E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta: “Raporti i OSBE/ODIHR-it është më pozitivi për zgjedhjet në Shqipëri”



Kryetari i Partisë Lëvizja Socialiste për Integrim, Ilir Meta, e vlerësoi raportin e OSBE/ODIHR-it për zgjedhjet e 28 qershorit si raportin më pozitiv të bërë ndonjëherë për zgjedhjet në Shqipëri. Sipas Metës, raporti është realist dhe shumë konstruktiv. Gjatë një konference për shtyp, Meta, gjatë fjalës së tij, përshëndeti organizatat ndërkombëtare që monitoruan procesin zgjedhor në Shqipëri. Ai u shpreh se të gjitha vërejtjet dhe rekomandimet e paraqitura në raport do të përbëjnë dhe bazën e reformës së ardhshme elektorale në vend. Sipas Metës, konkluzionet që këto zgjedhje ishin një progres i prekshëm përbëjnë thelbin e këtij raporti, i cili përfundimisht e largon Shqipërinë nga ai pozicion problematik që ka pasur për zgjedhjet deri tani. Kryetari i LSI-së, njëkohësisht ministri i ardhshëm i Punëve të Jashtme, ka shprehur bindjen se të gjitha forcat politike duhet të bashkëpunojnë në mënyrë që zgjedhjet e ardhshme në vendin tonë të jenë zgjedhje me standarde të larta demokratike. Meta gjithashtu garantoi se LSI-ja do të bëjë të gjitha përpjekjet për një reformë të re elektorale në vend, ndërsa e akuzoi Ramën si përgjegjës për infrastrukturën zgjedhore. Ai tha se raporti nuk përmban elemente që justifikojnë bojkotin e Parlamentit nga PS-ja. “Nuk ka asnjë arsye serioze për të justifikuar bojkotin, përveç problemeve të brendshme në PS. Ashtu sikurse unë dua të përshëndes dhe deklarimin e kryeministrit Berisha që reforma e ardhshme elektorale, pra për të përmirësuar gjithçka që nuk shkoi mirë në këto zgjedhje, t’i lihet në dorë sërish PS-së, si partia e vetme sot në opozitë në Parlament. Ndaj do të thosha që kjo është një ftesë shumë konstruktive për bashkëpunim dhe për respektim, por është dhe një mundësi për Partinë Socialiste të përmirësojë ato gabime që bëri dhe me Kodin, që kushtëzoi partitë e tjera që të mos ishin pjesë e administrimit të zgjedhjeve”, - është shprehur Meta, i cili shprehu bindjen se raporti është një hap pozitiv për procesin e liberalizimit të vizave për shqiptarët.

16 Shtator 2009

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›