Ilir Shulku: Akuzat e klubeve nuk kanë baza
Edhe pse drejtuesit e klubeve, për gati çdo javë akuzojnë gjyqtarët për vendime të padrejta, të kundërtën mendon shefi i sektorit të garave, Ilir Shulku. Duke folur për ngjarjet e javës që lamë pas, në të gjitha kategoritë, Shulku ka deklaruar se të gjitha akuzat e klubeve janë të pabaza. Shefi i kampionateve u del në mbrojtje gjyqtarëve, teksa thekson se vendimet e tyre nuk kanë influencuar në rezultatet përfundimtare të ndeshjeve. "Nga klubet kërkojmë argumente, jo fjalë kot. Pas çdo jave të gjithë po merren me gjyqtarët,"- pohon Shulku, i cili në këtë intervistë flet edhe për pretendimet e klubit vlonjat.
- Akuzat e klubeve kanë ardhur duke u shtuar, teksa në epiqendër janë gjyqtarët...?
- Si ngjarjet në javët e kaluara, ashtu edhe pas kësaj jave, mund të them se janë fryrë më kot nga drejtuesit e klubeve. Le të marrim të gjashta ndeshjet e kategorisë superiore dhe të gjykojmë vendimet e gjyqtarëve. Duhet të jenë të gjithë realistë, pasi në asnjë ndeshje gjykimi nuk ka influencuar në rezultat. Të gjithë kapen për një faull apo diçka të shkëputur gjatë lojës, dhe në fund nxjerrin konkluzionin se arbitri i ka dënuar. Natyrisht, kur janë raste flagrante, i shikojmë të gjithë dhe, në këtë aspekt, kemi marrë masat e duhura, duke dënuar gjyqtarët. Deri më tani, mund të them se të gjitha akuzat e klubeve kanë qenë të pabaza.
- Zyrtarë të klubit "Flamurtari" kanë thënë se në Shijak gjyqtarit Peza i është bërë presion dhe kjo ka ndikuar në mbarëvajtjen e ndeshjes...?
- Për sa i përket kësaj ndeshjeje, mund të them se pranoj gjykimin me disa gabime të kryesorit Peza, por absolutisht nuk mund të pranoj që kjo ka ndikuar në rezultat. Nga ana tjetër, dua të theksoj se nuk ka asnjë shans që gjyqtarit t'i jetë bërë presion. Si Flamurtari, dhe të gjitha klubet e tjera, janë trajtuar në mënyrë të barabartë nga FSHF-ja. Për ndëshkimet me karton të kuq që ka marrë ekipi vlonjat nga arbitrat, nuk është faji i federatës. Në këto raste është zbatuar rregullorja.
- Por disa klube pretendojnë se rregullorja nuk zbatohet njëlloj te të gjithë...?
- Së pari, është fatkeqësi që të gjithë po merren me gjyqtarët. Gjithsesi, ne si institucion jemi munduar të ruajmë ekuilibrat në garë. Nga klubet kërkojmë argumente dhe jo fjalë kot. Rregullorja është zbatuar te të gjithë njëlloj, pa përjashtim. Vendimet tona kanë qenë drastike karshi atyre që kanë bërë gabime flagrante. Këtu kam parasysh edhe rastin e gjyqtarit Guçe në ndeshjen Partizani-Bylis. Bashkë me shefin e gjyqtarëve, Plarent Kotherja, kemi tentuar që të vendosim gjyqtarë me konsensus, por edhe për këtë ide klubet prapë nuk kanë besim.
- Në javën që lamë pas, ka pasur disa incidente, madje edhe në ndeshjet e moshave. Cili do të jetë qëndrimi i FSHF-së për këto raste?
- Nuk ka asnjë diskutim, që të gjitha do të futen për t'u shqyrtuar në komisionin e disiplinës dhe vendimet do të jenë nga më të ashprat. Megjithatë, më duhet ta përsëris, që për disa raste, të cilat janë të pranueshme në futboll, gjithçka zmadhohet dhe rëndom përdoret fjala dhunë.
Nesër, Kupa e Shqipërisë
Ndeshjet e turit të parë, ora 14:00
Grupi A
Albpetrol - Dinamo
Iliria - Besa
Gramozi - Shkumbini
Sopoti - Vllaznia
Pogradeci - Teuta
Dajti - Apolonia
Luftëtari - Kastrioti
Laçi - Skënderbeu
Grupi B
Tepelena - Partizani
Tomori - Elbasani
Tërbuni - Tirana
Naftëtari - Flamurtari
Bilisht Sport - Bylis
Turbina - Lushnja
Skrapari - Besëlidhja
Ada - Burreli