E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Lena: Dimensioni i ri i botës shqiptare në Kanada

Intervistë me producentin e programit "Pasqyra Shqiptare" 


Prej disa vitesh, në shtetin e adhuruar e të largët përtej Atlantikut, Kanadasë, komuniteti shqiptar i atjeshëm përcjell nëpërmjet ekranit të programit "Pasqyra Shqiptare" mjaft ngjarje dhe data historike që kanë të bëjnë me vendlindjen e tyre; takohen dhe përshëndeten herë pas here me figura dhe personalitete të fushave të ndryshme dhe mësojne për gjithçka ndodh në atdheun e tyre. Ky afrim ka mundur të ndodhë vetëm në vitet e fundit, pasi vite më parë, shqiptarët i kishin thuajse të mbyllura portat e komunikimit me njëri-tjetrin. Kujtojmë vetëm komunikimin, apo korrespondencat me letra që ishin aq të rralla e të vonuara, por që gjithsesi e shuanin mallin për të dy palët në një mënyrë arkaike. 


Kjo fitore e përbotshme e informacionit në kohë fare të shkurtër, i ka zvogëluar distancat edhe mes shqiptarëve në maksimum. Një mjet i tillë informimi cilësor dhe mjaft bashkëkohor është edhe programi televiziv "Pasqyra Shqiptare", i cili transmetohet në valët e kompanisë televizive "OMNI 1" në Toronto të Kanadasë. Një program që flet në gjuhën shqipe, aq të dashur për të gjithë komunitetin shqiptar tashmë të integruar në Kanada. Platforma dhe drejtimi me përkushtim të veçantë i programit "Pasqyra Shqiptare" nga producenti Ilir Lena dita-ditës pasqyron me vërtetësi dhe atdhetari të gjitha problematikat shqiptare që ka ky komunitet në dhè të huaj. Është një program shumë i ndjekur e i ndjerë; i projektuar të përmbajë të gjithë fizionominë e portretit shqiptar që shtrihet në hapësirën kanadeze. Për të mësuar më shumë rreth këtij televizioni, rreth trajtimit të tematikave që zenë vend në ekranin e tij, redaksia e "Gazeta55" ftoi për një bisedë telefonike zotin Ilir Lena, i cili drejton prej vitesh punën në këtë televizion. 


Zoti Lena prej sa kohësh punoni në drejtim të këtij programi shqip?


Kam filluar në tetor të vitit 2003, kur ish-drejtuesi i këtij emisioni, Fadil Malik, emigrant në Kanada nga Ohri i Maqedonisë, po kërkonte një blerës. Unë vetë po kërkoja një fushë të re aktiviteti, pasi e ndjeja se karrierës sime si këshilltar emigrimi, po i vinte fundi. Kështu, në fillim të tetorit 2003, lidhëm me z. Malik një marrëveshje, të cilën në fillim e gjykoja si shumë të favorshme për të. Koha do të provonte se nuk kisha gabuar në vendimin për t'i hyrë televizionit, megjithëse "teknikisht" nuk ishte fusha ime. 


Më thoni ju lutem, si lindi ideja që shqiptarët të kenë një mjet të tillë komunikimi ? - A ka patur më parë radio apo televizion me të cilin të mund të jetë komunikuar në gjuhën shqipe? 


Ideja, siç theksova edhe më lart, nuk ka qenë e imja. Ishte Fadil Maliku ai që do të lidhte i pari kontratën me "OMNI Television" në Toronto në gusht 2002. Ky stacion njihet këtu si stacioni i komuniteteve etnike. Mbështetet mbi një formulë të thjeshtë bashkëpunimi me producentë të pavarur: kohë televizive falas në këmbim të disa ndërprerjeve publicitare për stacionin. Kisha një lloj sigurie se do t’ia dilja mbanë. Për sa i përket radios, në vitin 1999, kishte filluar transmetimet një emision radiofonik njëorësh në "CHIN Radio Toronto". Qe një iniciativë e Fisnik Prishtinës, afarist në Toronto, i cili e mbajti atë deri në dhjetor të 2006-s. 


A mund të na thoni diçka për programin tuaj; cilat janë përparësitë, çfarë transmetoni, grupet e punës, frekuencat etj. 


