E Shtunë, 31 Tetor 2026

Shkodër, vrasja e 41- vjecarit aksidentale. Në kërkim autorët

Sipas policisë vrasja e 41 vjecarit kishte ndodhur aksidentalisht, pasi në objektiv të dy vëllezërit nga fshati Mjedë kishte qenë një tjetër shtetas. Policia identifikon autorët dhe i shpall në kërkim. 

SHKODER- Policia e qarkut të Shkodrës thotë se ka identifikuar dhe ka shpallur në kërkim autorët e vrasjes së ndodhur mbrëmë vonë në qendër të qytetit të Shkodrës. Në shënjestër të forcave blu të dyshuar si autorë të krimit janë vëllezërit Ilir dhe Basri Baba.

Sipas të dhënave nga policia objektivi i vrasjes së dy vëllezërve nuk ka qenë 41 vjecari Nadir Cuku, por një tjetër shtetas, të cilën policia e ka identifikuar me N. Harusha.

” Si rezultat i një pune të mirëorganizuar nga Sektori i Krimeve të Rënda në Drejtorinë e Policisë Qarku Shkodër, është bërë e mundur dokumentimi i plotë ligjore i ngjarjes dhe identifikimi i autorëve të krimit, nga ku rezultoi se ngjarja ka ndodhur si pasojë e një konflikti ndërmjet shtetasve Ilir e Basri Baba me shtetasin N. Harusha dhe gjatë acarimit të këtij konflikti, shtetasit Ilir e Basri Baba, kanë qëlluar me armë zjarri brenda ne lokal mbi shetasin N. Harusha dhe për pasojë ka mbetur i vrarë shtetasi Nadir Çuku”- thuhet në komunikatën për shtyp të policisë së Shkodrës.

Vrasja ndodhi mbrëmë rreth orës 22.00 në afërsi të kompleksit të lokaleve që ndodhen në anë të rrugës "Kol Idromeno". Viktima Nadir Cuku ndërroi jetë në spital.

Nga kqyrja e vendit të ngjarjes jane gjetur dhe sekuestruar në cilësinë e provës materiale 8 gëzhoja model 54 dhe 3 gëzhoja model 56.

Materialet në ngarkim të dy shtetasve Ilir Baba, vjeç 38 dhe Basri Baba, vjeç 30, të dy të lindur e banues në fshatin Mjedë do i kalojnë Prokurorise se Rrethit për veprat penale të “Vrasje me paramendim e mbetur në tentativë, e kryer në bashkëpunim”, “Vrasje me dashje e kryer në bashkepunim” dhe “Armbajtje pa leje”.
(s.g/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›