E Diel, 1 Nëntor 2026

Ilir Meta apel të vjetërve të PS-së për t’i mundësuar një takim me Edi Ramën

Askush në PS nuk ka mandat për këto lloj negociatash

Duke mos pranuar që të prononcohen publikisht figura të njohura të selisë rozë
e kanë pritur në nënqeshje propozimin më të fundit të kreu të LSI-së

TIRANE - Ilir Meta po luan të gjitha kartat për të bindur Edi Ramën që ta presë atë në një takim para se Kodi i ri Zgjedhor të miratohet në formën e tij përfundimtare e bashkë me të në varësi të plotësimit të kërkesave të Lëvizjes Socialiste për Integrim do të varet edhe fati i bashkëpunimit të mëtejshëm mes këtyre dy forcave apo e kundërta varrosja e çdo shansi për t’u bashkuar para dhe pas zgjedhjeve. Pavarësisht se prej dy javësh as kryesocialisti por asnjë zyrtar i thjeshtë i selisë rozë nuk ka denjuar që të kthejë përgjigje për ftesën publike dhe njëherazi institucionale të Metës më së pari në lidhje me çështjen e reformës zgjedhore, lideri i LSI-së ka shtrirë sërish dorën e bashkëpunimit. Këtë herë ka tentuar që të provokojë ndërgjegjen politike të Edi Ramës përmes evokimit të deklaratave parimore të 3 figurave të njohura të PS-së Dritëro Agolli, Rexhep Mejdani dhe Servet Pëllumbi. “Duke ndjekur me vëmendje disa reagime publike të ditëve të fundit nga disa figura të njohura të së majtës, të cilat janë figura të njohura edhe të Partisë Socialiste, si Prof. Rexhep Meidani, shkrimtari i njohur, Dritëro Agolli apo Prof. Servet Përllumbi sot, të cilët shprehin shqetësimin për situatën brenda opozitës dhe bëjnë apel për bashkëpunim të opozitës dhe në mënyrë të veçantë midis Partisë Socialiste dhe Lëvizjes Socialiste për Integrim, jam sot këtu përpara jush dhe përpara opinionit publik, për të shprehur konsideratat e mia, për shqetësimet dhe preokupimet e tyre, që besoj se janë vërtetë të sinqerta. Prandaj, unë dua të shpreh edhe njëherë tjetër vendosmërinë time, për të qenë i hapur për dialog, për të qenë i hapur për t’u takuar me zotin Rama, sa më shpejt që të jetë e mundur. U kërkoj Mejdanit Agollit dhe Pëllumbit, meqenëse ata janë pjesë e Partisë Socialiste, që të japin kontributin dhe ndikimin e tyre, për t’u realizuar ky bashkëpunim”,  deklaroi Meta.
Në funksion të kësaj përpjekje, LSI ka mandatuar nënkryetarin e kësaj force, Sabit Brokaj, për të hyrë në kontakt me 3 socialistët e njohur dhe për të mundësuar zhvillimin e këtij takimi.
Vetë Brokaj shprehu gatishmërinë e tij për të ndërmarrë këtë hap duke shprehur besimin se edhe Agolli, Mejdani dhe Pëllumbi do t’i mundësohet autorizimi i kryetarit të Partisë Socialiste, “për t’u takuar dhe për të krijuar mundësinë dhe veprimin politik, për të realizuar atë qëllim, atë motiv, të cilin ata e dëshirojnë dhe e shprehin. Ne nuk na bën pesimist pritja relativisht e gjatë e përgjigjes nga kryetari Rama dhe në funksion të kësaj përgjigje, që ne presim të jetë pozitive, unë jam gati të bisedoj, të kontaktoj dhe të angazhohem me tre autoritetet e Partisë Socialiste dhe të së majtës, për të krijuar kushtet, mundësitë, që jo thjesht kjo të mbetet si një dëshirë abstrakte, por të realizohet si një veprim konkret, i cili kuptohet, bëhet i tillë me takimin dhe pas takimit të dy kryetarëve Meta dhe Rama”.
Në datën 6 dhjetor Meta i shkruan një letër kryesocialistit Edi Rama, ku i krahas ftesës publike edhe përmes asaj institucionale e fton këtë të fundit për të negociuar mbi mundësinë e ndryshimit të sia neneve të Kodit të ri Zgjedhor.
“Kodi Zgjedhor, i cili krijon mundësinë e përcaktimit të peshës reale të partive politike nga qytetaret, bën që mundësia e bashkëpunimit të ardhshëm paszgjedhor të vlerësohet me realizëm.  Nesër nuk do të ketë asnjë justifikim dhe asnjë alibi për mosshfrytëzimin e kësaj mundësie të krijuar nga kthimi për rishqyrtim i Kodit. Prandaj, Zoti Kryetar i Partisë Socialiste, do ju kërkoj që të reflektoni mbi këtë mundësi, për t’i dhënë vendit”, shkruante Ilir Meta për Edi Ramën.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›