E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ilir Shaqiri - Si e josha italianen

 

Anila Mema

Nga femrat është  përherë i lakmueshëm, jo  vetëm se është i pashëm, por më tepër se është i suksesshëm. E megjithatë, balerinit shqiptar, Ilir Shaqirit, iu desh pak punë me femrën me të cilën lidhi jetën. Gjeti një mënyrë origjinale, “Alla Shaqiri” do ta quante vetë, për t’i tërhequr vëmendjen, për ta bërë për vete. Shpesh herë iu desh ta bënte kurioze. Ngacmimet, e thëna në shqip, do ta bënin për vete aktoren e njohur italiane Emanuela Morini, ndonëse prej tyre nuk mund të kuptonte asgjë. Një strategji e menduar rishtas nga artisti i njohur shqiptar, asokohe, kur e pa për herë të parë në spektaklin që organizohej në Milano.  
Janë njohur në vitin 2003, gjatë një spektakli ku merrnin pjesë  të dy, në Milano. Ishte dashuri me shikim të parë shpjegon balerini. Bashkë kanë gjashtë vjet që janë martuar, një dasmë të vogël të organizuar me të afërmit pranë Cineçitasë dhe fryt i kësaj martese është Emily, pesë vjeçare, biondinë, sykaltër, të cilën vështirë ta dallosh se tiparet e kujt mban. Por si ka qenë jeta e Shaqirit përtej brigjeve të Adriatikut, Italisë, vendit që zgjodhi rreth dy dekada më parë për të jetuar? Përtej jetës artistike, që suksesshëm ecën, balerini na rrëfen ca sekrete të vogla rreth bashkëshortes, Emanuelës, vajzës Emilys, nënës, Mukadez Erebara e pse jo, karrierës, Akademisë së tij “E’toile d’Ilir”...

Si jeni njohur me Emanuelën? I kujtoni fillimet tuaja te njohjes? Kur, ku...
Jemi njohur në Milano. E kam takuar gjatë një transmetimi televiziv, “La sai ultima” dhe ajo ishte një nga vajzat e spektaklit. Aty u pamë për herë të parë, por dukej se ishte një raport i destinuar që të konsolidohet gjithmonë e më shumë. Më pas unë zbrita në Romë, kjo falë edhe Emanuelës dhe aty nisi jeta jonë familjare, ku më pas lindi edhe vajza Emily.
Takimet e para vështirë t’i harrosh. Për mua ishte dashuria e parë dhe e rëndësishme me një italiane. Mes nesh ndodhi një afeksion i drejtpërdrejtë, u pëlqyem menjëherë që të dy, nuk kishte nevojë për komplimente, por ishte një dashuri me shikim të parë dhe ashtu vazhdoi edhe më pas. Ndoshta edhe mund të qeshni, por ishte interesante që në takimet e para me Emanuelën, unë mundohesha ta bëja kurioze, t’i “blija” mendjen, ta tërhiqja sa më shumë rreth vetes, i  flisja shqip. Ato çka doja t’ia thosha në italisht, ia thosha në shqip, “je shumë e bukur”, “ ti më pëlqen shumë”, “a do vish me mua”, dhe nga ana tjetër shihja që ajo hapte sytë dhe u bënte kureshtare të dinte se çfarë i thosha. Kjo ishte një taktikë strategjike nga ana ime që përdora si armë për ta bërë për vete. Përdora shqipen dhe zgjova kuriozitetin e saj... një taktikë origjinale, “alla Shaqiri”. (qesh)
Koha e shuan pasionin. Ç’e zëvendëson atë një element rezistues ndaj kohës?
(Qesh) Po u shua pasioni fillojmë sërish nga e para, por ama kësaj here me disa fraza gjermanisht, pasi në shqip tashmë Emanuela kupton shumë mirë. Nëse termometri vjen dhe ulet, atëherë duhet ta kemi çdo kohë nën kontroll.
Një femër dhe një mashkull duhet të jenë të ndryshëm që të funksionojë marrëdhënia, apo përkundrazi të kenë pika të forta të përbashkëta? Çfarë ofron përvoja juaj?
