Topalli: Era e fitores fryn në të gjithë Shqipërinë, ne do jemi pjesë e BE-së

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli, ishte sot në komunat e Kavajës, ku shprehu mbështetjen për kandidatët e “Aleancës për Qytetarin”, Eqrem Deliu për kryetar komune në Gosë, Abedin Gjini për kryetar në komunën Lekaj dhe Haki Vezën për kryetar komune në Kryevidh.
Në një entuziazëm të jashtëzakonshëm të banorëve, Kryetarja e Kuvendit tha se kandidatët e Koalicionit “Aleanca për Qytetarin” janë menaxherët efiçentë për begatinë e jetës së banorëve në këto komuna; ata paraqesin modele të suksesshme të Partisë Demokratike dhe projektet e tyre do të jenë në vëmendje të qeverisjes qendrore. Kryetarja e Kuvendit shprehu një mirënjohje të thellë për të gjithë banorët e komunave të Kavajës dhe qytetarëve të saj për besimin e jashtëzakonshëm, që ata i kanë dhënë Partisë Demokratike në këto 20 vjet dhe veçanërisht Kryeministrit Berisha, i cili, siç u shpreh zonja Jozefina Topalli, “çdo votë e konsideron si një borxh për t’ia kthyer qytetarit me investime konkrete në përmirësim të cilësisë se jetës e familjes së tij”. Kryetarja e Kuvendit tha se gjatë këtyre viteve të qeverisjes Berisha janë ndërmarrë reforma të guximshme, falë të cilave Shqipëria arriti të bëhej vend anëtar i NATO-s, shqiptarët të lëvizin pa viza në Evropë dhe Shqipëria të konsiderohet si një model ekonomik i suksesshëm.
“Ne shkojmë në këto zgjedhje me një bilanc më shumë se pozitiv, me një bilanc në të cilin kemi tejkaluar edhe veten tonë. Kemi punuar fort për Shqipërinë dhe qytetarët tanë, kjo falë votës tuaj dhe besimit, që ju i keni dhënë në vite Partisë Demokratike”. Duke iu drejtuar të rinjve që votojnë për herë të parë, Kryetarja e Kuvendit tha se ata kanë fatin të jenë brezi i lirisë dhe i mrekullisë së saj. Ajo shprehu bindjen se, ata do të jenë pjesë e suksesit të fitores së PD, në 8 maj. “Rruga e lirisë është rruga që ju do të lëvizni pa diskutim. Rruga e lirisë dhe e zhvillimit, rruga e lirisë dhe krenarisë, rruga e lirisë dhe e flamurit Shqipëtar është rruga jonë e përbashkët. drejt progresit. Rruga e vetme apo e vetmisë, është vetëm rruga e Edi Ramës, të cilin kësaj rradhe shqiptarët kanë vendosur ta lënë vetëm. Është e mrekullueshme ajo, që unë shoh; Era fryn për qytetarin, era fryn për të vazhduar qeverisjen dhe ëndrën tonë të përbashkët, për ta bërë Shqipërinë pjesë të BE-s”. Kryetarja e Kuvendit ftoi edhe një herë banorët e këtyre zonave që: “8 maji duhet që të jetë një ditë e bukur; në 8 maj duhet që secili të votojë i lirë, si qytetarë evropianë, si shqiptarë me dinjitet”. Kryetarja e Kuvendit ishte gjithashtu në komunën e Thumanës për të shprehur mbështetjen e saj për kandidatin e Aleancës së Qytetarit, Gëzim Keqin për kryetar komune. Ajo tha se “Vota është mrekullia e lirisë, një fuqi e jashtëzakonshme për të vendosur për qeverisjen e vendit, qeverisjen e çdo bashkie, e çdo komune”.