E Shtunë, 31 Tetor 2026

Deklaron Lidhja Demokratike e Kosovës: “Me PD-në dhe Sali Berishën kemi marrëveshje të hershme bashkëpunimi”

Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK) është partia që sfidoi dhe mposhti komunizmin dhe ka marrëveshje bashkëpunimi të hershme me Partinë Demokratike (PD) të Shqipërisë, deklaroi dje sekretari i përgjithshëm i LDK-së, Ramë Manaj në një konferencë shtypi, ku njoftoi edhe për vizitën e delegacionit të kësaj partie në Tiranë dhe pritjen te kryeministri dhe njëkohësisht kryetari i PD-së, Sali Berisha. “LDK është partia, e cila ishte e para në këto hapësira që sfidoi dhe mposhti komunizmin, hapi skenën e pluralizmit partiak. Ajo tashmë ka identitetin e saj të plotë dhe të qartë si parti e qendrës së djathtë, e cila promovoi dhe udhëhoqi proceset drejt lirisë, demokracisë dhe pavarësisë së vendit”, u shpreh Manaj. Kjo parti, shtoi ai, mbetet e hapur për bashkëpunim ndërpartiak me të gjitha partitë që e kanë zhvilluar frymën e demokratizimit të shoqërisë dhe të politikës, si edhe të zhvillimit e progresit të vendit. “Në këtë kontekst, ajo ka pasur dhe ka bashkëpunim edhe me Partinë Demokratike të Shqipërisë, të udhëhequr nga Dr. Sali Berisha, njëkohësisht Kryeministër i Shqipërisë”, theksoi ai. “Para dy ditësh, një delegacion i LDK-së ishte në vizitë në Tiranë, ku jemi pritur nga kryetari i PD-së, zoti Berisha. Ishte një takim i ngrohtë dhe i përzemërt, ku u parashtruan çështje të intensifikimit të bashkëpunimit mes LDK-së dhe PD-së”, bëri të ditur Manaj, i cili është edhe zëvendëskryeministër i Kosovës. Ai shtoi se “në LDK vazhdojnë aktivitetet, vazhdojnë punët e reformimit të partisë dhe, njëkohësisht, edhe përgatitjet për zgjedhjet e 15 nëntorit 2009”. Ky është një proces, është një perceptim jo vetëm ideologjik. Secila parti ka një histori të saj, ka një identitet historik e aktual, mbi bazën programore, të vizionit dhe të veprimit”, tha më tej Manaj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›