E Shtunë, 31 Tetor 2026

Përkujtimi më i mirë i 21 janarit, thirrja e Ramës në Prokurori

21-01-2013 / Gazeta 55

2 vjet pas agresionit ndaj institucionit të kryeministrit, Partia Socialiste s’ka treguar asnjë pendesë dhe s’ka pranuar të bashkëpunojë as me organet e drejtësisë. Duke tentuar të luajë me nekropolitikën, opozita bën thirrje për rishfaqje nëpër sheshe, por përkujtimi më i mirë i 21 janarit do të ishte paraqitja e Edi Ramës në prokurori, që të përgjigjet për rolin e tij publik si frymëzues të sulmit të dhunshëm ndaj institucioneve

Kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama duke iu referuar 2-vjetorit të ngjarjeve të 21 janarit deklaroi  se “ky është një tjetër 21 janar pa drejtësi”.
Po, kështu është. Në fakt, drejtësia duhet të vihet në vend me thirrjen në prokurori të organizatorit të 21 janari dhe sidomos atyre që nxitën “grupin me agjendë tjetër”, siç e pati theksuar ambasadori amerikan në Tiranë, Aleksandër Arvizu. Ishte Partia Socialiste dhe Edi Rama që organizuan demonstratën e dhunshme të 21 janarit të 2011, e cila ndryshonte kategorikisht nga të gjitha protestat paraardhëse, pasi në dukje kërkonin “transparencën e votës” nëpërmjet hapjes së kutive.
Nëse këto protesta para 21 janarit të fundit, të gjitha, pa përjashtim, nuk kishin pasur përleshje flagrante me policisë, rebelimi i 21 janarit ishte i një natyre krejt ndryshe. Kishte të gjitha tiparet e një kryengritjeje me stampë bolshevike, si mësymja kundër ish-kryeministrit social-revolucionar (SR) Kerenski, nga Lenini, 94 vite më parë. Inskenimi i dhunës erdhi jo vetëm si frymëzim për  marrjen e pushtetit, por edhe pse Ramës  i duhej një tjetër kauzë që të zëvendësonte rutinën e hapjes së kutive.
Më 21 janar u gjet kauza e “gjakut”. Gjaku lau duart nga kauza e hapjes së kutisë. Ndonëse larja e duarve nuk lan dot ndërgjegjen e atyre, që i thirrën njerëzit, militantët dhe turmën dhe i braktisën në mëshirë e një grupi me sjellje paramilitare. Prokuroria deri më sot nuk ka hetuar në thellësi e gjithë përfshirje për organizatorët e demonstratës së dhunshme të 21 janarit.
Gjithashtu nuk duhet të harrojmë për asnjë moment se shteti i së drejtës, me një fjalë rendi kushtetues i Republikës së re shqiptare u vendos nën stres goditjesh të dhunshme prej një hordhie barbare të frymëzuar nga premtime dhe përbetime pushteti nga njerëz të opozitës. Nuk duhet harruar për asnjë moment kontributi Gardës Kombëtare që është institucioni përgjegjës për të mbrojtur institucionet kushtetuese dhe zyrtarët më të lartë të shtetit shqiptar, përfshi këtu dhe liderin e opozitës Edi Rama që i quan “garda republikane” për t’i damkosur si pasradanë, si garda republikane e Iranit, kur ata zbatuan vetëm ligjet dhe rregulloret e miratuara të Shtetit Shqiptar. Tejkalimi e shpërpjesëtimi i forcës reaguese është i peshuar nga nenet e ligjit, prandaj ata që kërkojnë “koka turku” mund të reflektojnë mbi dendësinë e dhunës që u ushtrua ndaj forcave të rendit, të mospasjes së një informacioni sekret nga organet e specializuar të shtetit shqiptar, etj. Nuk duhet harruar për asnjë moment se dera e kryeministrisë u shpërthye dhe një makinë e vjedhur kushedi se ku u ndalua nga pengesa e hyrjes së Kryeministrisë dhe turma po bëhej gati të hynte ndërtesë, gardistët mbrojtës të institucionit kushtetues shumë të shqetësuar kanë filluar të qëllojnë në ajër për të trembur turmën, ndërkohë që qëlloheshin me gurë e me mjete të forta nga protestuesit. Këtu pastaj plumbat kanë shkuar në drejtim të objekteve aty afër (pemë, beton, etj) dhe fatkeqësisht pastaj kanë goditur edhe njerëz, siç vërtetoi edhe ekspertiza e fundit e policisë shkencore në Gjykatë.
Po të kishte protestuar në mënyrë civile e paqësore opozita dhe Edi Rama, duke respektuar ligjet e Kushtetutën, po të mos kërkonte pushtetin me dhunë, kjo protestë do shkonte qetë e paqësisht, ashtu si shumë protesta të tjera të PS dhe garda nuk do kishte nevojë të zbatonte rregulloren e të qëllonte në ajër. Kështu që edhe viktima nuk do kishim. Atij që interesonte dhuna, ai është dhe përgjegjësi. Dhe Edi Ramës si përgjegjës kryesor duhet të japë llogari për frymëzimin radikal të turmës. Ky do të ishte përkujtimi më i mirë i 21 janarit ku rendi kushtetues rrezikoi të shkërmoqej nën goditjet e pinjollët të regjimit komunist.

 

...

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›