Ne të dy jemi të ngjashëm si fizionomi, aq sa shumë persona na pyesin “A jeni motër e vëlla”? Madje edhe vajzën, Emily ndodh shpesh të mos dinë të ndajnë se kujt i ngjason më shumë nga ne. Si karakter jam një kokëderr shqiptar (qesh), Emanuela, një italiane shumë e butë. Në karakter jemi pak të ndryshëm, ndonëse ka gjëra që na përputhen në lidhje me ndjenjat, si sinqeriteti, bujaria... Ama kur ndodh të zihemi ai që hap rrugën i pari, është ajo, qoftë edhe në rastet kur unë e kam fajin. Emanuela është shumë e zgjuar dhe ndonjëherë kam frikë se i kupton aq mirë gjërat madje edhe pa qenë nevoja të flas shumë. Nga ana tjetër e adhuron mënyrën se si jemi gatuar ne shqiptarët, e njeh karakterin tonë, mentalitetin, jetën... Kemi kaq kohë që shoqërohemi edhe me Anbetën, Kledin e shumë të tjerë nga të cilët Emanuela ka mësuar shumë për ne.
Thjesht kupton shqip, apo jeni munduar ta bëni paksa shqiptare?
Jam duke u munduar që t’i mësoj se si bëhet byreku dhe japraku. (Qesh) I them që të fitosh 100 për qind dashurinë time duhet të mësosh këto dy gatime shqiptare, që njëri bëhet me petë të hapura dhe tjetri me gjethe rrushi. Më kujtohet vitet e para kur ne u njohëm dhe u martuam, ajo shihte me habi nënën time, që vinte përparësen dhe hapte petët e byrekut me një copë druri të gjatë, që quhet okllai. Çuditej dhe e ndjeja që mendonte, se si kishte mundësi që një primabalerinë, artiste e madhe, të vinte përparëse, të lyente duart me miell e të hapte petë për byrek.
Ndodh që njerëz të ndryshëm e kanë problem kombësinë. Për ju ishte kjo një element i rëndësishëm?
Absolutisht, e kam shfrytëzuar kombësinë time të jem më i dashur me njerëzit dhe e kam shfrytëzuar në mënyrën e duhur.
Ekziston një mendim, sipas të cilit një burrë nuk mund ta njohë deri në fund natyrën, karakterin, shpirtin e gruas? E kundërshtoni?
Çdo njeri ka një sekret që e mban për vete ose nuk ia zbulon të tjerëve dhe është normale. Mua nuk më ngel peng sepse siç mund të ketë ajo sekretet e veta unë kam të miat. Por si unë dhe ajo kemi besim te njëri-tjetri, kjo e konsolidon lidhjen tonë.
Në një familje si i shihni të pozicionuara, dy gjysmat e së tërës: cilat janë rolet që duhet të ketë femra dhe ç’vend zë ajo në familje? Ju si e keni zgjidhur këtë pjesë në familjen tuaj?
Jo, çdo gjë është e barabartë, divani është i imi, karrigia më e madhe është e imja, jastëku më i butë gjithashtu imi... E shihni si i kemi ndarë gjërat. Barabar. (qesh)
A mendoni se në familje dy bashkëshortët duhet të kenë pika përkimi profesional? Apo preferoni pikërisht të kundërtën? Ka që mendojnë se diskutimet e punës, duhet të lihen jashtë derës së shtëpisë?
Ka argumente pro dhe kundër. Ajo është aktore dhe ndodhet sa në një turne në tjetrin. Vajzës i duhet të rrijë me gjyshërit, gjatë asaj kohe, pasi edhe unë po ashtu jam marrë me aktivitetet e mia. Duke qenë se jemi të një profesioni kjo gjë e ndihmon njëri- tjetrin nga ana sentimentale pasi kuptohemi më mirë.
Gjithashtu dhe Emily duket se i ka hyrë rrugës së artit, ndonëse është ende një pesë vjeçare. Më parë ka bërë disa sete fotografish, tani, videoklipin...
