E Shtunë, 31 Tetor 2026

Arritja

In Anticipit

Thomas MannNë një palcë vere një djalosh i zakonshëm u nis nga Hamburgu, qyteti i tij i lindjes, për në Davos-Plac në Graubyndishe. Shkonte për një vizitë trijavëshe.

Prej Hamburgu e deri atje lart është një rrugë mjaft e gjatë. Shumë e gjatë,sidoqoftë, e krahasuar me qëndrimin e shkurtër. Dhe kalon ajo përmes shumë vendeve të perëndisë, përpjetë dhe tatëpjetë maleve, nga rrafshnaltat gjermanojugore tek brigjet e detit Shvab dhe me anije përmes dallgëve të tij inatçore, tej nëpër gryka që dikur mbaheshin si të pamatshme.

Prej andej rruga që deri atëkohë kishte mbajtur shpirtmadhësisht vijën e drejtë, degëzohej. Me ndalesa dhe formalitete. Në Rorshah, tashmë në tokën zvicerane, i duhej hipur përsëri trenit, i cili megjithatë, shkonte deri në Landkuart, një stacion i vogël malor, ku udhëtari detyrohej të ndërronte trenin. Ishte një tren me binarë të ngushtë, i cili pas sorollatjesh të gjatë i ngjitet një visi me erë dhe aspak tërheqës, dhe kur lokomotiva e vogël por, me sa duket, jahtëzakonisht e fuqishme vihet në lëvizje, atëhere edhe fillon me të vërtetë pjesa aventurore e udhëtimit, një ngjitje e beftë dhe e rreptë që duket sikur nuk do të mbarojë kurrë. Stacioni i Landkuartit gjendet në një lartësi relativisht mesatare; kurse tani, mes këtyre shkrepave të egër dhe kuturiarë fillon ngjitja e përnjëmendtë në malet e lartë.

Në kabinën e vogël me veshje gri Hans Kastorpi, se ky ishte emri i djaloshit, ishte vetëm me çantën e tij prej lëkure krokodili, dhuratë e xhaxhait dhe kujdestarit të tij, konsullit Tinapel, që ta përmendim menjëherë edhe atë emër këtu, me pallton dimërore, që tani luhatej në çengel dhe me një batanije udhëtimi; ai po rrinte pranë dritares me xham të hapur dhe meqenëse pasditja po freskohej gjithnjë e më shumë, ky djalë i përkëdhelur dhe i brishtë, e kishte ngritur jakën prej mëndafshi të pardesysë së tij të gjerë verore,sipas modës. Në ndenjësen pranë shihej një broshurë e lidhur dhe me kapak kartoni, e titulluar “Ocean steamships”, të cilën ai e kishte studiuar përpara se të niste udhëtimin; ndërsa tani ajo qëndronte aty e braktisur dhe frymëmarrja e lokomotivës që gulçonte rëndë futej brenda nga era dhe e vishte mbulesën e saj me grimca qymyrguri.

Dy ditë rrugë e ndanin njeriun,- madje djalosh, njeri që ende nuk kishte lëshuar rrënjë të mjaftueshme në jetë, -nga bota e tij e përditshme, nga gjithçka që ai i quante detyrime, interesa, kujdese, shpresa e tij, shumë më tepër nga se mund të ëndërronte ndërsa shkonte me pajton në stacion të trenit. Hapësira që shpërdridhet dhe shpërbëhet midis tij dhe folesë së tij blaton forca të cilat zakonisht i vishen kohës; nga ora në orë ai vë re ndryshime të brendshme, shumë të ngjashme me ato të kryera prej tij, por që në një farë mënyrë i tejkalojnë ato. Sikundër ato, edhe ajo prodhon harresë; por ajo e bën këtë duke e shkëputur personin e njeriut nga marrëdhëniet e tij dhe duke e zhvendosur atë në një gjendje të lirë dhe zanafillore. Madje edhe nga një pedant dhe filistin ajo sajon në çast një endacak. Koha, thonë, është lete (+); mirëpo edhe ajri i dheut të largët është si pije dhe, edhe në qoftë se ai nuk vepron aq me themel, e bën këtë punë shumë më shpejt.

