E Diel, 1 Nëntor 2026

Nga “Skënderbej” tek “Nënë Tereza”, 200 mijë festues për Shqipërinë në NATO

Mbërrin në Shqipëri mes një pritjeje entuziaste delegacioni shqiptar që mori pjesë në Samitin e Aleancës së Atlantikut Verior. Përshëndetje të zjarrta nga shqiptarët e të gjitha trevave. Kryeministri Sali Berisha e cilëson anëtarësimin si shpërblimin e mundit dhe reformave të qeverisë. Gati nisja e projektit të dytë madhor, anëtarësimit të shpejtë në Bashkimin Evropian TIRANE – Atmosfera festive që prej ditësh ishte prezente në Tiranë ka kulmuar dje në ditën e parë të Shqipërisë në NATO. Për rastësi, apo për zgjedhje të organizatorëve të saj, fillimi dhe vazhdimi i festës së djeshme kishte një simbolikë, kur ndërsa ajo filloi në Aeroportin Ndërkombëtar të Shqipërisë me një emër të madh për shqiptarët, “Nënë Tereza”, u zhvendos, po aq në mënyrën më të merituar nga sheshi me të njëjtën emër të Tiranës, në sheshin me një tjetër emër të madh për shqiptarët, “Skënderbej”. Atmosfera dhe jehona festive vazhdoi përgjatë gjithë ditës së djeshme në Tiranë, deri në orët e vona të natës së kaluar, këtë herë midis shesheve “Nënë Tereza” dhe “Skënderbej”. Sipari i festës te “Nënë Tereza” Sipari i ditës së djeshme festive, jo më larg se 24 orë pas pranimit zyrtar të Shqipërisë në NATO, kësaj dite që sikurse e ka thënë Kryeministri Berisha, është më e rëndësishmja që pas shpalljes së Pavarësisë, është ngritur në Aeroportin e Rinasit “Nënë Tereza”, kur rreth mesditës mbërriti delegacioni i lartë zyrtar që mori pjesë në Samitin e NATO-s në Strasburg-Kehl, NATO-s. Me flamuj kombëtarë dhe ata të NATO-s, si edhe më pankarta në duar, banorë të shumtë të kryeqytetit dhe të zonave rreth Aeroportit, ushtarakë, studentë dhe nxënës të moshave të ndryshme, pritën dhe përshëndetën mes entuziazmit, ardhjen e delegacionit zyrtar shqiptar. Për të pritur delegacionin kishin dalë dje në Aeroportin “Nënë Tereza”, të Rinasit edhe deputetë të Kuvendit, anëtarë të kabinetit qeveritar, të trupit diplomatik. Vajza të reja, nxënëse shkolle, të veshura me kostume popullore iu dhuruan anëtarëve të delegacionit buqeta me lule, ndërsa banda frymore e Ushtrisë ekzekutoi Himnin Kombëtar, kur delegacioni kaloi në tapetin e kuq të pistës së aeroportit. Pas mbërritjes në pistën e Aeroportit, krerët më të lartë të shtetit, Presidenti Bamir Topi dhe Kryeministri Sali Berisha, e vlerësuan këtë ngjarje si një vlerësim i të gjithë reformave institucionale dhe politike në vend, të cilat mundësuan që anëtarët e NATO-s, unanimisht të ratifikonin Protokollin e anëtarësimit, duke  u bërë anëtar me të drejta të plota. Krerët më të lartë të shtetit falënderuan midis të tjerave edhe popullin dhe institucioneve shqiptare, si dhe Forcat e Armatosura të Shqipërisë për vullnetin e shprehur për hyrjen në NATO. Sipas Kryeministrit Berisha, anëtarësimi në NATO ishte shpërblimi i mundit dhe punës së të gjithë shqiptarëve dhe fryt i reformave të qeverisë, luftës kundër krimit dhe korrupsionit. Me këtë rast, Kryeministri shprehu mirënjohjen më të thellë ndaj të gjithë shqiptarëve të cilët, nga vitet '90 e deri më sot, kontribuuan në konsolidimin e lirisë e vlerave të saj me reforma të thella e të shumanshme. Dekori festiv vazhdonte dhe shoqëronte për gjatë gjithë rrugës nga Rinasi në Tiranë, delegacionin shqiptar. Mes atmosferës entuziaste, delegacioni shqiptar, u ndal  gjatë rrugës për në Tiranë, në një fushë përgjatë autostradës, ku qindra nxënës të shkollave  ngritën balona me flamuj kombëtarë dhe ato të NATO-s. Kryeministri Berisha u takua përzemërsisht me ta dhe tha se, “kam dëshirë të përqafoi të gjithë fëmijët e Shqipërisë, në këtë ditë të shënuar dhe të paharruar për krejt kombin tonë”. Në të dy anët e autostradës kishin dalë mijëra banorë për të përshëndetur delegacionin, i cili u ndal në komunën e Kasharit në periferi të Tiranës. Në hyrje të rrugës së Durrësit, e stolisur si për festa të veçanta, kishte gjithashtu një ndalesë tjetër e delegacionit, që u përshëndet nga banorët e shumtë që kishin mbushur të dy anët e rrugës. Krejt rruga hyrëse drejt Kryeqytetit është zbukuruar me flamuj dhe banderola shumëngjyrëshe. Mes një atmosfere të tillë, Kryeministri