Transplantimi i veshkave, operacionet e para në fund të nëntorit
Emanuela Sako
Transplantimi i parë i veshkave në QSUT, pritet të kryhet në fund të nëntorit. Në datën 25 të përfundojnë punimet për përgatitjen e fundit të sallave në pavijonin e Urologjisë, ku do të kryhen ndërhyrjet kirurgjikale. Drejtori i Përgjithshëm në Ministrinë e Shëndetësisë, Bardh Spahia, u shpreh se me përfundimin e rikonstruksionit të sallave, që do të jenë gati brenda datës 25 tetor dhe plotësimin me aparaturat e nevojshme deri në fund të muajit tetor, do të realizohet dhe transplantimi i veshkës në QSUT. Sipas tij, problemi i vetëm për kryerjen e transplantimit të veshkave, ka qenë përfundimi i rikonstruksionit të sallave të operacionit. MSH-ja ka lëvruar fondin për rikonstruksionin, por ka pasur disa vonesa në procedurat e tenderimit dhe ato të rikonstruksionit. Përsa u përket përgatitjes profesionale, të gjitha kushtet tashmë janë krijuar për trajnimin e stafit mjekësor dhe ai i infermierëve në kuadër të projektit shqiptaro-italian INTERREG 3.
Pacientët
Shefat e pavijoneve përkatëse bëjnë të ditur se janë përcaktuar edhe çiftet e para që do të kryejnë ndërhyrjen kirurgjikale.
Në momentin që sallat e operacioneve dhe tre pavijonet do të jenë gati, do të bëhet dhe ndërhyrja kirurgjikale për të gjithë pacientët që kanë gjetur dhuruesin e veshkës. Dhuruesit janë kryesisht të afërm të familjarëve që kanë përputhshmëri fiziologjike të veshkave dhe njëkohësisht janë të gatshëm të bëjnë dhurimin. Operacionet e para që do të kryhen në QSUT do të kryhen nga mjekë italianë dhe shqiptarë. Më pas gjithçka do të jetë në dorë të mjekëve shqiptarë. Aktualisht janë rreth 15 pacientë në pritje të fillimit të operacioneve, të cilët rrezikojnë jetën edhe pse kanë gjetur dhuruesit e tyre. Pamundësia financiare i ka detyruar që operacionin ta kryejnë në vend, duke pasur parasysh se mjekët janë specializuar jashtë vendit. Mjekët shprehen se ende nuk është përgatitur terreni i favorshëm për kryerjen e transplanteve në QSUT. Shkak për këtë është bërë mungesa e përgatitjes së sallave dhe ajrit special në pavijonin e Urologjisë në QSUT. Po kështu, pritet që të vijë nga Italia aparatura kryesore për kryerjen e transplantimit. Për realizimin e operacioneve bëjnë pjesë tre shërbime spitalore të rëndësishme, ku dy nga të cilat janë gati. Operacionet e para që do të kryhen në QSUT do të jenë falas dhe kjo falë projektit INTERREG 3, që bën financimin.
Situata
Për kryerjen e operacioneve për transplantimin e veshkave, aktualisht janë përgatitur dy pavijone, siç është ai i Nefrologjisë dhe Laboratori Imunologjik. Pengesa e vetme që ka shtyrë deri tani kryerjen e operacioneve është Pavijoni i Urologjisë. Në këtë pavijon nuk janë përgatitur ende sallat, të cilat janë dy dhoma që duhet të kenë lidhje me njëra-tjetrën. Por ende nuk është bërë lidhja e tyre dhe duhet të shembet muri që i ndan më mes. Njëkohësisht nuk ka përfunduar instalimi i aparaturës së ajrimit special, si dhe pritet një aparaturë që do të vijë nga Italia. Kjo aparaturë vëzhgon deri në imtësi ndërhyrjen kirurgjikale që do të realizohet te të gjithë pacientët. Aparatura mundëson matjen e medikamenteve që merret nga pacienti dhe kryen mbikëqyrjen e gjendjes shëndetësore të pacientëve që janë operuar. Sipas specialistëve kryerja e tenderëve që do të mundësojnë operacionet dhe fondet për përballimin e operacioneve kanë përfunduar.
23 Tetor 2008