Shoqata atdhetare politike “Vatra”: Ndarja me të keqen, kusht i parë për demokracinë
Reagimeve dhe kërkesave të vazhdueshme drejtuar kreut të shtetit Bamir Topi, për të dekretuar ligjin “Për Pastërtinë e Figurës së Zyrtarëve të Lartë”, u është bashkuar edhe shoqata pan shqiptare “Vatra”. Kryetari i saj Agim Karagjozi i kërkon presidentit Topi që të dekretojë sa më shpejt ligjin për “Dosjet”. Ai thekson se ligji i aprovuar nga parlamenti është i domosdoshëm për vendosjen e të drejtës dhe dinjitetit të njeriut shqiptar. “Ndarja e qartë dhe e prerë me të shkuarën diktatoriale komuniste është kusht i parë për zhvillimin e një shoqërie demokratike. Shqipëria në këtë rrugë është e vonuar dhe nuk mund të pritet më gjatë.
Është e dhimbshme dhe e papranueshme sot të shohësh në nivele të larta të jetës politike dhe publike shqiptare - në parlament dhe institucione të rëndësishme shtetërore – individë që kanë lyer duart me krime politike dhe i kanë shërbyer me zell makinës kriminale të diktatorit Hoxha”, tha ai.
Në vijim kreu i shoqatës “Vatra”, theksoi se është cinike të thuhet se ato krime duhet të arkivohen, pa marrë asnjë qëndrim ndaj aktorëve të tyre.
Sipas tij, është e pafalshme që edhe sot, pas 18 vitesh pluralizmi e demokracie, ata individë nuk shprehin asnjë lloj pendese publike, përkundrazi, krenohen me arrogancë.
“T’u kërkohet shqiptarëve të pranojnë si normal këtë realitet është aq absurde sa t’u
kërkohet gjermanëve të Gjermanisë post-hitleriane të pranojnë në krye të shtetit e
institucioneve ish oficerët e gestapos. Asnjë popull me dinjitet nuk do ta pranonte këtë gjendje. As shqiptarët nuk duhet ta pranojnë. Zoti President, me besim të plotë në gjykimin tuaj në plotësimin e kompetencave kushtetuese, veteranët kërkojnë nga ju dekretimin e këtij ligji dhe nga klasa politike shqiptare në tërësi implementimin e tij sa më të shpejtë”, thuhet ndër të tjera në letrën e tij kreu i shoqatës pan shqiptare “Vatra”, Agim Karagjozi.