Emisioni ynë ka një strukturë të thjeshtë, të ndërtuar mbi dy materiale kryesore: njëri nga komuniteti i shqiptarëve të Kanadasë dhe tjetri nga Shqipëria (ndonjëherë edhe nga Kosova). Zakonisht, materialet tona janë kronika dhe reportazhe mbi ngjarje kulturore në Kanada dhe Shqipëri, si dhe portrete shqiptarësh, të andej dhe këndej oqeanit. Stafi ynë aktual përbëhet nga disa profesionistë në fushën e mediave, që aktivizohen part-time në emisione. Në Toronto: Arian Dheri - kameraman dhe montazhier, Valdet Salihu - montazhier, Antigoni Papastathi – prezantuese dhe spikere dhe Fitim Syla, i cili kujdeset për faqen tonë në internet Paqyra TV Kurse në Tiranë, janë dy "veteranë" të njohur: regjisori Esat Teliti dhe kameramani Arben Tafili, të cilët janë shpirti i këtij emisioni, mësuesit e mi të parë, frymëzuesit dhe nxitësit e vazhdueshëm. Emisioni shihet në të gjithë Kanadanë, si në sistemin kabllor, ashtu edhe në atë satelitor. 


Zoti Lena, do të doja t’ju pyesja në lidhje me kontaktet që mbani veçanërisht me bashkëatdhetarët tuaj në Kanada. Sa e ndjekin ata programin "Pasqyra Shqiptare"?- A jeni të pranishëm me kamerat tuaja, në aktivitete të ndryshme të komunitetit shqiptar dhe sa shërben aktiviteti juaj në ruajtjen dhe forcimin e traditave që shqiptarët i kanë marrë me vete atje? 


Mendoj se asnjë veprimtari private mediatike në mërgim nuk mund të harmonizohet mirë me komunitetin, nëqoftëse nuk bazohet te nevoja për produktin mediatik, efikasiteti i sipërmarrjes, dhe niveli kulturor e profesional i stafit. Si drejtues i emisionit, gjithmonë udhëhiqem nga këto tri parime. Ka një nevojë për një program në gjuhën shqipe. Njerëzit duan të informohen në gjuhën e tyre. Gjithashtu, ata janë kureshtarë të dinë se ç'bëjnë bashkatdhetarët e tyre në mërgim. Pa harruar mallin për vendlindjen. Këto janë shumë të rëndësishme, por nuk mjaftojnë që ky program/emision të mbijetojë. Programi duhet të jetë edhe efikas, pra të gjenerojë të ardhura, përndryshe do të mbetej në kuadrin e një nisme "patriotike" që vdes shumë shpejt. Por, as efikasiteti nuk mjafton në rast se programi nuk rrezaton një minimum të domosdoshëm kulture dhe profesionalizmi. Mendoj se në punën time unë i kam dhënë secilit prej këtyre parametrave rëndësinë e duhur dhe dashur pa dashur, kjo ka bërë që programi të lerë gjurmën e vet në jetën tonë komunitare. 


Z. Lena, si arrini ju të mbani lidhje me vendin e origjinës? - Si përcillet - le të themi - një copëz Shqipëri në ekranin e televizionit tuaj? 


Siç e përmenda edhe më lart, kjo realizohet nëpërmjet dy bashkëpunëtorëve të mi në Tiranë: Esat Teliti dhe Arben Tafili, të cilët sugjerojnë materialin, bëjnë punë kërkimore paraprake dhe kryejnë filmimin në terren. Janë krahu im i djathtë dhe shpirti i emisionit. Përmes kronikave kulturore nga Tirana dhe Prishtina, si dhe portreteve të shqiptarëve të shquar, ata kanë ngritur një urë të fortë komunikimi me shqiptarët e Kanadasë. U ruhemi materialeve-lajm, për faktin e thjeshtë se emisioni transmetohet i regjistruar, pra dorëzimi i kasetës bëhet disa ditë para transmetimit. Kjo do ta zhvleftësonte çdo lajm. Por ato portrete televizive, kronika dhe reportazhe nga Tirana janë hite këtu në Toronto. Mos harrojmë se kemi një teleshikues të ngritur nga ana kulturore. Shumica e shqiptarëve në Kanada kërkojnë cilësi dhe jo vetëm ata që kanë emigruar si kuadro të lartë. Vetë Kanadaja i ka ndryshuar shqiptarët e këtushëm për mirë, pra të gjithë kërkojnë cilësi. 