Ka filluar disa gjëra të vogla edhe te videoklipi jep një lule në fund, personit transeksual, për të dhënë mesazhin se bota e re që po lind, është e antiviktimave dhe bota është për të gjithë. Por ne si prind të saj nuk është se jemi “maniakë” dhe kemi ndonjë dëshirë të madhe për të vendosur nëse Emily do të bëhet artiste ose jo. Fëmija im do bëhet çfarëdo që do dojë, artiste, mësuese, pastruese... e rëndësishme është që atë që e fiton ta fitoj me vullnet dhe dëshirë.
Ardhja e vajzës në jetë... Si e pritët momentin e lindjes? Kishit ndonjë preferencë për gjininë?
Ishte një gjë shumë e bukur, asistova vetë në lindjen e vajzës. Mjeku që e priti vajzën në dorë, për herë të parë kur ajo lindi ishte një shqiptar. Quhej Vitan dhe sot jemi miq të mirë. Nuk e dija që ai ishte shqiptar, e mora vesh vetëm kur më dha vajzën e më tha: “Me jetë të gjatë, urime”. Hapa sytë dhe u kënaqa shumë që ai ishte shqiptar. Është pediatri më i mirë në Romë, në spitalin “Umberto Primo”. I thashë tani do e kesh ti në dorë Emilyn, derisa të shkoj 18 vjeç.
Ndonjë plan për fëmijë tjetër?
Nuk e di: të them të drejtën, një është pak, dy janë shumë! Por në perspektiv dihet që Emilyn nuk do e lemë vetëm. Do ma kishte qejfi një djalë sigurisht, të çonte mbiemrin përpara (qesh) por do ia lemë kohës. Djalë sepse kam qejf ta marr me vete për peshk, t’i mësoj sekrete e kuriozitete mashkullore...  
Në familje duket se jeni i rrethuar nga femrat. Ç’përfaqë-sojnë për ju në familje, nëna, bashkëshortja, vajza....?
Nëna ime përfaqëson personin që më ka dhënë jetën, pjesën më të madhe të zanatit. Është dashuria që nuk zëvendësohet kurrë në jetë. Gruaja ime prezanton, të pranishmen, prezanton femrën e bukur, femrën që më kupton dhe shokun që kam në krah ditë e natë. Vajza më prezanton mua! Nëse do të vinte një zë nga qielli dhe do më thoshte: “A je gati të vdesësh për të” unë pa mëdyshje do thosha në sekondë “Po”. Ajo është sipër vetes sime.
Cila është lidhja që keni me të, komunikimi... Si sillet Emily ndaj jush?
Jam mundur ti mësoj edhe shqip edhe italisht, që kur të rritet ta njoh gjuhën shqiptare dhe zakonet shqiptare. Ndërkaq janë lojëra të thjeshta që mundohem ti mësoj. Mundohem të mos i blej dhurata në dyqane, pasi dua që ajo të rritet intelektualisht. Të mësohet ti gjejë vetë gjërat, si ne shqiptarët, që domosdoshmëria na bëri të ditur, kreativ, loznim dhe përgatitnim karrocat me kushineta, harqe, fantazia jonë punonte! Nuk dua që ajo t’i gjejë gjërat gati, por mendja e saj të punojë dhe të jetë gjithnjë në lëvizje dhe krijimtari. Preferoj më mirë të pikturojë dhe të luajë me dy tapa shisheje dhe jo një kukull Barbi. Ky është edukimi që unë kam zgjedhur ti jap nga ana psikologjike.
Sa jeni i dhënë pas vogëlsirave, që rëndom gratë i vlerësojnë: le të themi a bëni dhurata?
Padyshim. Unë nuk i lejë t’ju mungojë asgjë, as Emanuelës, as Emilys, e as nënës sime. Kur janë festat, janë ditëlindjet apo edhe në raste të ndryshme dhuratat i bëj me kënaqësi të madhe. Në momentin që i jap dhuratën një tjetri, jam më i lumtur se ai që e merr! Ndaj dhuratën e bëj se ma thotë zemra dhe jo se duhet, por e vlerësoj momentin që e jap. Jam i kujdesshëm në këto gjëra. 

