E Shtunë, 31 Tetor 2026

Edi Rama: “Zgjedhjet e parakohshme, domosdoshmëri për të ruajtur demokracinë”

“Partia Socialiste nuk i shet zgjedhjet e grabitura”

Eljona Ballhysa
Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka ritheksuar synimin e PS-së për zhvillimin e zgjedhjeve të parakohshme. Madje, këtë synim Rama ia bërë të ditur dje gjatë një takimi edhe zëvendëspresidentit të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së, Volfgang Grosruk, si dhe ambasadorit të prezencës së OSBE-së në Tiranë, Robert Bosh. Kreu i PS-së ka theksuar se zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme është domosdoshmëri për të ruajtur demokracinë e cenuar nga zgjedhjet e grabitura të 28 qershorit. Më tej, në takimin me përfaqësuesit e misionit ndërkombëtar të monitorimit të zgjedhjeve, Rama është shprehur se PS-ja nuk mund t’i shesë zgjedhjet e grabitura dhe se nuk do të tërhiqet deri në zbardhjen e plotë të krimit elektoral. Rama gjithashtu është shprehur se Parlamenti i 28 qershorit nuk ka legjitimitet, ndaj dhe është i domosdoshëm zhvillimi i zgjedhjeve të parakohshme.
Qëndrimi
“Pikëpamja jonë është e qartë; ne nuk i shesim zgjedhjet e grabitura të 28 qershorit. Nuk do të tërhiqemi pa e zbardhur deri në fund krimin elektoral të 28 qershorit. Për ne rezultati i zgjedhjeve të 28 qershorit është i papranueshëm dhe i gjithë aksioni ynë politik do të jetë i fokusuar në betejën për të mos lejuar që deformimi i rëndë i 28 qershorit të kthehet në bazë për një ecuri normale të një jete politike, e cila tanimë është e kushtëzuar nga domosdoshmëria për të vënë në vend dinjitetin e votës dhe të votuesve shqiptarë, të cilët nuk e panë rezultatin e votës së tyre të shprehur si funksion i një procesi të lirë dhe të ndershëm nga fillimi deri në fund”, - është shprehur kryetari i Partisë Socialiste. I pyetur për deklaratën e z. Grosruk, i cili dje i cilësoi zgjedhjet e 28 qershorit si më të mirat e mbajtura në Shqipëri, Rama tha se kjo është një deklaratë personale e kreut të Asamblesë Parlamentare të OSBE-së.
Zgjedhjet e parakohshme
Qëndrimi zyrtar i PS-së, sipas Ramës, është pikërisht synimi i zgjedhjeve të parakohshme elektorale. “Pa as më të voglin dyshim ky Parlament ka një legjitimitet të cunguar rëndë dhe qeveria që do të dalë nga ky Parlament ka një mandat që për ne është i pamjaftueshëm për të respektuar vijimësinë normale të saj. Zgjedhjet e parakohshme janë pa as më të voglin dyshim një objektiv që buron jo nga një nevojë për të ndryshuar pushtetin nga duart e një partie në duart e një partie tjetër, por nga një domosdoshmëri jetike për demokracinë në vend, për rivendosjen e asaj baze pa të cilën nuk ka jetë demokratike dhe politike normale”, - është shprehur Rama. Sipas tij, nuk ka shanse që të ketë bashkëpunim dhe konsensus midis PD-së dhe PS-së gjatë viteve të ardhshme. “Nuk ka bashkërendim dhe bashkëpunim mes palëve politike, nuk ka dialog dhe nuk ka shanse për të realizuar ato konsensuse që i duhen një shoqërie demokratike dhe një vendi që ka gjithë këto sfida dhe objektiva, siç është vendi ynë. Për këtë arsye, ne jemi absolutisht të bindur se misioni ynë sot si opozitë është në radhë të parë të mbrojmë demokracinë e kërcënuar. E kërcënuar për të gjithë ata që sot pas zgjedhjeve janë vënë në shënjestrën e pushtetit, si sipërmarrës, media, qytetarë, që për shkak të bindjeve të tyre dhe për shkak të qëndrimeve të tyre gjatë fushatës dhe më 28 qershor, goditen sot, por edhe ato familje shqiptare, pavarësisht bindjeve të tyre, që sot po e shohin qartë dhe do ta shohin edhe do ta ndiejnë përditë e më qartë se kjo krizë e gjithanshme është në fund të fundit një krizë që ndikon drejtpërdrejt edhe në cilësinë e jetës së tyre”, - ka argumentuar kreu i PS-së.

22 Gusht 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›