E Diel, 1 Nëntor 2026

Kolaudimi i automjeteve, tri kompani të huaja në garë për tenderin



Tri kompani të huaja janë parakualifikuar për fazën e dytë të koncesionit për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm teknik të automjeteve. Ndërkohë, tenderi përfundimtar mbi përzgjedhjen e kompanisë fituese pritet të zhvillohet më 18 dhjetor të këtij viti. Burime zyrtare pranë Ministrisë së Punëve Publike, Transportit dhe Telekomunikacionit, bënë të ditur se në fazën e parë, atë të parakualifikimit të ofertave, janë përzgjedhur tri kompani të huaja: kompania franceze "SAS Sakar", ajo gjermane "TUV Sud" dhe kompania zvicerane "SGS". Sipas burimeve të mësipërme, kontrata e koncesionit do të bëhet deri në 20 vjet, ndërsa financimi i shërbimit do të bëhet nga tarifat për shërbimin e kontrollit të detyrueshëm të mjeteve rrugore dhe rimorkiove. Koncesioni për Shërbimin e detyrueshëm të Kontrollit Teknik të Automjeteve ka si objektiv kryesor përmirësimin e cilësisë së shërbimit ndaj shtetasve dhe subjekteve shtetërore dhe private, rritjen e sigurisë së qarkullimit në rrugë, zvogëlimin e ndotjes në mjedis, rritjen e eficencës së shërbimit, si dhe modernizmin e teknologjisë së shërbimit nëpërmjet vendosjes së standardeve teknologjike të larta në kontrollin e mjeteve.

23 Tetor 2008

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›