PROJEKTE

Një bashkëpunim i ri me Alexian? Si u bëtë pjesë e projektit te saj?
Shumë, shumë thjeshtë! Ishin interesuar për mua si balerinë dhe Aleksia kishte shprehur dëshirën të merrja pjesë në projektin e saj si protagonist, nëpërmjet agjencisë “Cinecita” në Romë. Ata shprehëm dëshirën që në videoklip të prezantoja një balerin, atë që unë bëj në të vërtetë. M’u bë qejfi, pasi nuk kam qenë ndonjëherë pjesë e videoklipeve në Itali dhe ky ishte një projekt interesant si për vendin edhe për vetë rolin e këngëtares që Aleksia ka në Itali. E njoh mirë nga ana artistike dhe më pëlqen mënyra si interpreton këngët e saj, muzika është e bukur kam pasur rasti të dëgjoj që nga koha e “Buona Domenika”, por nuk është se kam pasur kontakte më parë me të. Projekti ishte interesant gjithashtu edhe nga ana sociale, përcjell një mesazh të hollë. Përveç meje, Alexias, në videoklip merr pjesë edhe një personazh shumë interesant që quhet Madame Fifì, është një transeksual që është i njohur në Itali e në Evropë sepse është tejet aktiv për problematikën e transeksualëve. Lançon mesazhe shumë të rëndësishme kundër racizmit dhe diskriminimit në përgjithësi përfshirë këtu kategori nga më të ndryshmet që e gjejnë veten si viktima të këtij fenomeni. Bëhet fjalë për një këngë që merret me diskriminimin jo vetëm ndaj transeksualëve por edhe ndaj kategorive më të gjera si për shembull emigrantëve, e të tjera pakicave të emargjinuara
Këngë titullohet “E non sai”(Nuk e di), është pjesë e një albumi që Alexia ka hedhur në treg gjatë muajve janar-shkurt, të këtij viti. Kjo ishte një nga këngët e saj të preferuar dhe kishte dëshirë ta shoqëronte me videoklip. Albumi është në treg, por edhe videoklipi do të transmetohet në rrjetet televizive që kanë muzikë. Do të hyjë tek Netët e videoklipit që zhvillohet në Romë, sepse është me të vërtetë me një punë e realizuar me shumë cilësi teknikisht.
Ndërkaq si vazhdon puna në akademinë e dancit që keni hapur ju?
Akademia vazhdon mirë. Kjo sepse e kam hapur me kënaqësi dhe e ndjek personalisht, kur koha më lejon të jem prezent.  Por objektivi im i përket jetës artistike akoma dhe shpesh kam qenë pjesë aktivitetesh, eventesh, baletesh e produksioneve të ndryshme italiane në Romë. Në tetor të këtij viti, interpretova si balerin i parë në Teatrin e Venecias, teatër i cili u dogj para katër vjetësh. Ishte një sadisfaksion i madh për mua, pasi për ta ndjekur këtë shfaqje merrnin pjesë figura të njohura të politikës e artit, duke nisur nga Silvio Berluskoni, e deri te një pjesë e madhe sheikësh ardhur nga Emiratet e Bashkuara Arabe. Ndaj pata mundësinë të kërceja dhe demonstroja atë që arti shqiptar ka mundur të më jap deri sot, përpara personaliteteve italiane.
Por tani në shumë pikëpamje shkolla më jep sadisfaksion të madh. Në të punojnë shumë djem e vajza shqiptare dhe jam i kënaqur, sepse këtu konfirmohet dashura e vullneti i talenteve shqiptare. Jam i kënaqur sepse ndihet dëshira për të shkuar përpara dhe për ti thënë të tjerëve, atë që kam mundur ta mësoj nga bangat e shkollës në Shqipëri, po e shpalos këtu. Kam shumë nxënës italianë dhe prindërit e tyre e shohin se sa me përkushton dhe pasion bëhet puna dhe kjo është domethënëse, gjithë italianët e shohin se sa e rëndësishme është diferenca e mënyrës së të punuarit.
