Ilir Meta: Institucioni i Presidencës është balanca mes dy krahëve politik
Kreu i LSI-së, Ilir Meta nuk përjashtoi mundësinë që kandidatura e mbështetur nga forca parlamentare e drejtuar prej tij të jetë pikërisht figura e ish-liderist socialist, Fatos Nano.
“Është kënaqësi të jesh në dialog me politikanin Nano. Duhet të vëmë ne dukje faktin se Nano ka dhënë mesazhe konstruktive për politikën, duke shërbyer pozitivisht në momente kritike. Çështja e presidentit është një çështje me rëndësi për integrimin, ndaj dhe kërkohet kërkohet maturi nga politika. Nano president do të ishte një kontribut për politikën”, vlerësoi Meta, gjatë prononcimit të tij për shtyp. “Është kënaqësi për të qenë vazhdimisht në dialog me zotin Nano , një politikan i njohur, i cili siç e dini ka afirmuar edhe vullnetin e tij për të kontribuar si kandidat për president. Në këtë drejtim unë vlerësoj mesazhet e tij konstruktive në radhë të parë për t’i shërbyer një procesi pozitiv dhe shtensionues. Pavarësisht nga diagrama e raporteve të mia me zotin Nano në të kaluarën duhet të vlerësojmë që është një politikan me eksperiencë i cili ka dhënë kontribute për t’i shërbyer shtensionimeve politike në momente serioze. Një politikan që i ka shërbyer formacionit demokratik të pushtetit. Në këtë drejtim për mua mbetet shumë i rëndësishëm angazhimi i tij dhe preokupimi i tij për ti shërbyer procesit të integrimit evropian edhe me këshillat, dhe mesazhet e ditës së djeshme dhe ditës së sotme për mua por edhe për z. Luan Rama. Duheni të kemi parasysh që më e rëndësishmë së sa emri i presidentit është procesi, është klima politike, e cila e theksoj së ka nevoj të detoksikohet çdo ditë sepse jemi në javë vendimtare për vlerësimin për statusin e vendit kandidat, ku duhet të përfundojë reforma zgjedhore brenda këtij muaji, duhet të përfundoj reforma parlamentare, të gjithë duhet të tolerojmë diçka, duhet të miratohet ligji për Gjykatën Administrative edhe natyrisht moment i rëndësishëm, vlerësues për pjekurinë e klasës politike në vend do të jetë edhe zgjedhja e presidentit. Unë do të shpreh vullnetin e LSI-së për të kontribuar në mënyrë konstruktive në gjithë këtë proces”- tha ai.
Z. Meta a është zoti Nano në rrugën e duhur për t’iu përgjigjur procesit dhe standardeve që Ju kërkoni në këtë nisëm të vetë shpallur nga z. Nano?
Unë vlerësoj që në radhë të parë ai shikon këtë kandidim ashtu sikurse është shprehur publikisht, si një kontribut për të këtë proces dhe jo për t’u vënë në funksion të një pale kundër një pale tjetër. Me këtë rast dua të shpreh bindjen time por edhe të Lëvizjes Socialiste për Integrim që institucioni i presidentit nuk duhet konceptuar dhe nuk duhet kuptuar si një llogore e njërës palë kundër palës tjetër, cilado qoftë pala.
Ky është një koncept tepër i dëmshëm që nuk i ndihmon institucionet e pavarura në vend dhe që nuk i jep presidentit atë mundësi, atë dinjitet që roli i tij të jetë pikërisht ai që presin të gjithë, të jetë edhe në këto momente të rëndësishme kur diskutohet për marrjen e statusit të vendit kandidat dhe ku për fat të keq kemi dy vite që kemi humbur një mundësi shumë të rëndësishme për të qenë në një stad më të avancuar me BE-në por edhe në prag të 100-vjetorit të pavarësisë dhe krijimit të shtetit tonë.
E theksoj që ky duhet të jetë një proces që duhet faktorizojë Shqipërinë jo individë të caktuar, jo parti të caktuara, jo palë të caktuara sepse rritja e mëtejshme e stabilitetit të vendit dhe rritja e mëtejshme e imazhit të Shqipërisë si një vend normal, si një vend anëtar i NATO-s, si një vend që përparon drejt Bashkimit Europian e rrit më tej ndikimin pozitiv të Shqipërisë për stabilitetin e rajonit.
z. Meta sot Kryeministri Berisha ka deklaruar se PD-ja do të paraqesë kandidatin e saj për postin e presidentit, cili është komenti juaj?
Ne nuk jemi këtu për të shprehur votën tonë sepse nuk ka nisur ky proces dhe ende është herët dhe do të duhen edhe disa javë. LSI do të paraqesë qëndrimet e saj përmes forumeve të saj, as unë dhe as zoti Rama që është këtu me mua nuk kemi atributet për të folur në këtë drejtim. Ne e dimë shumë qartë se kush do të jetë ky proces, ajo trase që e përshpejton rrugën e Shqipërisë drejt Bashkimit Europian.
A e përjashtoni mundësinë e mbështetjes së kandidaturës së zotit Nano për president për zgjedhjet e ardhshme të presidentit?
Përjashtimi, paragjykimi nuk i takojnë filozofisë së Lëvizjes Socialiste për Integrim. Filozofia jonë është integrimi.