E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mazhoranca, miting madhështor në Korçë; shprehet mbështetja e korçarëve për Partinë Demokratike

05-05-2011 / Gazeta 55

Pas Pogradecit, “Aleanca për Qytetarin” mbyll fushatën elektorale edhe ne Elbasan, Berisha: Tirana dhe Elbasani do bashkohen në 2013-ën


Andrea Mano: Korça do votojë për fituesin


UPDATE- Një entuziazëm i jashtëzakonshëm po përshkon në këto momente qendrën e qytetit të Korçës, ku Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin”, po zhvillojnë mitingun e fundit elektoral, duke mbyllur kështu edhe fushatën për zgjedhjet e 8 majit për këtë qytet. Kandidati i Partisë Demokratike për bashkinë Korçë, Andrea Mano po shpalos programin e tij para të pranishmëve, duke premtuar rikthimin e traditës dhe kulturës korçare. Sipas tij, qytetarët do marrin në dorë fatet e qeverisjes së mirë në 8 maj, për të shpëtuar përfundimisht Korçën nga amortizimi dhe shkelmimi i vlerave kulturore, qytetare e tradicionale. “Ju premtoj se bashkia e Korçës do ketë në qendër të vëmendjes qytetarin dhe vetëm qytetarin. Ju premtoj se do drejtoj me përgjegjëshmëri ashtu siç e duan qytetarët. Do jetë një bashki që do na përkasë të gjithëve. Qyteti është gati për një epokë të re dhe qytetarët do marrin në dorë fatet e qeverisjes së re në datën 8 maj”- u shpreh kandidati Andrea Mano. Ai tha se, fushata e tij ka qenë e pastër, me strategji dhe alternativa për zhvillimin e qytetit. Kandidati demokrat shtoi se entuziazmi dhe motivimi në rrugët e Korçës, e ka ndihmuar atë që ta përmirësojë atë në këtë përballje dhe se si të vërë idetë dhe projektet në shërbim të qytetarëve dhe jo sulmet ndaj kundërshtarit.
“Qyteti i Korçës do marrë një drejtim vizionar. Të gjithë e dimë që qyteti jonë është në gjendje të vështirë, pasi në 47 vitet e fundit jo vetëm që bashkia nuk është kujdesur për të, por ka cenuar bukurinë dhe kulturën e këtij qyteti. Kemi patur një kryetar bashkie që si synim ka patur shkatërrimin e qytetit, ndërtimin e kullave shumë katëshe në qendër të Korçës, s’ka ndërtuar as pazarin e ri. Por, në 8 maj është dita e ndryshimit, ne do vazhdojmë të kemi në konsideratën tonë investimet në pazarin e qytetit të Korçës. Do i rikthejmë këtij qyteti kurorën e gjelbër në krye të qytetit. Kemi patur dhe do kemi në vizionin tonë punësimin e mijëra familjeve. Kemi patur dhe do të kemi në programin tonë ndërtimin e 500 apartamenteve për të zgjidhur përfundimisht problemin e të pastrehëve”- u shpreh kandidati Mano, duke deklaruar se “Korça do votojë për fituesin”. Ai premtoi gjithashtu se investime të tjera do ketë në zhvillimin e sportit, ku veçoi investimet në stadiumin e Korçës, për ta kthyer atë në një stadium të përmasave ndërkombëtare.


Elbasani dhe Tirana do jenë të bashkuar në 2013-ën


Partia Demokratike dhe koalicioni “Aleanca për Qytetarin” mbyllën sot fushatën elektorale në Elbasan dhe Pogradec, përmes mitingjeve madhështore në qendër të qyteteve respektive. Pas Pogradecit, ndalesa e radhës e kryeministrit ishte Elbasani, ku kërkoi votën e qytetarëve për kandidatin e Aleanca për Qytetarin, Durim Hushi.


Pogradec, Berisha: Qyteti i Lasgushit dhe Kutelit do jetë një qytet Evropian


Kreu i mazhorancës dhe njëherazi kryeministri Sali Berisha kërkoi votën e pogradecarëve për kandidatin fitues, Luan Topçiu. Në fjalën e tij kryeministri Berisha ka premtuar se 4 vitet që do të vijnë do të jenë vitet e bumit të jashtëzakonshëm turistik jo vetëm të Pogradecit por të mbarë Shqipërisë. “Ne mblidhemi këtu të vendosur që në çdo skaj të këtij rrethi të ndërtojmë ëndrrën tonë europiane. Ne mblidhemi në këtë shesh të vendosur që 4 vitet që vijnë nga Qafë Thana në Qafë Plloç të kemi një Pogradec me infrastrukturën më moderne”- u shpreh kryeministri. Kreu qeverisë premtoi para qytetarëve pogradecarë se qeveria do të shndërrojë në vlera pasuritë turistike të Pogradecit ndërsa shtoi se Pogradeci do të shndërrohet në kopështin më të bukur të vendit dhe Shqipëria në kopështin më të bukur të Europës. Kryeministri tha se Pogradeci, qyteti i Lasgushit dhe Kutelit, do të jetë qytet Europiana, pasi është një qytet me pasuri të mëdha turistike. Kryeministri risolli në vëmendje edhe një herë arritjet e qeverisë së tij, nga anëtarësimi në NATO, liberalizmin e vizave e po ashtu edhe kthimin e Shqipërisë në destinacion turistik për mbarë botën. Berisha tha se në 4 vitet që vijnë qeveria do të mbështesë çdo projekt të bashkisë. Investimet në infrastrukurë tha kreu i qeverisë do të shkurtojë distancën Tiranë-Pogradec në një orë udhëtim. “8 Maji është një datë e madhe për qytetarët e lirë. Të votojmë për zotin Topciu dhe gjithë kandidatët e “Aleancën për Qytetarët”, ka deklaruar kryeministri. Kreu i qeverisë tha se 8 maji do jetë një ditore fitorje për vlerat demokratike dhe evropiane të Shqipërisë. “8 maji është një datë e madhe për qytetarët e Europës, dita e ngadhënjimit të lirisë dhe të vlerave të Europës, andaj ta nderojmë këtë ditë me votën tonë në mënyrë të qytetëruar, me besimin e madh te integrimi i Shqipërisë në Europë”-theksoi më tej kryeministri Berisha. Sipas kryeministrit, qeveria e drejtuar prej tij do mbështesë cdo projekt që synon të përmirësojë jetën e qytetarëve dhe zhvillimin e qytetit. Në fund, kryeministri e ka cilësuar mitingun e Pogradecit, miting i fitores, për Pogradecin e gjithë Shqipërinë. “Unë ju garantoj ju që 4 vitet që vijnë do të jenë vitet e bumit të jashtëzakonshëm ët Pogradecit por dhe mbarë Shqipërisë. Ne mblidhemi këtu, të vendosur që në çdo skaj të kij rrethi e këtij qyteti, të ndërtojmë ëndrrën tonë evropiane, Pogradecin europian. Shqipërinë Europiane”- tha kryeministri. Nga ana tjetër, kandidati Luan Topçiu premtoi se projektet e programit të tij do të hapin vende të reja pune, se Pogradeci do të jetë qyteti i luleve në çdo hapësirë, se do të ndërtohen banesa sociale për të pastrehët, do të ndërtohen rrugë, ujësjellës e shkolla.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›