Silvi Mazniku - Të gjesTë gjesh vendin e duhur vendin e duhur
Të dish të vesh veten në vendin e duhur. Kjo është çështja. Pas kësaj, nuk duhet të jetë aq e vështirë ti realizosh pikësynimet. Ose së paku nuk është e pamundur. Por më parë duhet njohur vetja,lipse kuptuar ç’të pëlqen... Në të vërtetë Silvi Maznikut, çfarë do t’i kish pëlqyer thellë -thellë brenda vetes të bënte, ishte gazetaria. Po, pikërisht gazetare e shihte veten në ëndrrat prej adoleshenteje. Me një bllok shënimesh, apo me një diktofon në dorë, e vëmendshme në konferenca shtypi, e ulur diku në një cep, duke kërkuar leje mandej për të bërë pyetjen që e shqetëson... Ja kështu e kish përfytyruar veten e saj. Ama, me të ardhur momenti, për të bërë zgjedhjen më të rëndësishme në jetë, profesionin, siç ndodh me të gjithë në prag të provimeve të maturës, Silvi, i iku larg idesë dhe ëndrrës së saj. Jo se ëndrra kish qenë një kapriço fëminore. E vërteta është se, ende edhe sot e kësaj dite, e gjen veten duke u nanurisur nga përfytyrimi i të qenit gazetare. E megjithatë zgjodhi ekonomikun si degë studimesh. Dhe konkretisht studioi për administrim e biznesit. Gjithsesi, e bindur se ishte zgjedhja e duhur për të, se pas diplomimit, çdo vend pune që i mundësonte ajo diplomë, do të ishte për të vendi i duhur. Dhe ashtu është në fakt. Më vonë Silvi u bind për këtë. Asnjë copë kohe, sado e shkurtër, nuk mbeti pa punë me të marrë diplomën. E tani, s’ka gjë se është ende e re në moshë, vetëm 25 vjeç, ndjen se ka bërë hapin e parë jo pak të ekuilibruar, drejt karrierës. Po, ka bërë një fillim të fuqishëm. Vetëm 2 vjet pas diplomimit, është bërë administratorja e Fornetti-t për Shqipërinë. U bë numri një i kësaj firme hungareze të prodhimit dhe tregtimit të produkteve të furrës, fort të njohura në Evropën qendrore, me të mbërritur ky produkt në Shqipëri. E kënaqur? Duket, qartë që po. Pasioni më të cilin flet për punën që bën, mjafton për të kuptuar. Është pikërisht puna që i pëlqen të bëjë. Ndihet në vendin e duhur.