“Shqipëria, një bukuri mesdhetare që tërheq turistët në mënyrë të pashmangshme”
Gazeta prestigjioze belge “De Standaart”, speciale për rivierën shqiptare
Është një promovim dinjitoz që gazeta më prestigjioze belge “De Standaart” i ka bërë Jugut të Shqipërisë me artikullin “Të përshkruash me biçikletë rivierën shqiptare”.
“Shqipëria është një bukuri mesdhetare që tërheq pashmangshmërisht turizmin. Edhe për çiklistët, Shqipëria nuk është më një vend i panjohur; Të udhëtosh i sigurt në Shqipëri është një realitet. Harrojeni tashmë historinë e mafies së egër”.
Kështu e fillon përshkrimin autori i artikullit mbi Shqipërinë të cilit i janë kushtuar tre faqe në gazetën “De Standaart”. Një panoramë e mrekullueshme që na shoqëron përgjatë gjithë udhëtimin tonë bregdetar; bluja e kthjellët e kristaltë e detit Jon; ajri është i mbushur me aromën e bimësisë së Jugut ullishtet që ndjekin gjëra tjetrën dhe temperature të nxehta.
Edhe pse nuk ka rrugë për biçikleta, edhe pse nuk ka tabela orientuese, të ngasësh biçikletën përgjatë bregdetit shqiptar duket se përcjell një lloj ekzotizmi tek autori i artikullit, pasi ai i përmend këto elemente si pjesë të autenticitetit shqiptar, duke thënë se këto gjëra do ndryshojnë shpejt, pasi Shqipëria do të kthehet në një parajsë turizmi. Në artikull vlerësohet se në Jug nuk ka shumë trafik, natyra është e mrekullueshme dhe njerëzit janë mikpritës.
Artikulli i referohet veçanërisht ambientit të mahnitshëm me gazin e familjeve shqiptare, të fëmijëve, të rinjtë e sjellshëm duke u ndalur edhe në restorante të këndshme; frutat e detit që serviren për pothuajse asnjë lek dhe kafe e shijshme të bërë në mënyrën italiane. Autori i artikullit ka udhëtuar me biçikletë nga Saranda në Llogara.
Ai nuk ka qenë i vetëm në udhëtimin e tij përgjatë Rivierës shqiptare, pasi ai është ndeshur me zviceranë me motor që bënin të njëjtin udhëtim si edhe dy gjermanë që ishin nisur për në Izrael. Artikulli i fton qytetarët belgë dhe holandezë të cilët janë të pasionuar pas biçikletave të vizitojnë Shqipërinë në periudhat prill-maj; shtator dhe tetor duke marrë anije nga Korfuzi, mjete të ndryshme transporti nga Mali i Zi, apo linjë direkte avioni për në Tiranë.
Një sit me informacione të detajuara afishohet në artikull. Mikpritjes së shqiptarëve, autori i kushton një pasazh të veçantë në Borsh, duke folur për çmimet e leverdishme të hoteleve, mirësjelljes dhe bujarisë së shqiptare dhe koncerteve gratis.
Por duke folur për mrekullinë e natyrë shqiptare dhe për këtë udhëtim të kënaqshëm në Shqipëri, në artikull formulohet vetëm një shqetësim që është real: “Të shpresojmë që riviera të mbetet kështu, sepse dëshira për të ndërtuar po arrin maja; ndjehen kudo zhurmat e çekiçit dhe mjeteve të ndërtimit”.
Autori e përfundon shkrimin, duke thënë se me udhëtimin në Shqipëri ka përmbushur kënaqësinë e tij.