Di që bashkëpunoni edhe me nënën tuaj? Ç’rol ka ajo në këtë akademi?
Mamaja është një ndër shtyllat e rëndësishme të akademisë dhe është një person shumë i durueshëm, përveçse i talentuar për të shpjeguar mësim. Unë kam fatin e madh që prindërit e mi kanë qenë balerinë dhe kanë studiuar balet në shkolla të rëndësishme, ndaj dhe kam fatin e madh që i kam edhe në Itali. Nëna jep mësim në shkollë dhe ka tre klasa me nga 20 a 30 vetë për seksion. Vëllai jep disa kurse në mësime moderne, por kam dhe pedagog të tjerë që japin flamengo, kërcime moderne, kontemporane, të gjitha zhanret, madje japim edhe mësim kënge, recitimi, është akademi 360 gradë.
Shqipërinë e keni lënë vite më parë? Po të ktheni kohën pas, si kanë qenë vitet tuaja të para gjatë ardhjes ne Itali?
Janë vitet e sakrificës, e mos bërjes kompromis për shumë motive. Janë vite që nuk do harrohen kurrë dhe për një emigrant sidoqoftë artist ose jo, janë kohë të vështira. Ku çdo gjë e nis nga e para aq më tepër në një vend që nuk është i yti... Mbaj mend kur kam ardhur në Itali nuk kisha as rrobat e trupit... por tani që kthej kokën pas dhe sa më shumë koha kalon, ndjej një sadisfaksion më të madh, ndaj janë vite që do kujtohen me nostalgji. Ndaj mund ti thuash vetes, sa i fort kam qenë si karakter dhe sa me fat që më prirë e mbara.
Më pas si u angazhuat në jetën artistike, si u bëtë pjese e rëndësishme e saj?
Fillimi ishte i vështirë, por unë pata fatin e madh të hyja në art, falë teknikës që kisha në baletin klasik, akumuluar kjo dhe nga një specializim i veçantë që kisha bërë në Shkup. Teknikisht isha i vlefshëm, dhe kjo gjë ju pëlqeu koreografëve italianë... Në 1993 fillova  te “Corrida e Corrados”, dalëngadalë sërish pata fatin e madh që u bëra pjesë e “Buona Domenika” dhe “Amici”, asaj kohe emisione shumë të ndjekura, kohë kur baleti nuk kishte dhe aq hapësirë në televizione, ndaj dhe njerëzit u afeksionuan në masë.
Pse Italia ishte destinacioni juaj dhe jo një vend tjetër?
Thjesht për një fakt të vetëm, pasi ishte vendi që ndodhej larg vetëm 50 minuta me avion dhe vendi të cilit unë i njihja gjuhën. Brigjet tona lidheshin nga i njëjti det, i  Adriatikut. Kjo gjë na mbante moralin lart vitet e para, afërsia gjeografike. Nuk doja të shkoja në një vend të largët, më dukej e tmerrshme të largohesha kaq shumë nga familja ime. Unë kështu e mendoja dhe ne shqiptarët jemi të dashuruar me atdheun. Pastaj është edhe fakti se njerëzit janë shumë të butë dhe kam pasur shumë përkrahje.
Sa i lidhur jeni me Shqipërinë, sa i formuar rreth aktiviteteve artistike?
Është një fakt kontradiktor midis meje. Me Shqipërinë jam i lidhur moralisht sepse edhe pse kam marrë nënshtetësinë italiane nga ana praktike nuk jam i lidhur. Familja ime ndodhet e gjitha në Itali dhe në Shqipëri pak lidhje familjare kam, nga ana e artit jam përpjekur ta ndjek nëpërmjet digitalbit,  se si zhvillohet dhe çfarë ndodh.
Në fakt kam ardhur disa herë, por ditë shumë të shkurtra pushimesh.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›