Diçka të tillë provoi edhe Hans Kastorpi. Ai nuk kishte pasur ndërmend që t´i jepte ndonjë rëndësi të veçantë këtij udhëtimi, që t´i përkushtohej atij me shpirt. Më tepër qëllimi i tij kishte qenë ta bënte atë sa më shpejt, sepse duhej bërë dhe të kthehej po ai njeri që ishte kur u nis dhe për ta filluar jetën pikërisht atje u ai kishte qenë i detyruar që ta linte. Jo më larg se dje ai kishte qenë plotësisht në qerthullin e mënyrës së zakonshme të mendimit, ishte marrë me punën që sapo e kishte lënë pas, provimin, dhe me atë që po e priste menjëherë pas tij, njohjen e praktikës së Tunder dhe Vilms (ndërtim anijesh, ndërtim makinash dhe prodhim kazanësh), dhe për tri javët e ardhshme e kishte shmangur nga mendja me aq sa ishte e mundur kjo me karakterin e tij. Mirëpo tani i dukej sikur rrethanat kërkonin vëmendjen e tij të plotë dhe se nuk mund ta anashkalonte më ashtu lehtë. Kjo ngjitje në viset ku ai nuk kishte marrë frymë ndonjëherë dhe ku, siç e dinte, sundonin kushte jetësore krejtësishtë të pazakonta, veçanërisht të kursyera dhe të pamjaftueshme, filloi ta ngacmojë dhe ta mbushë më një farë frike. Vatra familjare dhe rendi jo vetëm ndodheshin shumë larg, por sidomos ato ndodheshin në humnera tmerruese poshtë tij, ndërkohë që vazhdonte të ngjitej e të ngjitej. Pezull midis tyre dhe së panjohurës ai pyeste veten si do të ndjehej atje lart. Mbase nuk kishte qenë punë e mençur, madjee dëmshme, që duke qenë njeri i lindur dhe i mësuar të marrë frymë në një vend vetëm disa metra mbi nivelin e detit, të ngjitet papritmas në këto lartësi të skajshme, pa kaluar së paku disa ditë në një vend me një vendosje të ndërmjetme? Ai dëshironte të ishte sa më parë në vendmbërritje, sepse duke qenë atje lart, mendonte, do të mund të jetonte si kudo gjetkë dhe jo kështu si tani, që duke u ngjitur vazhdimisht të vrasësh mendjen se cilat sfera të paarritshme gjendesh. Ai vështroi jashtë: treni po merrte një qafë të ngushtë, shiheshin vagonët e përparmë, shihej lokomotiva, që në shtërzimet e saj, nxirte masa tymi valavitës të murrmë, të gjelbër dhe të zi. Nga thellësitë djathtas dëgjohej zhaurimë ujrash, midis blloqeve shkëmborë majtas pisha tub errta ngriheshin drejt një qielli të përhimtë si guri. Vinin tunele të errtë pus dhe kur dilte përsëri dita, shfaqeshin sërish humnera të gjera e të thella me vendbanime njerëzore. Pastaj ato mbylleshin dhe vinin përsëri të tjera qafmale të ngushtë, me mbeturina dëbore neper xhepet dhe plasat e tyre. Bëheshin ndalesa pranë kabinash mjerane stacionesh qorrsokakë, nga të cilat treni dilte në drejtim të kundërt që të ngatërronin sepse nuk e merrje më vesh se si hyre dhe nga ishin anët e horizontit. Pamje të largta mahnitëse të botës shenjtoro-fantazmagorike të majëmaleve të malësisë, ku treni kredhej dhe ngjitej sërish, hapeshin dhe pastaj mbylleshin përsëri nëpër shtigje dhiaresh para syrit të mrekulluar. Hans Kastorpi mendoi se e kishte lënë pas zonën e gjethorëve dhe, po të mos gabonte, edhe atë të zogjve këngëtarë dhe ideja e ndërprerjes dhe e varfërimnit, së bashku me ndijimin e një një marramendjeje dhe të përzjerë të lehtë, e detyroi të mbyllte sytë me pëllëmbë për nja dy sekonda. Dhe gjithçka kaloi. Kur i hapi pa se ngjitja kishte mbaruardhe se qafëmali kishte mbetur pas. Tani treni rrokullisej më shtruar nëpër një rrafshnaltë të sheshtë.

Përktheu nga origjinali gjermanisht Afrim Koçi

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›