Editorial i atë Federiko Lombardit: “Ta ndërtojmë të ardhmen mbi bazën e besimit”
“Besimi i vërtetë tek njeriu, sidomos besimi tek më të varfërit, do të jetë prova se ekziston dëshira për të dalë nga kriza, pa përjashtime, dhe se do të shmanget me vendosmëri përsëritja e situatave të ngjashme me ato që na takon të jetojmë sot”. Kështu i shkroi Papa kryeministrit anglez Gordon Braun, në prag të mbledhjes së G20-ës në Londër, e cila sapo përfundoi. Pas kthimit nga Afrika, Benedikti XVI mban para sysh e në zemër problemet dramatike dhe varfërinë e atij kontinenti, por edhe vullnetin për të jetuar e shpresën e shëlbimit të banorëve të tij. Papa paralajmëron të pasurit se nuk duhet e nuk mund ta ndërtojnë të ardhmen, pa marrë parasysh të varfërit.
Por, gjëja më themelore është të gjendet baza, nga e cila të fillohet ndërtimi i një rendi botëror të drejtë, solidar dhe të qëndrueshëm. “E vetmja bazë e vërtetë dhe e qëndrueshme është besimi tek njeriu”, shkruan Papa. Pra, jo më një besim i verbër tek financa, tregtia apo tek sistemet e prodhimit, pa asnjë mbështetje etike, por një ekonomi që bart në vetvete vetëdijen për dinjitetin e të gjithë njerëzve dhe përgjegjësinë për t’i shërbyer zhvillimit të përgjithshëm. Të gjithë duam të dalim nga kriza aktuale, por është e kotë të mendojmë se mund të dalim, duke lënë mënjanë ata që e vuajnë më shumë e që sot nuk kanë zë, por që mund të japin shumë për të ardhmen e familjes njerëzore. Të luftojmë për të zhdukur varfërinë e skajshme e kështu, të çlirojmë pasurinë e vërtetë të botës: krijesat e Zotit, bërë në shembëlltyrë me Të. Kjo është përparësia më e denjë për t’u ndjekur nga ata që vendosin sot fatet e kësaj bote.