Ilir Meta: “Dialog dhe bashkëpunim për integrimin”

Konventë masive e forumit të gruas të LSI-së
“Bashkëpunimi mes palëve është një domosdoshmëri dhe detyrim për shqiptarët, me qëllim realizimin e ëndrrës evropiane”. Kështu u shpreh dje kryetari i LSI-së, Ilir Meta gjatë punimeve të konventës kombëtare të LGI-së. Aleati i demokratëve në qeverisje, Ilir Meta shprehu gatishmërinë e forcës politike që drejton, për të marrë përsipër përgjegjësitë e vendit, siç është realizimi i reformave dhe integrimi evropian. Meta bëri thirrje për përfundimin e reformës zgjedhore, atë parlamentare, heqjen e imunitetit si dhe zgjedhjen e presidentit të Republikës.
Një vëmendje të veçantë Ilir Meta i kushtoi procesit të njohjeve të Kosovës si dhe problemeve të shqiptarëve të Malit të Zi dhe Maqedonisë.
“Ne jemi sot në këtë moment të rëndësishëm për të ardhmen e Shqipërisë. Shqipëria është në drejtimin e duhur por duhet të ecë më shpejt. Shqipëria është sot anëtare e NATO-s dhe askujt nuk i shkonte ndërmend kjo 2 dekada më parë kur Shqipëria ishte Koreja e Veriut”e gjithë Evropës Lindore. Sot ne kemi harruar se përpara 18 muajve që nënat të takoheshin më fëmijët e tyre duhet të rropateshin për muaj dhe vite të tëra ambasadave të huaja ndërsa sot liria e lëvizjes është një realitet, jo vetëm për nënat, për gratë dhe për vajzat e Shqipërisë por për të gjithë qytetarët tanë. Dhe kjo nuk është pak për qytetarët më të izoluar të Europës 22 vite më parë. Ndaj unë besoj se i kemi të gjitha kapacitetet, duke fuqizuar më tej rolin dhe kontributin tuaj, që të përshpejtojmë edhe integrimin evropian të Shqipërisë sepse për ne integrimi evropian i Shqipërisë nuk është një slogan. Jo, integrimi evropian i Shqipërisë është stabiliteti, është siguria, është mirëqenia e familjeve tona dhe e fëmijëve tanë anë e mbanë Shqipërisë. Shqipëria është në NATO dhe shqiptarët lëvizin të lirë në gjithë hapësirën ‘Schengen’ të Evropës së Bashkuar. Shqipëria është njëkohësisht pranë marrjes së statusit të vendit kandidat për në Bashkimin Evropian që do të thotë një hap tjetër i sigurt përpara dhe drejt plotësimit të projektit tonë evropian. Kosova është e pavarur dhe po shkohet në 100 numri i shteteve që e njohin atë. Na duhet pak mirëkuptim dhe fleksibilitet që të mbyllim reformën zgjedhore, që të mbyllim reformën e procedurave parlamentare, që të zgjidhim çështjen e imunitetit për të gjithë politikanët dhe zyrtarët e lartë dhe njëkohësisht që të zgjedhim një president që t’i kontribuojë procesit të integrimit Europian të Shqipërisë. E dimë se shqiptarët në Maqedoni kanë ende probleme, e dimë që shqiptarët në Preshevë kanë ende probleme, e dimë që shqiptarët në Malin e Zi kanë ende kërkesa të parealizuara. Por, të gjitha këto do të realizohen duke mbështetur projektin e integrimit evropian të Shqipërisë dhe gjithë vendeve të tjera të Ballkanit. Asnjëherë shqiptarët nuk kanë qenë më të bashkuar se sot. Askush nuk mund të guxonte të ëndërronte se mund të shkonte 15 vjet më parë për tre orë nga Tirana në Prishtinë. Askush nuk mundej të mendonte se mund të shkonte në Preshevë, se mund të shkonte në Plavë dhe Guci apo të mund të prekte gjithë këto hapësira ku shqiptarët jetojnë dhe ku duhet të jetojnë si europianë të vërtetë”, u shpreh kreu i LSI-së, Meta.
Në apelin e tij për bashkëpunim mes partive politike, e sidomos mes dy partive kryesore në vend, Ilir Meta risolli në vëmendjen takimin e tij me kryeministrin e Zimbabve.
