E Diel, 1 Nëntor 2026

Krijimi i Institutit të studimeve të Krimeve Komuniste në Shqipëri është një moment kujtese historike

Tri ditë më parë, Këshilli i Ministrave mori në shqyrtim ligjin "Për krijimin e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri. Krijimi i një institucioni të tillë është mirëpritur nga ish të përndjekurit politikë. Tomorr Aliko, një përfaqësues i kësaj shtrese, i cili vuajti për vite të tëra në burgjet e komunizmit, pohoi se ky hap i ndërmarrë nga Qeveria Shqipëtare e kthen harresën në kujtesë. Sipas Z. Aliko  Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri, do të jetë një institucion historik. "Dëshira dhe shpresa jonë është që  Instituti i Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri, sikurëse dhe  Ligji i Lutsracionit do të vërë ne vend dinjitetin e shtresës më të përvuajtur të popullit shqiptar asaj të përndjekur",-cilësoi Aliko. Ndërsa Adrian Kati-ish i persekutuar politik dhe Drejtor i Qendrës Shqipëtare të Rehabilitimit të Traumës dhe Torturës, e cila ofron shërbime psiko-sociale për të përndjekurit, shprehet se  këta persona kanë nevojë të kujtohen. Propozimet e Qeverisë, për ngritjen e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri për përcaktimin e datës 20 shkurt si dita e nderimit të viktimave të sistemit komunist, si  dhe propozimi për ngritjen e një obelisku në nderim të këtyre viktimave janë hapa që shpien drejt  rehabilitimin psikologjik, social, moral dhe material të shtresës së ish të përndjekrëve në Shqipëri.  Z. Kati shtoi se është  fakt pozitiv që Shqipëria ka ratifikuar Konventën Ndërkombëtare Kundër Torturës. Ai mendon se duke u bazuar ne këtë konventë dhe në eksperiencën botërore, ish të përndjekurit politik duhet të pajisen me statusin e Viktimës së Torturës, duke përfituar kështu të gjitha benefitet që ky satus sjell. Shqipëria për 45 vjet përjetoi një nga diktaturat më  të dhunëshme. Ky sistem pushkatoi, burgosi e intrernoi dhjetëra mijëra vetë, të cilët edhe sot vuajnë pasojat e persekutimit. Siç u shpreh dhe Kryeministri Sali Berisha, ngritja e Institutit të Studimeve të Krimeve dhe Pasojave të Sistemit Komunist në Shqipëri nuk synon hakmarrjen por ka si qëllim të edukojë dhe ndihmojë shoqërinë në ruajtjen e kujtesës për një nga të këqiat më të mëdha që përjetoi në historinë e saj.

...

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›