Ilir Meta: Drejtësia fitoi krimin e organizuar, që një vit më parë, më dënoi me vdekje
Për kryetarin e Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta vendimi i Gjykatës së Lartë, për pushimin e çështjes gjyqësore ndaj tij, dëshmoi se shteti triumfoi mbi krimin e organizuar dhe se ky proces, pavarësisht sakrificave, vendosi standarde të reja në politikën dhe drejtësinë shqiptare. Meta tha se maratona gjyqësore nuk ishte një fitore e tij, por një demonstrim i pastër se në këtë vend e drejta dhe e vërteta do të fitojnë gjithmonë mbi mashtrimin, montimin dhe shpifjen.
“Gjykata e Lartë përmes Trupit Gjykues, në mënyrë unanime, bëri të qartë dhe konfirmoi para të gjithë shqiptarëve dhe para të gjithë botës jo thjesht pafajësinë e Ilir Metës por konfirmoi se në këtë vend e drejta do të fitojë gjithmonë mbi padrejtësinë, e vërteta do të fitojë mbi mashtrimin, montimin dhe mbi fabrikimi. Se në këtë vend vlerat morale do të fitojnë mbi poshtërsinë dhe pamoralësinë. Se në këtë vend ligji dhe shteti do të fitojnë mbi krimin e organizuar i cili një vit më parë dënoi me vdekje Ilir Metën dhe Lëvizjen Socialiste për Integrim”, u shpreh Meta.
Mbylljen e çështjes gjyqësore ndaj tij, ish-zëvendëskryeministri Ilir Meta e cilësoi edhe si një standard të ri në politikën shqiptare. Vetë Ilir Meta kërkoi shqyrtimin e çështjes në themel dhe jo kapërcimin e saj me procedura gjyqësore, duke u vendosur kështu në ballë të akuzave të bazuara mbi shpifje dhe montime monstruoze.
Sipas Metës, përgjatë vitit 2011-të, ai dhe familja e tij, u vunë në presione të rrezikshme nga krimi i organizuar.
“Është e vërteta se Ilir Meta, familja e tij por edhe LSI-ja dhe shumë dashamirës gjatë këtij viti kanë pasur jo pak shqetësime, te vendosur në një trysni të organizuar dhe të orkestruar nga krimi i organizuar. Megjithatë kjo ishte një sakrificë që ia vlente pavarësisht nga zvarritjet pafund të këtij procesi. Kjo ishte një sakrificë e Ilir Metës por edhe e të gjithë ju për një standard të ri dhe për një moral të ri në politikën shqiptare për t’u përballur me akuzat, qofshin ato të bazuara mbi shpifje dhe montime monstruoze si qytetar i thjeshtë dhe mbi të gjitha bazuar në vullnetin që për hir të respektit dhe ndjeshmërisë së qytetarëve ndaj problemeve të korrupsionit dhe akuzave që bëhen në këtë drejtim për politikanët, për t’i shkuar deri në fund këtij procesi. Ilir Meta është njeri i ligjit, është njeri i institucioneve, është njeri i shtetit, ka pasur dhe ka gjithmonë besim se ligji do të fitojë mbi padrejtësinë, se shteti do të fitojë mbi krimin e organizuar”, tha Meta.
Kryetari i LSI-së falënderoi përfaqësuesit e tij ligjor, të cilët këmbëngulën në kërkesën drejtuar Gjykatës së Lartë, për trajtimin e çështjes në themel, me qëllim zbardhjen e skemës së mashtrimit.
“Unë dua të falënderoj edhe avokatët e mi dhe të gjithë ata që insistuan për të mos e mbyllur këtë çështje për shkelje ligji dhe procedurash nga Prokuroria e Përgjithshme, por për t’i shkuar në themel dhe për t’i çmontuar përfundimisht akuzat e bëra nga krimi i organizuar ndaj Ilir Metës, i cili përmes këtyre montazheve, përmes këtyre fabrikimeve, kërkonte të merrte peng jo vetëm Ilir Metën, por të merrte peng shumë institucione të tjera. Dhe unë ju jap fjalën juve, ju jap fjalën të gjithë qytetarëve shqiptarë që ne dhe ato hallka të sistemit tonë, të cilat për fat të keq janë marrë peng dhe instrumentalizohen nga krimi i organizuar dhe korrupsioni, do t’i çmontojmë përmes transparencës totale, qoftë ajo dhe fatale për cilindo”, deklaroi më tej ai.