Ilir Meta sfidon Edi Ramën, në zgjedhjet e vitit 2009, LSI më shumë vota nga PS
LSI shpall fillimin e fushatës zgjedhore për 2009-n
Lideri i LSI-së ritheksoi sërish dje se në qershor të këtij vitit ai do të rivalizojë si koalicionin e djathtë qeverisës të drejtuar nga kryeministri Sali Berisha ashtu edhe koalicionin opozitar të drejtuar nga kryesocialisti Edi Rama.
TIRANE - Lëvizja Socialiste për Integrim ka shpallu dje gjatë mbledhjes së Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie, në mjediset e Hotel “Tirana International”, fillimin e fushatës elektorale për zgjedhjet e pritshme parlamentare në qershor.
Kreu i LSI-së, Ilir Meta, theksoi gjatë fjalës së tij se “detyra jonë si forcë politike, është që të udhëheqim ndryshimin që shqiptarët kërkojnë, duke i dhënë atyre një program konkret qeverisës”, duke kërkuar që Kryesia Qendrore e LSI të kthehet në Shtabin Qendror të fushatës.
Ndërkaq Meta theksoi se deri në muajin mars Këshilli Drejtues duhet të tërheqë mendimin e çdo anëtari të LSI-së për kandidatët për deputetë, sipas zonave, rretheve
dhe qarqeve, me procedura transparente, sipas parimit “një anëtar-një votë”.
“Po kështu, brenda këtij muaji ne do të lançojmë disa nga idetë kryesore të projekt - programit tonë elektoral dhe qeverisës për zgjedhjet e ardhshme, i cili është diskutuar dhe draftuar në një gjendje, e cila tani pret verifikim, ballafaqim me opinionin publik, me komunitetet, me ekspertë të ndryshëm vendas dhe ndërkombëtarë, në mënyrë që brenda pranverës ky të kthehet në një program zyrtar të fushatës elektorale, por dhe të mandatit qeverisës 2009-2013. Punësimi Jetik është platformë dhe strategji konkrete e cila synon t’u japë një përgjigje integrale plagëve më të mëdha ekonomike dhe sociale në vend, siç është varfëria e tejskajshme dhe papunësia e lartë. Praktikisht, kjo platformë përfshin një sërë masash që do të fokusohen në rritjen e ndihmës ekonomike, që do të përfshijë politika qeverisëse dhe instrumente fiskalë e do të fokusohet në 2 dimensione: në strategjinë e përkrahjes sociale për shtresat në nevojë, në të cilën do të prezantohet paketa e ‘bonusit jetik’ si dhe mbi iniciativat fiskale për rritjen e punësimit; të cilat kanë si objektiv përfundimtar reduktimin e varfërisë si dhe rritjen dhe zhvillimin ekonomik të qëndrueshëm”, deklaroi Meta.
Ndërkaq ai kërkoi mandatin nga Komiteti Drejtues Kombëtar për të ndërtuar dhe formalizuar koalicionin fitues të zgjedhjeve të ardhshme, në mënyrë që brenda muajit mars të formalizohet gjithçka që ka të bëjë me koalicionin, por edhe me programin, i cili do të jetë i përbashkët.
“Kam besim të plotë se do të jemi forca e parë politike dhe koalicioni fitues i zgjedhjeve të ardhshme, sepse jemi jo vetëm më të ndershëm në raport me shqiptarët se çdo forcë tjetër politike, jo vetëm se jemi më të drejtë në raport me shqiptarët se çdo forcë politike, jo vetëm se jemi më atdhetarë dhe më kombëtarë në raport me interesat e vendit dhe të kombit, se çdo forcë tjetër politike, por edhe sepse jemi më të aftë se kushdo tjetër”, përfundoi Meta.