Sali Berisha është shoqëruar e përshëndetur nga banorë të shumtë të Kryeqytetit, përgjatë gjithë rrugës deri në Kryeministri, kur ai dje hyri për herë të parë në zyrën  e tij si Kryeministri i një vendi anëtar i NATO-s      Festa “ndizet” te “Skënderbej” Pasditen e djeshme, festimet rinisën në sheshin “Nënë Tereza” në Tiranë, për t’u zhvendosur pastaj, në sheshin “Skënderbej”, ku nën kujdesin e Kryeministrit Sali Berisha u organizua një koncert i madh festiv me titullin “Shqipëria në NATO”. Rreth orës 18.30 të mbrëmjes së kaluar, Kryeministri Sali Berisha, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, zonja Liri Berisha, mbërriti në sheshin “Nënë Tereza”. Mes atmosferës festive, Kryeministri u përshëndet me mijëra qytetarë, që ishin mbledhur për të festuar anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Më pas, Kryeministri Berisha ju afrua dhe u njoh me instalacionin tridimensional e vendosur në sheshin “Nënë Tereza”, një vepër artistike, që ka lidhje me NATO-n dhe kombet, e realizuar nga artistja e Akademisë së Arteve, Najada Hamza. Kjo vepër do të jetë simboli i përfaqësimit të ngjarjes politiko-historike të vendit tonë. Përmbajtja e kësaj vepre të titulluar “NATO+N”, përcjell një grup grash shtatzëna, të veshura me flamuj të ndryshëm kombëtar, por me barkun zbuluar. Lidhur me domethënien e kësaj vepre, mësohet se artistja ka dashur të përcjellë mesazhin se “në këtë skulpturë pjesa e barkut mbetet e zhveshur për të treguar se pavarësisht ngjyrave që ne kemi, ardhmëria e kombeve është e njëjtë”. Vepra artistike në formën e instalacionit me përmasa të mëdha, është një nismë e ngjashme me ato të vendeve të tjera të Evropës, në pranimin e tyre në NATO. “Anëtarësimi i Shqipërisë në NATO është krenari për çdo shqiptar”, u shpreh Kryeministri duke përgëzuar artistët që punuan për këtë vepër. Në sheshin “Nënë Tereza”, më pas disa, studentë kosovarë i prezantuan Kryeministrit Berisha një vepër arti në formën e një sfere, që simbolizonte urimin e shqiptarëve të Kosovës për këtë ngjarje të madhe. “Edhe Kosova feston me ju”, u shprehën studentët kosovarë. Nga ana e tij, Kryeministri Berisha vlerësoi simbolikën që përfaqëson kjo vepër arti. Pas takimit me studentët e artistët, Kryeministri Sali Berisha përshkoi në këmbë bulevardin “Dëshmorët e Kombit”, i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Liri Berisha, Kryetarja e Kuvendit, Jozefina Topalli, ministra të kabinetit qeveritar etj si dhe nga disa mijëra qytetarë të Tiranës. Rrugës për në sheshin “Skënderbej”, Kryeministri Sali Berisha përshëndeti një grup fëmijësh në oborrin e Galerisë Kombëtare të Arteve në Tiranë, të cilët kishin hapur një ekspozitë me punime që tregonin përjetimet e tyre për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Kryeministri Berisha, pasi uroi fëmijët për krijimet e ekspozuara, tha se “"me anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, ëndrrat më të bukura të tyre do të shndërrohen në realitet”. Rreth 200 mijë vetë që kishin mbushur dje sheshin “Skënderbej” mes brohoritjeve dhe entuziazmit, pritën mbërritjen e Kryeministrit Berisha dhe bashkëshortes së tij, Kryeparlamentares Topalli, si dhe të ministrave, deputetëve e zyrtarëve të tjerë të lartë të shtetit shqiptar. Në mes të kësaj atmosferë të ndezur dhe festive, Kryeministri Berisha uroi qytetarët për ditën e anëtarësimit të Shqipërisë në NATO, si një ditë e bardhë për ta. “Qytetarë shqiptarë, përfaqësuesit tuaj për herë të parë në historinë e këtij kombi u ulën në tryezë bashkë me aleatët e NATO-s. Për shqiptarët sot është një ditë e gëzuar, dita e madhe e krenarisë kombëtare”, tha midis të tjerave Kryeministri Berisha. Më pas, mitingu madhështor i titulluar “Shqipëria në NATO” që kishte nisur në sheshin “Skënderbej”, me tundjes së flamujve dhe hedhjes së fishekzjarrëve, vazhdoi me një koncert të zgjatur disaorësh ku njëri pas tjetrit u ngjitën në skenë, duke u bërë pjesë e festës dhe përshëndetjeve për këtë ditë të shënuar edhe grupet e këngëtarët “Elita 5”, “UB 40”, “Kthjellu”, “Asgjë sikur dielli”, Aleksandër Gjoka, Jonida Maliqi, Redon Makashi etj., etj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›