Ilir Meta: “Rruga e vetme” është e atyre që do ngelin vetëm në 8 maj

Kryetari i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ilir Meta i shoqëruar nga ministri i Brendshëm , z. Bujar Nishani, ka prezantuar dje kandidaten e koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kreun e Komunës Ndroq, Fatime Goga. Duke theksuar se vota për kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”, është një votë për qytetarët, për vënien në jetë të projekteve të tyre, Meta ka ftuar të gjithë banorët të votojnë Gogën më 8maj. “Do të jetë një progres shumë i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë, sepse mesazhi i “Aleancës për Qytetarin” ka qenë dhe mbetet shumë i qartë, këto janë zgjedhje në të mirën e komunitetit, nuk janë zgjedhje në të mirën e karrierës së politikanëve të caktuar, ndaj e gjithë fushata e kandidatëve tanë është bazuar mbi projektet që përmirësojnë jetën e çdo komuniteti dhe jo mbi gjuhën e konfliktit politik”, ka theksuar kreu i LSI gjatë fjalës së tij. Duke shtuar se vota për Fatime Gogën do të jetë një votë për progresin e komunitetit të Ndroqit.
Fjala e kreut të LSI, Ilir Meta
Të dashur motra dhe vëllezër të Komunës së Ndroqit, është një kënaqësi e veçantë dhe për mua që të jem sot këtu së bashku dhe me mikun tim, Bujar Nishanin, një nga drejtuesit kryesorë të PD dhe ministër i Brendshëm, të cilin e falënderoj që, pavarësisht nga angazhimet e shumta, erdhi me shumë dëshirë këtu, pikërisht për të dhënë ato mesazhe shumë mbështetëse për komunitetin tuaj dhe për kryetaren aktuale dhe të ardhshme të Komunës Ndroq. Fitorja është e padiskutueshme jo vetëm në Ndroq, jo vetëm në Tiranë, ku do të jetë fitorja më e thellë që ka ndodhur ndonjëherë, sepse fitorja e Tiranës do të jetë fitorja e qytetarëve ndaj politikës, do të jetë fitorja e gjithëpërfshirjes ndaj konflikti politik vetëm për interesa personale.
Do të jetë një progres shumë i rëndësishëm për të gjithë Shqipërinë, sepse mesazhi i “Aleancës për Qytetarin” ka qenë dhe mbetet shumë i qartë, këto janë zgjedhje në të mirën e komunitetit, nuk janë zgjedhje në të mirën e karrierës së politikanëve të caktuar, ndaj e gjithë fushata e kandidatëve tanë është bazuar mbi projektet që përmirësojnë jetën e çdo komuniteti dhe jo mbi gjuhën e konfliktit politik. Jam i sigurt që këtu në Ndroq, “Aleanca për Qytetarin” do të ketë një fitore të mrekullueshme dhe jam i sigurt se më 8 maj edhe Peza do të bashkohet me Ndroqin, sepse është një popull kaq i mrekullueshëm, që ka jetuar gjithmonë me dinjitet dhe që do të ketë, jam i sigurt, atë përfaqësim që meriton në të ardhmen.
Kjo mbështetje që ju jepni këtij koalicioni, sikurse e tha dhe z. Nishani, është koalicioni më i gjerë, më gjithëpërfshirës, më progresist, i cili si qëllim të tij ka pasur integrimin e Shqipërisë në Evropë, liberalizimin e vizave nga suksesi që arritëm dihet që përfituan të gjithë. Edhe ata që bënë grevë urie kundra heqjes së vizave për të gjithë qytetarët shqiptarë, sepse ky është koalicioni që i përgjigjet misionit të zgjedhjeve të 8 majit, që është pikërisht zgjedhja e njerëzve më të përkushtuar që do të çojnë përpara dhe do të garantojnë suksesin të jetës dhe të komunitetit të tyre, ndaj vota për Fatime Gogën është një votë për progresin e pandalshëm të komunitetit tuaj. Është një votë për të çuar para të gjitha projektet që janë në proces, apo projektet e reja që janë paraqitur prej saj. Ne sot patëm kënaqësinë të gjithë të kishim të pranishëm pikërisht z. Nishani, ministrin e Brendshëm, i cili është dhe ministri përgjegjës për pushtetin vendor dhe jam i sigurt që kjo vëmendje e tij do të vijojë dhe pas 8 majit në mënyrë që të marrin jetë të gjitha ato projekte që e bëjnë jetën tuaj dhe të fëmijëve tuaj të mrekullueshme, akoma më të gëzueshme, më të bukur dhe me të ardhme pikërisht këtu në këtë zonë kaq të bukur, kaq të mrekullueshme, e cila ka një komunitet që meriton gjithçka dhe do të ketë mbështetjen e qeverisë, sepse partneriteti me qeverinë është shumë i rëndësishëm për problemet e qytetarëve.
Bujar Nishani: Qeveria do të mbështetë çdo projekt për Komunën e Ndroqit
Ministri i Brendshëm, Bujar Nishani, gjatë prezantimit të kandidates së koalicionit “Aleanca për Qytetarin” për kryetare në Komunën Ndroq, Fatime Goga, premtoi mbështetjen maksimale të qeverisë për këtë komunitet dhe për projektet që znj. Goga do të paraqesë. Në fjalën e mbajtur në një takim me banorët e kësaj komune, Nishani tha se vota për Fatmir Gogën është vota për zgjidhjen e çdo problemi dhe se ajo e ka treguar veten e saj si një menaxhere e shkëlqyer.
Kemi nevojë për shkolla, kemi nevojë për ura, kemi nevojë për rrugë të asfaltuara, kemi nevojë për kanalizime. Sot shansi për të gjithë banorët e kësaj komune, pa dallim bindjeje politike për t’i parë të realizuara të gjitha këto dëshira që kanë për t’i parë të realizuar të gjitha ato kërkesa që me të drejtë kanë, dhe kanë për të votuar pikërisht kandidaturën e znj. Goga, si një nga arsyet e mbështetjes kryesore që do t’i vijë nga qeveria qendrore dhe posaçërisht nga Ministria e Brendshme. Mesazhi tjetër që nëse më lejoni t’u adresoja ka të bëjë me ditën e zgjedhjeve. Më datë 8 maj, secili prej jush po jo vetëm ju, të gjithë familjarët tuaj, të gjithë të afërmit tuaj, të gjithë fqinjët tuaj, i gjithë rrethi juaj miqësor, çdo banor i kësaj zone, jo vetëm demokratët dhe anëtarët e LSI-së, por që të gjithë të shkojnë të votojnë, të japin votën për Fatime Gogën, të japin votën për zgjidhjen e problemeve tona, të japin votën për zgjidhjen e problemeve që ka çdo familje, çdo individ, të japin votën për zhvillimin e kësaj zone.