E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Kerni, “Copelia” e kthen në skenën shqiptare

14/12/2008  Ilir Kerni kthehet sërish. Një vit më parë, kur si koreograf dhe balerin solli për publikun shqiptar “La Sylphide”, tha se nuk do të ngjitej më në skenën shqiptare, por është ende herët për t’u thënë nëse do ta mbajë premtimin. Balerini i njohur vjen në rolin e koreografit për të sjellë premierë në skenën e Teatrit Kombëtar të Operës dhe Baletit veprën e njohur të repertorit klasik botëror "Copelia". Megjithatë, ka mundësi që, edhe pse jo në rol kryesor, ai të kërcejë edhe vetë në këtë shfaqje.

Siç duket, historia e dashurisë dhe fantazia e “Copelia”-s e josh dhe e bën të ndihet i tunduar për të interpretuar e kërcyer mbrëmjen e 22 dhjetorit. “Nëse do të jetë e nevojshme që të jem në shfaqje, atëherë do ta bëj. Në të kundërt jo”, - shprehet Kerni, i cili gjithnjë e më shumë duket se po i përkushtohet koreografisë, duke e gjetur më së miri veten atje e duke mos e përjashtuar nga kjo lidhjen me baletin, përkundrazi. “Është e njëjta energji, madje duhet më shumë impenjim. Është kënaqësi shumë e madhe”, - thekson ai.

Duke e vlerësuar “Copelia”-n si një shfaqje që krijon atmosferë të këndshme, artisti jo më kot e quan më të përshtatshme periudhën e fundvitit për vënien në skenë të saj. Ndërkohë e cilëson edhe një eveniment për trupën e baletit, e cila pas premierës së "La Sylphide" vitin e kaluar nuk ka pasur premiera të tjera.

Për vetë Kernin nuk është kjo e para përvojë që ai ka me “Copelia”-n, të cilën e ka kërcyer në shumë skena dhe në disa variante, klasik dhe modern. “Është një nga veprat që më pëlqen më shumë, ka muzikë të mirë, atmosferë dinamike e të gëzueshme. Është një nga ato shfaqje me sukses të garantuar”, - thotë ai, duke e cilësuar si një nga më të bukurat që ka bërë gjatë gjithë jetës.

Realisht një nga veprat që ka pasur vazhdimisht sukses në skenat e botës, “Copelia” do të vijë në versionin klasik me disa ndryshime, për të cilat Kerni ka bashkëpunuar edhe me dy artistët kroatë, skenografin Zorz Dransnik dhe Ljubica Wagner për kostumet. Ndërkohë dirigjimi i është besuar Ermir Krantjes.

Më shumë nga Kultura

Të gjitha ›