E Diel, 1 Nëntor 2026

Avokatët: Përfundoi komedia, me skenarin e videos u tentua rrëzimi i qeverisë dhe shkrirja e LSI

17-01-2012 / Gazeta 55

Gjykata e Lartë vendos/Ilir Meta shpallet i pafajshëm – akuzat nuk vërtetohen

“Pafajësi për Ilir Metën”.
Gjykata e Lartë dha dje në mesditë vendimin për video-përgjimin “Meta-Prifti”, duke pushuar gjykimin ndaj kësaj çështje dhe duke nxjerrë të pafajshëm, ish-zëvendëskryeministrin, Ilir Meta, pas një procesi që ka zgjatur rreth 6 muaj.
Pesë gjyqtarët Ardian Dvorani, Gani Dizdari, Majlinda Andrea, Guxim Zenelaj dhe Ardiana Fullani në unanimitet kanë vendosur për pafajësinë e ish-zëvendëskryeministrit lidhur me akuzën e korrupsionit aktiv. Kolegji Penal në leximin e vendimit tha se fakti nuk provohet që të ketë ekzistuar, prandaj Ilir Meta shpallet i pafajshëm. Nisur nga akuzat e Dritan Priftit ndaj Metës Prokuroria kishte kërkuar dënimin fajtor të ish-zëvendëskryeministrit me 2 vite burg dhe 1 milion lekë gjobë si dhe pagimin e shpenzimeve procedurale. Ndërkohë sipas vendimit të gjykatës së Lartë të dhënë këtë të hënë, shpenzimet e procesit gjyqësor do t’i paguajë shteti shqiptar, rreth 30 milionë lekë të reja, ku përfshihen edhe pagesa për ekspertët (shqiptarë dhe të huaj) që verifikuan video-përgjimin.
Vendimi i Gjykatës së Lartë për video-përgjimin Meta Prifti, është përfundimtar pasi prokuroria nuk mund ta apelojë vendimin e Gjykatës supreme.
Përfaqësuesi i LSI-së Spartak Braho u shpreh për mediat pas dhënies së vendimit se komedia tani mbaroi.
Sipas tij, me skenarin e videos u tentua rrëzimi i qeverisë dhe shkrirja e LSI, ndërsa theksoi se në sajë të hetimeve ka rezultuar që janë paguar njerëz për të realizuar skenarin e videos. Ai thotë gjithashtu se një pjesë e tyre kanë ndikim të madh politik, aq sa kushtetuta u jep të drejtë të formatojnë dhe institucione.
“Janë blerë njerëz për të realizuar këtë skenarë. Një pjesë e këtyre njerëzve riformatojnë edhe institucione Kushtetuese. Dritan Prifti në këtë aferë zë vendin e 3-të ose të 4-ërt, pasi janë të tjerë ata që bëjnë llogaritë. Prokuroria që në fillim u pozicionua mbrapsht. Meta është hetuar fshehurazi, është hetuar gjatë kohës që kishte imunitet. Akuzat ranë njëra pas tjetrës. Nuk ka material filmik Meta-Prifti, ishte rezultati i ekspertit amerikan. Edhe oficerët e policisë gjyqësore, të cilët u morën me ekspertimin e videos, arritën në përfundimin se materiali është i pakuptueshëm dhe konstatuam ndërhyrje. Por, prokuroria vazhdoi me kokëfortësinë e saj”, u shpreh Avokati Spartak Braho.

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›