E Diel, 1 Nëntor 2026

Meta-Rama, 5 me 0

17-01-2012 / Nga Artur Bego

Vendimi i djeshëm i Gjykatës së Lartë ka qenë unanim. Ka qenë unanim sepse, kundër padisë-shpifje kanë qenë pesë arsye të mëdha: Përgjimi i paligjshëm; montimazhi i shpifur i video-regjistrimit; shkeljet procedurale të vërejtura gjatë hetimit politik të prokurorisë; rrëzimi i provave të paraqitura prej institucionit të akuzës; si dhe konfirmimi final i gjykatës se “fakti i pretenduar nuk ekziston” 

Ka përfunduar dje edhe saga e çimkës së radhës. Nuk kishte si të përfundonte ndryshe edhe më e funtit lojë-çimkash, sikurse edhe simotrat e saj më të hershme. Në këtë përfundim të radhës, së lojës së radhës, me çimkën e radhës, çimkaxhiut të vetëm, Edi Ramës, nuk i ka mbetur asgjë në dorë..., biles as Dritan Prifti, që e futi në këtë qorrsokak.
Por ama Edi Rama, po të dojë të kuptojë, ka pasur dje mundësinë të mësojë shumë.
Dhe leksionin më të mirë dhe mundësinë më optimale për të mësuar, ia dha, jo aq vendimi unanim i Gjykatës së Lartë “Meta-Rama, 5 me 0”, se sa fakti, se në argumentim të këtij vendimi unanim kanë qenë pesë arsye të mëdha...
* * *
E para.
Përgjimi i paligjshëm.
As parë e as dëgjuar nuk bërë vaki në këtë vend, që në një zyrë shteti vartësi të sajojë skenarë çimkash. Nuk është parë e dëgjuar, as që miku apo shoku të sajojë, skenarë çimkash, ndaj mikut apo shokut. Precedentin e krijoi Dritan Prifti, të cilit nuk ëhstë nevoja “ti bihet më qafë”, pse karakteri i tij i degdisur nën minimumin e pranueshëm, pak i lë mundësi, për të mos thënë aspak, për tu sjellë ndryshe...
Gjithsesi, kjo nuk do të thotë, që “hajt mo se Dritan Prifti është, i falet” dhe pastaj, gjykata të mund ti legjitimojë si provë çdo përgjim të realizuar prej tij, me asetet dhe infrastrukturën e ndonjë televizioni, i cili më herët ka zhurmuar si prova edhe kurva-çimkat, që përdhunshëm i fuste në shtëpi ish-ministrash..., ku vetëm për punë nuk kishin nevojë..., por jo për atë punë...
* * *
E dyta.
Montimi i paligjshëm.
Sa për parantezë...
Vite më parë, përafërsisht në vitet e para të demokracisë, ka qenë një skeç, më duket i Estradës së Tiranës (më ndjeni për ndonjë pasaktësi të mundshme), në të cilin ironizohej Sigurimi i Shtetit, me inskenimet e tij ndaj “armiqve të popullit”. Në këtë skeç “operativi” sajon një përgjim me “armikun”. Pas bisedës së gjatë, në “studion e montazhit”, “operativi” mundi të sajonte një frazë, gjasme të artikuluar nga “armiku”, sipas së cilës (kësaj fraze), “Enver Hoxha është mut-muti”. Kaq u desh, dhe “armiku” përfundoi me të shumtit.
Këtë bëri edhe Dritan Prifti të paktën një vit më parë. Duke menduar, ndoshta edhe besuar, se ende jemi në kohën e “mut-mutit”, e preu dhe e arnoi, me nder përgjimin e tij aq shumë, sa ende deri dje, nuk dihej se ku gjendej origjinali i çimkës më të fundit.
A mund të mendojë e besojë ndokush pas kësaj, që ende të dënohen njerëz sot, me montime të paligjshme të përgjimeve të paligjshme, si në kohën  e “mut-mutit”...?!