“Nuk mendoj se kjo është ndonjë sakrificë e pamat, kur kujtoj se para një jave në Vjenë në një aktivitet ndërkombëtar takova një figurë të njohur për mua, ndoshta jo shumë për ju, por e njohur edhe në të gjithë botën e cila e ndjek politikën në dinamikën e saj. Takova Morgan Tsvangirai, i cili është sot kryeministri i Zimbabwe dhe që ka qenë për vite të tëra i udhëheqjes i Lëvizjes për Ndryshim, forcës kryesore opozitare në një nga regjimet më çnjerëzore të Afrikës dhe gjithë botës. Sekretari ynë Ndërkombëtar, Ralf Gjoni, më tha, ‘Po ky si ulet me Mugaben çdo javë dhe diskutojnë për të ardhmen e Zimbabwe-s, duke pasur parasysh se sa shumë njerëz janë vrarë, sesa shumë njerëz ka humbur Tsvangirai, gjatë viteve të rënda të opozitës, kur humbi edhe bashkëshorten nënën e gjashtë fëmijëve, kur humbi shumë e shumë përkrahës dhe militantë, ku mund të kishte humbur edhe jetën e tij nga atentatet e panumërta’. Natyrisht që Tsvangirai ulet me Mugaben, i cili ende vazhdon të jetë presidenti i Zimbabwe-s, jo sepse ka harruar të kaluarën, jo sepse ka harruar të vrarët, jo sepse ka harruar manipulimin e zgjedhjeve, por sepse ai e di shumë se në rast se nuk do të ulen, nuk do të bisedojnë se nuk do të bashkëpunojnë akoma më shumë njerëz do të vriten në Zimbabwe, akoma më shumë fëmijë do të mbeten jetimë, akoma më shumë gra do të mbeten të veja. Ndaj ngritja mbi të kaluarën, është një kërkesë imediate e politikanëve kudo. Është një kërkesë imediate edhe për ne politikanët këtu në Shqipëri. Një vend tërësisht evropian, një vend i cili kërkon me një shumicë dërrmuese gati 95 për qind bashkimin dhe anëtarësimin e Shqipërisë në Europën e bashkuar”, tha ai.
Sipas tij, askush nuk duhet t’i kundërvihet kërkesës legjitime për integrim që nuk njeh përkatësi partiake. “Askush nuk duhet t’i kundërvihet kësaj kërkese legjitime, e cila nuk njeh përkatësi partiake. Ndaj Lëvizja Socialiste për Integrim qëndron e qartë e kthjellët dhe e vendosur për t’i kontribuar këtij procesi të rëndësishëm, që është një proces historik por që është edhe një proces tepër njerëzor, është një proces ku duhet të triumfojë toleranca dhe jo arroganca. Është një proces ku duhet të fitojë e nesërmja dhe jo e djeshmja sepse të gjithë presin një të nesërme më të mire dhe në radhë të parë, nënat në të gjithë Shqipërinë, një të nesërme më të mirë për veten e tyre, për prindërit e tyre, për familjen e tyre dhe sidomos për fëmijët e tyre. Në emër të kësaj të nesërme ngrihet edhe platforma juaj dhe e Lëvizjes Socialiste për Integrim për fuqizimin e vajzës, të gruas dhe të nënës shqiptare sepse kjo do të ndihmojë edhe përshpejtimin e integrimit evropian të Shqipërisë”, tha më tej Ilir Meta.
Ndërkohë që referuar zgjedhjeve në këtë forum, Meta deklaroi se, “kjo është një konventë madhështore për fuqizimin e vajzës, gruas dhe nënës shqiptare, pasi kjo lëvizje vjen jo për të mbyllur një kapitull të riorganizimit, por vjen për të hapur fuqishëm kapitullin e fuqizimit të pozitës politike të vajzës dhe gruas shqiptare”.
Meta foli për sfidat e ardhshme sikurse theksoi edhe përfaqësimin e grave në vendimmarrje.
“Nuk mund të ketë një politikë më njerëzore, një politikë që jep zgjidhje, një politikë që ka në qendër të saj hallet dhe problemet e grave, të vajzave, të nënave dhe të gjithë shqiptarëve që kërkojnë më shumë mbrojtje sociale, që kërkojnë të mbrojnë vendet e punës, që kërkojnë të shtohen vendet e reja të punës, që kërkojnë t’i jepet fund diskriminim për sa i takon punësimeve. Ndaj jam i bindur se kjo alternativë që ju paraqisni sot është një alternativë që do të konkretizohet nga dita në ditë sepse sot jam i bindur se nis një etapë e re e fuqizimit të Lëvizjes së Gruas për Integrim, e ridimensjonimit të saj. Ndaj jam plotë optimizëm se në muajt e ardhshëm, se në vitet e ardhshme ne do të jemi një forcë politike model si LSI, edhe në drejtim të barazisë gjinore”, tha ai.