Arvizu: I kënaqur për reformën, pasi prek KQZ-në. Statusi, jo thjesht për fasadë
Ambasadori amerikan në Tiranë, i pranishëm gjatë një vizite në Gjirokastër, është shprehur i kënaqur me ndryshimet për reformën zgjedhore, sidomos për shkak se prek KQZ-në.
Ne e kemi mirëpritur marrëveshjen për Reformën Zgjedhore, kjo është qartazi shumë e rëndësishme për vendin. Jam veçanërisht i kënaqur që palët kanë arritur një marrëveshje për Kodin Elektoral. Kjo ka qenë shumë e rëndësishme sepse në thelb të tij ka qenë KQZ-ja dhe duke parë performancën në të shkuarën të KQZ-së, është e qartë që ishte e nevojshme për një mekanizëm të ri që t’i jepte besim njerëzve. Ndaj jam i kënaqur që ka një format të ri për këtë, tha Arvizu.
Lidhur me statusin e vendit kandidat, Arvizu pohoi se ai nuk duhet të jetë vetëm për fasadë.
“Në fakt Shtetet e Bashkuara nuk kanë votë që vendi juaj të marrë statusin e kandidatit në BE, por qartësisht ne mbështesim qëllimin e thënë nga të gjithë drejtuesit e Shqipërisë, që Shqipëria të bëhet pjesë e BE-së. Përsa kohë që këto zhvillime po e lëvizin vendin drejt atij drejtimi, atëherë ne jemi shumë mbështetës për këtë, por unë gjithmonë kam thënë aq sa e admirueshme është që mund të arrihet statusi i kandidatit, për mua është e rëndësishme që këto gjëra të mos bëhen thjesht për të marrë statusin e kandidatit, por se janë të rëndësishme për zhvillimin e vendit, tha ambasadori.
Ndërsa lidhur me heqjen e imunitetit, Arvizu pohoi se ne presim me kënaqësi 6 gushtin, që është dita në të cilën është planifikuar që të ndodhë votimi për heqjen e imunitetit. Mendoj që janë duke qarkulluar versione, drafte të ndryshme. Partia Demokratike ka përgatitur një draft po ashtu edhe Lëvizja Socialiste për Integrim, kështu që qartazi të gjithë duan të bëjnë diçka për heqjen e imunitetit. Dhe mendoj se kjo është jetike e rëndësishme sepse ka gjyqtarë të mirë, ka parlamentarë të mirë po gjithashtu ka edhe hajdut mes tyre kështu që çështja e imuniteteve abuzohet në këtë vend dhe nëse njerëzit do të ishin seriozë për përmirësimin e shtetit ligjor atëherë duhet të ketë një marrëveshje për heqjen e imuniteteve. Bashkësia ndërkombëtare dëshiron të ndihmojë në këtë drejtim. Ne jemi të vendosur ta bëjmë këtë gjë por në fakt aksioni, veprimi i vërtetë, do të qëndrojë, do të mbetet me partitë. Por presim që më 6 gusht do të kalohet diçka, duhet patjetër të miratohet diçka sepse nëse nuk ndodh atëherë ky do të jetë një zhgënjim shumë i madh për Shtetet e Bashkuara prandaj ata duhet ta bëjnë këtë.