* * *
E treta
Shkeljet procedurale.
Zelli i tepruar i Prokurorisë, për më tepër dhënia në dorë e Edi Ramës, pas publikimit të me nder video-përgjimit, të një argumenti më shumë..., për atë që kishte përgatitur të bënte në 21 janarin e vitit që shkoi, e rrëmbeu aq shumë organin e akuzës, sa duke harruar detyrimet e veta kushtetuese, ndërsa raportonte te zyra e kryesocialistit, vepronte qorrazi, sipas porosive të tij.
Këtë bëri edhe pas publikimit të video-përgjimit. Duke harruar që bashkëbiseduesi i Dritan Priftit, ishte deputet, të cilit më parë i duhej hequr imuniteti, pastaj të nisnin hetimet, ajo (Prokuroria) “e zuri nga bishti” punën, duke nisur hetimet ndaj një personi me imunitet.
Sikur të mos mjaftonte kjo..., kur u kujtua se përpos detyrave të Edi Ramës, kishte edhe disa detyrime kushtetuese, Prokuroria paraqiti formalisht kërkesën në Parlament për heqjen e imunitetit të bashkëbiseduesit të Dritan Priftit, duke bërë këtu një gafë të madhe... Duke mashtruar deputetët, për gjasme ekzistencën e një video-përgjimi ligjore, të siguruar gjasme në mënyrë ligjore...
Dhe me këtë ia futi, jo vetëm vetes, por edhe Edi Ramës e Dritan Priftit..., të dyve së bashku..., por edhe veç e veç.
* * *
E katërta.
Rrëzimi i provave të paraqitura.
Gjyqi filloi dhe mbaroi. Dje nga përfundimi i tij, askujt nuk i mbetet në mendje ndonjë provë. Biles..., biles, as Prokurorisë, e cila që në pretencën e saj të dy seancave më parë, as provën kryesore, video-përgjimin, nuk përmendte.
Sikurse rrodhën ngjarje gjatë gjykimit, jo vetëm kjo provë kryesore ra, por edhe dëshmitarët, “në vend që ti vinin vetullat, i nxorën sytë” Dritan Priftit.
Në fakt..., në fakt, nga ai gjyq që përfundoi dje, ka mbetur në provë..., ajo e 70 mijë eurove që Dritan Prifti, ndante me vartësin e tij...
Në qoftë se Prokuroria ka zellin dhe dashamirësinë e aprovuar edhe nga Edi Rama, për të hetuar e dërguar në gjyq edhe këtë video-përgjim të Dritan priftit, të tipit “futja vetes”, atëherë..., (ndoshta) “nesër avazi”...
* * *
E pesta.
Fakti nuk ekziston. 
Për deri sa gjatë gjykimit ranë të gjitha provat, atëherë në përfundim të tij u mësua se edhe fakti nuk ekziston.
Kemi ndoshta një video..., në të cilën shfaqen dy burra që bisedojnë.
Por kemi edhe një vendim gjykate, që ajo video është e paligjshme dhe si e tillë është një provë e paligjshme.
Pra, s’kemi njërin fakt
Kemi ndoshta edhe një përgjim, Në të cilin nuk dëgjohet asgjë, jo me vesh të lirë, por as me ekspertiza ekspertësh të huaj e shqiptarë.
Në fakt aty “dëgjohet” vetëm ajo që ka titruar Dritan Prifti, si në kohën e “mut-mutit”.
Por..., kjo është e pamjaftueshme, të pranohet që ky fakt ekziston.
Në qoftë se fakti ekziston, atëherë ai gjendet “i fshehur” në atë tjetër video-përgjim, që Dritan Prifti dhe vartësi i tij, ndajnë “si dy shokë të mirë” 70 mijë euro.
Prokurorisë nuk i mbetet shumë, veçse “ta gjejë” këtë fakt...

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›