Ilir Meta do vazhdojë të jetë vasal i Berishës?
Dy parti të vogla qeveritare, PR-ja dhe PDIU-ja, e kritikuan ashpër dje marrëveshjen PD-PS për reformën zgjedhore. Dhe është i kuptueshëm ky reagim, duke patur parasysh se ato nuk do të kenë komisionerë të tyre në qendrat e votimit dhe numërimit. Në zgjedhjet e fundit lokale, si PDIU-ja edhe PR-ja patën pretendime se votat e tyre, në numërim, iu transferuan padrejtësisht LSI-së, partnerit më të madh të PD-së. Për më tepër, moskorrigjimi i sistemit i penalizon ato në përkthimin e votave në mandate. Për shembull, PR-ja mori mbi 30 mijë vota në 2009-ën, por rrezikonte të mos merrte asnjë mandat.
Po LSI-ja çfarë ka thënë rreth marrëveshjes PD-PS për reformën zgjedhore?
Ylli Manjani, Sekretar për Çështjet Zgjedhore në LSI, në një intervistë në Top Channel, e quajti marrëveshjen PD-PS për reformën zgjedhore një lajm të mirë politik për këtë vit, sepse kjo shkon përshtat me plotësimin e njërës prej tre reformave të mbetura për sa i takon marrjes së statusit të vendit kandidat.
Asnjë fjalë, pra, për ato që thuheshin në marrëveshjen LSI-PD të 2009-ës Konkretisht, në atë marrëveshje lexojmë: Koalicioni është i angazhuar për një seri reformash institucionale dhe reformën zgjedhore, në të cilën nuk do të ketë persekutim me ligj apo diskriminim me ligj të faktorëve të rëndësishëm të jetës politike shqiptare, siç ndodhi në këto zgjedhje.
Dhe cili ishte faktori politik që u diskriminua më shumë nga ligji zgjedhor në 2009-ën? LSI-ja, e cila kishte vota mjaftueshme për të marrë 7 mandate kuvendore në rang vendi, por me zor fitoi 4. Për këtë arsye, në marrëveshjen LSI-PD të 2009-ës, të dy partitë zotoheshin për reformimin e Kodit Zgjedhor, me qëllim eliminimin e çdo diskriminimi që cenon barazinë e konkurrimit politik.
Por reformimi i Kodit Zgjedhor, për të cilin është rënë dakord së fundi, nuk eliminon asnjë diskriminim që cenon barazinë e konkurrimit politik. Përse atëherë LSI-ja nuk po e akuzon PD-në për prishjen e marrëveshjes qeverisëse?
Ndoshta Ilir Meta ka vendosur të vazhdojë të mbetet vasal i Berishës, dhe mandatet që në fakt i takojnë, ti marrë falë koalicionit me të dhe jo nëpërmjet konkurrimit politik të barabartë
http://respublica.al/artikuj/2012/07/14/ilir-meta-do-vazhdoje-te-jete-vasal-i-berishes
