MSH-ja, gati një program për kushtet klimaterike dhe shëndetin e njeriut
Ministria e Shëndetësisë po harton një program për ndryshimet klimaterike dhe ndryshimet shëndetësore që sjellin tek njerëzit këto situata. Kjo nismë ka marrë shkas nga ndryshimet e shpeshta që po pëson klima në të gjithën botën. Ndryshimet klimatike dhe shëndeti është një problem i gjerë dhe i rëndësishëm, i trajtuar tashmë në nivel ndërkombëtar. Ministria e Shëndetësisë pritet që të fillojë së shpejti një komponent të tillë, në kuadër të Paktit të Stabilitetit për rajonin. Zëvendësministri i Shëndetësisë, Arben Ivanaj, lidhur me këtë çështje deklaroi se do të ketë një program të veçantë për këtë problem në kuadër të shëndetit publik. Lidhur me sezonin, pavarësisht temperaturave të larta që po shoqërojnë stinën e vjeshtës, MSH-ja rekomandon zbatimin e këshillave të dhëna nga specialistët për ruajtjen nga virusi i gripit. “Sikurse e kanë bërë prezent specialistët, ne rekomandojmë vaksinimin e disa grupeve të rriskuara të popullatës”,- u shpreh Ivanaj. Mjekët kanë bërë të ditur mënyrën e parandalimit të përhapjes së virusit të gripit, duke konsumuar sa më shumë lëngje të ngrohta, ruajtja nga korentet e erës, ndërsa përdorimi i antibiotikëve të ndryshëm duhet bërë pas një konsulte me mjekët. MSH-ja insiston në zbatimin e atyre rekomandimeve të dhëna nga specialistët e shëndetit publik, që do të rrisë informacionin, duke çuar në një mirëkuptim më të mirë të problemeve praktike. Specialistët sqarojnë se sa më shumë informacione shkojnë tek të gjithë qytetarët aq më pak pacientë janë drejtuar në qendrat shëndetësore. Vënia në zbatim e këtyre kritereve shmang në maksimum përhapjen e viruseve të shumta tek njerëzit. Aktualisht, ndryshimet klimatike në vendin tonë janë shoqëruar me ngritje graduale të temperaturave dhe ulje të sasisë së reshjeve vjetore. Por, gjithsesi kujdesi shëndetësor tek qytetarët duhet të jetë maksimal dhe në përshtatje me këshillat mjekësore dhe udhëzuesit me rekomandime të specialistëve.
Qeveria shtyn afatin e procedurave të tenderëve për medikamentet
Shtyhet afati i përfundimit të procedurave të tenderimit për blerjen e pajisjeve apo medikamenteve në Ministrinë e Shëndetësisë. Me kërkesë të Ministres së Shëndetësisë dhe Drejtorisë së QSUT-së për shtyrjen e procedurave, Këshilli i Ministrave, vendosi në mbledhjen e tij të radhës, që kryerja e procedurave të vazhdojë deri në përfundimin e blerjes së të gjitha materialeve të nevojshme shëndetësore. Pak kohë më parë, Ministrja Godo i kërkoi qeverisë lejimin e Ministrisë së Shëndetësisë dhe të Qendrës Spitalore Universitare “Nënë Tereza”, të përfundojnë procedurat e prokurimit për mallra, shërbime dhe ndërtime me fondet e parashikuara në buxhetin e shtetit, për vitin 2008. Brenda këtij afati të përfshihet lidhja e kontratave përkatëse dhe publikimi i njoftimit të kontratës të nënshkruar në Buletinin e Njoftimeve Publike. Me shtyrjen e këtij afati kërkohet që të bëhet prokurimet për më shumë medikamente dhe pajisje, në mënyrë që të mos ketë mungesa për vitin 2008. Aktualisht në QSUT ka ende mungesë të thelluar të medikamenteve nëpër pavijone. Ndërkohë që situata e një vitit më parë ka qenë mjaft e rënduar, ku të gjitha spitalet e vendit u përfshinë nga kriza e mungesës së të gjitha medikamenteve. Duket se Ministrja e Shëndetësisë po kërkon të hedhë hapa të sigurt për shmangien e krizës që përfshiu shëndetësinë këto dy vitet e fundit.
23 Tetor 2008