E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Meta: “LSI-ja nuk vendos kushte për postet ministrore”



Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta, është shprehur dje për mediat se nuk do t’i vendosë kushte PD-së as për numrin e dikastereve ministrore, as për fushën që ato mbulojnë. Pas një heshtjeje të gjatë Meta ka zbardhur synimet e LSI-së në kabinetin e ri qeveritar. Kreu i LSI-së ka bërë të ditur se është ende në pritje të ftesës së Berishës për të nisur negociatat. Sipas Metës, më i rëndësishëm se postet ministrore është suksesi i koalicionit dhe integrimi i vendit. Sipas tij, synimi i LSI-së është ndërmarrja e reformave sociale dhe ekonomike në vend. “Ne nuk kemi asnjë kusht për asnjë dikaster. As për numra dikasteresh nuk vëmë kushte. Ne duam që të realizojmë, në radhë të parë, një program qeverisës sa më përfaqësues. Për ne ka më shumë rëndësi që Shqipëria të përballojë me një kosto sa më të ulët për qytetarët e saj dhe sidomos ata që janë në një gjendje të vështirë sociale këtë krizë ekonomike që ka prekur shumë vende dhe nuk mund të themi që nuk ka prekur Shqipërinë”, - është shprehur kreu i LSI-së, ndërsa ka shtuar se synimi i bashkëpunimit me PD-së është integrimi i vendit në BE. “Me integrimin e vendit lidhet çdo gjë. Integrimi është një proces që nuk është se ka një fushë ekskluzive. Mendoj se programi është elementi kryesor dhe mendojmë se ai është busulla e orientimit të koalicionit dhe qeverisë së re”, - është shprehur Meta. Kreu i LSI-së është shprehur se partia që ai drejton i ka të gjitha kapacitetet për të qeverisur vendin. “Nuk është e vështirë për të gjetur emra dhe kapacitete për të qeverisur në LSI, por nuk është kjo gjëja më e rëndësishme. Ne kemi pasur një program gjatë fushatës elektorale. Natyrisht, ne nuk presim që ky program të jetë patjetër programi i koalicionit të ri dhe qeverisë së re, sepse në çdo rast duhet të ketë një integrim dhe një harmonizim me prioritetet e PD-së”, - është shprehur Meta. Ai gjithashtu theksoi se LSI-ja është e hapur të bashkëpunojë me Partinë Socialiste për ato gjëra që i përkasin opozitës. “Ne jemi shumë të gatshëm dhe të disponuar për të bashkëpunuar dhe me Partinë Socialiste në drejtim të atyre reformave që kërkojnë dhe bashkëpunimin e opozitës”, - është shprehur Meta. Këto deklarata kreu i LSI-së i bëri pas takimit që zhvilloi dje me zëvendëspresidentin e Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk dhe me ambasadorin e OSBE-së në Shqipëri, Robert Bosh. Në këtë takim Meta ka vënë theksin në nevojën e ndryshimit të Kodit Zgjedhor. “Ne kemi theksuar mundësinë e rishikimit të Kodit në disa drejtime, ku u vunë re disa nga mangësitë e këtyre zgjedhjeve, sidomos në drejtim të administrimit dhe në drejtim të formulave të ndryshme për llogaritjen e mandateve të deputetëve”, - ka bërë të ditur kreu i LSI-së.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›