Ilirian Kuka kandidon për kreun e Telekomit të Kosovës
KOSOVË- Ish drejtori i Albtelekomit, Ilirian Kuka ka konkurruar për postin e drejtorit të Postë-Telekomit të Kosovës. Emri i tij figuron mes 44 njerëzve të tjerë që synojnë të arrijnë këtë post. Sipas zyrës për informim të PTK-së (Postë telekomi i Kosovës), paneli intervistues do të nisë punën dhe do të bëjë një listë të ngushtë të kandidatëve.
Në listën e konkurrentëve është edhe Adnan Merovci, i cili para më pak se dy muajsh pati dhënë dorëheqjen nga po ky post. Krahas Ilirian Kuko, për postin e drejtorit ekzekutiv kanë konkurruar edhe shumë figura të njohura në këtë fushë në Kosovë. Privatizimi i PTK-së, sipas qeverisë së Kosovës , do të sjellë përfitime të mëdha financiare Kosovës dhe do të përshpejtojë zhvillimin e teknologjisë në vend. Ministri i Ekonomisë dhe Financave, Ahmet Shala, ka thënë se privatizimi do të mund të përfundojë deri në fund të vitit 2009. “Privatizimi i këtyre dy njësive të PTK-së do ta vendosë Kosovën në ballë të zhvillimeve teknologjike në rajon. Vendimi është në përputhje me strategjinë e qeverisë për përfshirje të kapitalit privat në zhvillimin e infrastrukturës dhe ndjek qëllimet e kornizës afatmesme të shpenzimeve për sistem të vetqëndrueshëm të financave publike”, ka thënë kryeministri i Kosovës Hashim Thaçi.