E Diel, 1 Nëntor 2026

Shtypi amerikan: Shqiptarët përfitues dhe kontribuues të paqes

Shtypi dhe mediat elektronike në Amerikë, pastaj shqiptaro-amerikanët dhe ligjvënës mbështetës të lirisë dhe paqes në rajonin e Ballkanit, e kanë mbështetur hyrjen e Shqipërisë në strukturat ushtarake perëndimore duke e vlerësuar këtë si një garanci tjetër për paqen dhe një hap më afër drejt Bashkimit Evropian. E përditshmja e Bostonit “The Christian Science Monitor” shkruan se anëtarësimi i plotë i Shqipërisë dhe Kroacisë në NATO, që zyrtarisht ndodhi në Washington të mërkurën, më 1 prill dhe për të cilën u mor pëlqimi në Samitin e Bukureshtit më 2008, e sjell Ballkanin më afër idesë së Evropës pa kufij, dhe më larg nga luftërat brutale të viteve’90. Gazeta më tej shkruan se në rajonin e Ballkanit hyrja në NATO shihet edhe si një hapje e derës drejt integrimit evropian. Edhe shqiptaro-amerikanët e kanë përshëndetur hyrjen e Shqipërisë në NATO, duke e konsideruar këtë njërën ndër arritjet më të mëdha të këtij brezi të spektrit politik shqiptar, si një hap që jo vetëm se do të garantojë të ardhmen e Shqipërisë edhe në proceset politike integruese në kontinent, por si një garanci për paqe në rajon dhe për të gjithë shqiptarët në Ballkan. Me hyrjen në këtë strukturë perëndimore shqiptarët jo vetëm që do të jenë përfitues të sigurisë dhe paqes, por prej tash edhe kontribuues të drejtpërdrejt të paqes rajonale dhe botërore. Hyrjen e Shqipërisë e ka përshëndetur edhe kongresisti Eliot Engel, njëri ndër mbështetësit më të fuqishëm të lirisë dhe pavarësisë së Kosovës në Kongresin Amerikan, por edhe i integrimeve shqiptare në strukturat euro-atlantike. “Është një ditë e madhe për shqiptarët kudo qofshin dhe një tjetër hap përpara për sigurinë në Evropë”, thuhej në kumtesën e dhënë nga zyra e kongresistit Engel.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›