimit dhe i funksionimit të sistemit të integruar të informacionit të skemës sociale të sigurimeve shëndetësore. Përfundimi i projektit për sistemin e integruar të informacionit dhe implementimi i tij do të bënin të mundur transformimin e ISKSH-së në një blerës real të paketave të shërbimeve shëndetësore.

Më shumë nga Ekonomia

Të gjitha ›