Ilir Mustafa humb titullin mesdhetar
Ilir Mustafa ka humbur duelin me Lorenco Kosedu dhe në këtë mënyrë i dorëzoi boksierit italian titullin e kampionit mesdhetar në versionin WBF për peshën super të mesme. Me këtë disfatë, e cila vjen pas dy vjetëve larg ringut, 38-vjeçari nga Kosova ka humbur edhe shansin për të qenë sfidant për titullin europian. Mustafa u paraqit mjaft mirë në duelin e zhvilluar në sheshin "Garibaldi" të qytezës Sarxana: në përfundim të dhjetë raundeve, tre gjyqtarët e sfidës nuk ishin të një mendimi për fituesin. Dy prej tyre i dhanë fitoren italianit Kosedu me rezultatet 96:94 dhe 96:95, ndërsa për të tretin prizrenasi ka qenë fitues 96:94. Në këtë humbje, ndoshta ka ndikuar fakti se Mustafa dukej shumë i qetë, i bindur se fitorja ishte e tija. Ai e ka ndërruar shumë vonë ritmin e goditjeve, duke dominuar dy raundet e fundit, por kjo nuk mjaftoi t‘i jepte fitoren. "Ilir Mustafa nuk arriti të mbronte me sukses titullin në tentativën e parë, megjithatë, ai tregoi se mbetet një boksier që ka pak rivalë për sa u përket aftësive teknike dhe goditjeve precize", shkruante "boxeringweb.it". Kosovari ka marrë vlerësimet maksimale edhe nga mediat e tjera italiane.