Zoti Lena! Ju jeni diplomuar në fushen e kontabilitetit dhe financës. Të befason fakti se përveçse producent, na rezulton se jeni edhe gazetar, operator, njihni dhe përdorni në mënyrë të përsosur elektronikën. A mund të na thoni ju lutem se çfarë motivesh ju tërhoqën në këtë rrugë të vështirë, në këtë gjini televizive që ndoshta nuk të sjell fitimin e dëshiruar, por të fal nga ana tjetër një kënaqësi të veçantë shpirtërore? 


Po e filloj nga kjo e dyta: nuk jam dakord që nuk të sjell fitim. Me siguri se është fitimprurës si aktivitet. Sigurisht, jo në kuptimin e pasurimit, por në atë të efikasitetit dhe që producenti nuk fut më para nga xhepi për ta mbajtur emisionin. Për sa i përket motiveve, mendoj se nxitjen e parë e mora gjatë realizimit në Kanada të dokumentarit të TVSH-së, "Na duhet një Niagarë" në Mars të vitit 2000 me regjisorin E. Teliti. Unë isha në rolin e një producenti lokal (sponsor dhe organizator i intervistave. Ekipi i TVSH-së përbëhej nga E. Teliti, A. Tafili dhe Gavrosh Haxhihyseni. Më vonë e kam kuptuar se sa shumë mësova nga ajo përvojë. Por çdo gjë do të merrte kuptim kur Fadil Maliku do të më ofronte drejtimin e emisionit dhe ky qe vërtet elementi fatsjellës për mua. Deri atëherë lidhja ime e drejtpërdrejtë me artet ishte 8 vjet violinë në tetëvjeçare si dhe disa organizime koncertesh për shqiptarët në Toronto. Vetem kaq. Përsa i përket pyetjes së parë, faleminderit për komplimentin, por, unë nuk shkëlqej në asnjë nga disiplinat që ju përmendni: as si skenarist, as në regji, as në kamera, as në montazh, dhe më pak si producent. Por jam si ai atleti 7-garësh që në fund arrin të mbledhë pikët e duhura. Në Shqipëri akoma ka një lidhje shumë të fortë mes shkollimit dhe punës/aktivitetit. Edhe sot njerëzit vazhdojnë të paraqiten si "inxhinierë" ose "ekonomistë", duke iu referuar diplomës universitare, pavarësisht se prej vitesh mund të jenë afarista, shitës, operatorë kompjuteri, ose të papunë. Kjo mënyrë të menduari është një trashëgimi e regjimit komunist, kur planifikimi i kuadrove ishte shumë i rreptë. Unë e kam ndjerë edhe këtu në Toronto pyetjen e pathënë me zë të lartë: "Po ky ç'ne me televizion? Ky s'ka shkollë për këtë punë"! Disa dashamirës janë përpjekur të më mbrojnë te ata që më "përflasin", duke më "dhënë" diplomën në gjuhë-letërsi ose histori-gjeografi. Por, i kam "zhgënjyer" edhe këta, kur kanë marrë vesh se studimet e mia të larta i kam kryer në fushën e kontabilitetit dhe të financës, dmth studime ekonomike. 


Kjo është vërtetë befasuese. Pra, ju nga një njeri që keni studiuar për ekonomi, arrini të realizoni në Kanada filma dokumentarë, të konkuroni me ta. A ka qenë kjo një ëndërr e fjetur brenda teje? 


Jo, nuk ka qenë nje ëndërr. Në fakt, unë nuk jam tip ëndërrimtar. Mbase jam një tregimtar i fshehur me aftësi të forta vizuale, të cilit kur rasti (fati) ia solli të drejtojë një emision televiziv, filloi t’i shpalosë cilësitë e fshehura. Këtu gjej rast të falenderoj ish-kolegun dhe mikun tim, Arian Dheri, i cili ka qenë mësuesi im i parë për montazhin dhe kameran. Dokumentarët erdhën më vonë. Puna e përditshme me emisionin ishte një shkollë shumë e mirë si në drejtim të përzgjedhjes së temave, po ashtu edhe në disiplinimin e kohës. Duke qenë se emisioni është vetëm gjysëm ore, kjo të stërvit të jesh shumë i rreptë me tempo-ritmin e tij. 


Disa tituj të filmave tuaj? Si janë pritur ato nga komuniteti shqiptar dhe nga kritika profesionale e huaj? 


