Kapen 5 shitës kokaine, parandalohen dy vrasje
Policia i hetonte prej shtatë muajsh, kapen me drogë para se të vepronin.
Tiranë, kontrolli gjen drogë dhe tri armë zjarri.
Pesë persona u arrestuan dje nga Policia e Tiranës në një aksion kundër shpërndarjes së kokainës. Arrestimi i pesë të dyshuarve, sipas Policisë, parandaloi edhe dy vrasje që ishin planifikuar të kryheshin nga të dyshuarit. Aksioni i koduar me emrin Eagle u finalizua me kapjen e pesë të dyshuarve dhe me bllokimin e një sasie droge, si dhe të disa armëve që mbaheshin nga të dyshuarit. Një përfaqësues i Policisë së Tiranës tha dje në një konferencë shtypi se të arrestuarit e operacionit Eagle janë shtetasit Denis Birjami, 35 vjeç, Martin Çela, 28 vjeç, Nevil Lula, 31 vjeç, Ortjon Grori, 29 vjeç dhe Alban Grori, 33 vjeç. Ata, sipas Policisë, akuzohen se kanë konsumuar veprat penale prodhim, mbajtje dhe shitje të lëndëve narkotike. Këto kanë qenë në fakt akuzat për të cilat hetoheshin prej disa muajve katër nga pesë të arrestuarit, por dje gjatë aksionit, është vënë në pranga edhe një person i pestë, ndërsa gjatë kontrolleve u gjetën edhe armë e municione. Gjatë kontrollit të ushtruar ndaj të dyshuarve janë sekuestruar 80 gramë kokainë, 5.4 gramë heroinë, 2.4 gramë kanabis. Po kështu janë sekuestruar në cilësinë e provave materiale edhe tri armë zjarri dhe një sasi municionesh, thanë burimet nga Policia. Sipas tyre, arrestimi i pesë personave është kryer pas një hetimi 7-mujor.
Parandalohen vrasjet
Burimet zyrtare nga Policia e Tiranës thanë dje se pesë personat e arrestuar me kokainë në kryeqytet konsideroheshin elementë problematikë kriminalë. Sipas informacioneve të marra në rrugë operative, pesë personat mbanin armë dhe ishin potencialisht të rrezikshëm. Gjatë hetimeve ndaj tyre për shpërndarjen e lëndës narkotike kokainë, e cila merret zakonisht nga përdorues VIP, agjentët e Policisë mësuan se pesë personat po planifikonin kryerjen e dy vrasjeve. Për këtë qëllim, forcat e rendit kanë mbajtur në mbikëqyrje grupin kriminal dhe kanë vendosur të ndërhyjnë me taktikën që ti ndalojnë të dyshuarit në një moment flagrance për lëndën narkotike, por edhe të realizojnë kapjen e tyre para se të ndodhnin vrasjet që po planifikoheshin. Burimet nga Policia e Tiranës thanë se të arrestuarit po hetohen për sigurimin e mjeteve të nevojshme për kryerjen e vrasjes, ndërkohë që nga hetimi është mësuar se shpërndarësit e kokainës do të ekzekutonin me armë dy persona në Tiranë. Shkak kanë qenë hesapet e pambyllura që lidheshin me çështjet e drogës, pasi dyshohet se veç shpërndarjes së lëndës narkotike në Tiranë, pesë personat ushtronin aktivitet edhe në trafikimin e narkotikeve nga Shqipëria për në shtete të tjera. Në aksionin e djeshëm për arrestimin e pesë të dyshuarve mësohet se kanë marrë pjesë veç forcave të Antidrogës edhe Forcat Speciale dhe efektivat e repartit RENEA. tr.so
Të arrestuarit
. Denis Birjami, 35 vjeç
. Martin Çela, 28 vjeç
. Nevil Lula, 31 vjeç
. Ortjon Grori, 29 vjeç
. Alban Grori, 33 vjeç
80 grame kokainë, një sasi heroine dhe marijuane janë sekuestruar dje nga policia gjatë arrestimit të pesë personave në kuadër të aksionit Eagle, i cili u zhvillua në Tiranë.
Greqi, 3 shqiptarë me drogë
Tre shtetas shqiptarë janë vënë në pranga dje nga policia greke me sasi të ndryshme droge. Një 34-vjeçar shqiptar u arrestua teksa po transportonte 2 kilogramë heroinë me mjetin e tij drejt Greqisë. Lënda narkotike u bllokua në aksin Kakavijë-Janinë. Po kështu, dje, dy të rinj shqiptarë janë arrestuar në Athinë për mbajtje droge. Mësohet se të arrestuarit janë të moshës 23 dhe 28 vjeç. Ata dyshohet se e përdornin banesën e tyre për magazinimin, përpunimin dhe ripaketimin e lëndës narkotike. Kur ndërhyri policia, në banesën e shqiptarëve u sekuestruan 2 kg e 827 g heroinë, 25 kg e 432 g kanabis si dhe pajisje për përpunimin e lëndës narkotike.