Koshi shqiptar “tremb” Qipron
Kombëtarja e basketbollit për meshkuj do të luajë të shtunën, më 22 gusht me Qipron në Nikosia, ndeshja gjashtë e kuqezinjve të drejtuar nga trajneri Roland Avrami në eliminatoret e Kampionatit Europian 2009, grupi B i divizionit “B”. Trajneri i Qipros, Kristos Stiliniadis, duke folur për faqen qipriote, politisport.com.cy, tha se “Shqipëria është një skuadër që nuk kalohet lehtë, pasi vetëm pak ditë më parë ka fituar me Zvicrën”. Në fakt, në takimin e parë të zhvilluar në Tiranë, Shqipëria fitoi me Qipron me rezultatin 69-63 (periodat u ndanë: 18-14, 14-14, 22-18, 15-17). Kombëtarja jonë, që fitoi së fundi me Zvicrën 76-73, pas pesë takimesh ndodhet në vendin e fundit, me 2 fitore e 3 humbje, duke grumbulluar shtatë pikë. Në këtë takim, pikëshënuesi më i mirë për Shqipërinë ishte Franko Bushati (24, 4 gjuajtje të sakta për 3 pikë), i cili së fundi nënshkroi një kontratë me Prima Verolin në Legadue në Itali. Shqipëria ka humbur me Zvicrën (takimin e parë), Bjellorusinë dhe Rumaninë, teksa me këto dy të fundit do të përballet në ndeshjet e kthimit, respektivisht, më 26 dhe 29 gusht. Skuadra qipriote humbi të mërkurën me Zvicrën me rezultatin e ngushtë 55-54, Garsia me 13 pikë ishte dhe lojtari më i mirë i qipriotëve. Grupi ynë kryesohet nga Bjellorusia, që i ka fituar të pesë takimet e zhvilluara, i fundit ishte ai me Rumaninë (78-70) në transfertë.
Hysenagolli, lideri i ribaundëve
Basketbollisti i Kombëtares shqiptare, Endrit Hysenagolli është lojtari që kryeson renditjen specifike të topave të kapur (apo ribaunde) në tabelën e kundërshtarit, midis 15 skuadrave kombëtare që marrin pjesë në Divizioni B të Kampionatit Europian 2009, finalet e të cilit do të zhvillohen në Poloni. Gjiganti 2.04 m, 21 vjeç, ka një mesatare prej 12.4 ribaundësh. Pas tij vjen holandezi Francisko Elson (2.12 m), 10.5 ribaunde e midis tre më të mirëve është edhe gjeorgjiani Viktor Sanikidze (2.03 m) me 10.3 ribaunde.
NDESHJET E FUNDIT
SHQIPËRIA
Kombëtarja jonë fitoi të shtunën e kaluar me Zvicrën 76-73. Në takimin e parë kishim humbur 91-79.
QIPRO
Skuadra qipriote humbi të mërkurën me Zvicrën vetëm me një pikë, me rezultatin e ngushtë 55-54.
DIVIZIONI B / GRUPI B
RENDITJA
Ekipi F H P
1. Bjellorusia 5 0 10
2. Zvicra 3 3 9
3. Rumania 2 4 8
4. Qipro 2 4 8
5. Shqipëria 2 3 7
NDESHJET E SHQIPËRISË
TË ZHVILLUARA
Zvicër-Shqipëri 91-79
Shqipëri-Qipro 66-63
Bjellorusi-Shqipëri 92-46
Shqipëri-Rumani 66-80
Shqipëri-Zvicër 76-73
PËR TU ZHVILLUAR
22.08.2009
Qipro-Shqipëri 19:30
26.08.2009
Shqipëri-Bjellorusi 20:00
29.08.2009
Rumani-Shqipëri 18:00
Legjionari i basketit, Vorfa bën emër në Itali
Basketbollisti Real Vorfa, vlerësohet si nga blerjet më të mira të skuadrës italiane G.S. Gessi Borgosesia Basket, që militon në Serinë C, rajonin e Piemontes. Shkodrani 24-vjeçar, 201 cm, ka luajtur fillimisht në Itali në sezonin 2005-2006, ku luajti dy vjet me Treçaten, për të kaluar vitin e kaluar me Verbanian. Shqiptari konsiderohet si shumë i zoti në përballjet një kundër një përballë koshit, ku edhe dallohet falë kondicionit fizik. Vorfa është një gjuajtës i mirë për tri pikë dhe veprues i shkëlqyer në fazën sulmuese. Në të gjitha sezonet që ka luajtur në Itali ka pasur një mesatar prej më shumë se 20 pikësh në ndeshje.
21 Gusht 2009