Dokumentari i parë "Marsel" është realizuar në vitin 2004, pas vetëm një vit përvojë me emisionin. Aty nuk ka shumë sofistikim, por për mua, edhe tani që kanë kaluar 5 vjet nga realizimi dhe 2 dokumentarë të tjerë i janë shtuar krijimtarise time, ai mbetet më i miri. Shqiptarët e kanë pritur shumë mirë, sepse, siç janë shprehur, aty ata kanë gjetur veten. Nëpërmjet një të riu shqiptar, 19-vjeçarit Marsel që vjen në Shqipëri për vizitë pas 6 vjetësh emigrim në Kanada, përpiqem të depërtoj në shpirtin e të rinjve shqiptaro-kanadezë. Çfarë transformimesh ka pësuar brezi i adoleshentëve shqiptarë, emigrantë në një vend të zhvilluar dhe integrues si Kanadaja? Ciles botë i përkasin ata më shumë? Nga ana tjetër, gjetja e një figure artistike si busti i papërfunduar në Butrint, me të cilin Marseli ndeshet rastësisht gjatë udhëtimit të tij në Jug të Shqipërisë, më jep mundësinë të ndërtoj një paralele me jetën tonë si shqiptarë në kohëra të ndryshme: një popull me dëshira të larta, por ende i papërfunduar. Pas dokumentarit të parë, "Marsel", erdhën "Jani" dhe "1999" (me bashkautor Valdet Salihun). "Jani" u transmetua për herë të parë më 8 mars. Eshtë pritur më mirë se ç’shpresoja. Trajton jetën e artistit Jani Papadhimitri, emigrant në Kanada që prej vitit 2002 një figurë shumëplanëshe: violinist, kompozitor, pianist, pedagog, kritik arti, baba, bashkëshort dhe së fundi, emigrant dy herë në jetën e tij, në Greqi 11 vjet dhe Kanada - 7. Këtyre u shtohet edhe origjina e tij e përzjerë greko-shqiptare. Nuk ishte e thjeshtë t’i trajtoje të gjitha këto aspekte të personalitetit dhe historisë së tij personale në një dokumentar 50-minutësh. Pas transmetimit, dhjetëra njerëz uronin Janin, shenjë kjo që dokumentari i ka përçuar mesazhet e duhura, pa u kuptuar se ka një autor. Kjo më jepte mua një kënaqësi të veçantë. Dokumentari i fundit, "1999", trajton luftën në Kosovë dhe përpjekjet e qeverisë kanadeze për t’u ardhur në ndihmë rreth 7000 refugjatëve shqiptarë nga Kosova. Sikurse edhe "Jani", dokumentari "1999" është shkruar dhe lexuar i gjithi në anglisht. Në ekranin televiziv do të transmetohet pas disa muajsh. 


Sa e gjejnë shqiptarët e atjeshem veten e tyre në ekranin e "Pasqyra Shqiptare"? 


Sondazhet empirike që bëj herë pas here, si dhe komentet gojore dhe e-mailet që marr, flasin se shqiptarët janë të kënaqur me emisionin. Ne jemi një komunitet i larmishëm si nga origjina, po ashtu edhe nga shkalla e edukimit dhe kulturës, kohës dhe rrethanave të mbërritjes në Kanada. Larmia është sfidë për producentin. Duhet t’i kënaqësh të gjithë; në mos t’i kënaqësh, të paktën të mos i largosh nga ekrani. Kjo më ka bërë shumë të kujdesshëm dhe në fillim më ka shtyrë të përqëndrohem më shumë te gjërat që na bashkojnë: kultura, arti dhe tema e mërgimit. Për sa i përket ndihmës, ajo nuk mungon, ndonëse jo detyrimisht në formën e saj universale; parasë. Shumë njerëz ofrojnë ndihmën e tyre si vullnetarë, të tjerë me sugjerime, por ndihma më e madhe është kur ulen çdo të shtunë në orën 2 pasdite, para ekranit tonë. 


Për ta mbyllur këtë intervistë; si e shihni të ardhmen e televizionit tuaj, ku synoni të arrini? 


Për fat të keq nuk jam një planifikues afatgjatë. Ndjehem shumë mirë kështu si jam. Jam njeri që kënaqem me pak. Dëshiroj të ruhet kjo "status quo", pra të vazhdoj të prodhoj emisione dhe dokumentarë, pa harruar detyrimet ndaj familjes. Por, sigurisht, surprizave të këndshme, do të di t’ua hap derën. 


Ju faleminderit! Ishte kënaqësi që zhvilluam këtë bisedë sëbashku dhe ju uroj suksese e mbarësi në aktivitetin tuaj. 


Unë ju falenderoj për mundësinë që më krijuat të shprehem për gazetën tuaj e të komunikoj kësisoj me publikun shqiptar.


...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›