E Diel, 1 Nëntor 2026

Fajdet, ministrat morën miliona dollarë

Debatet në kuvend, akuzat për qeveritarët që përfituan nga paratë e piramidave

Edhe pas rreth 12 vitesh ende nuk është gjetur “kopetenti” i fajdeve, ai që ishte truri i organizimit të skemave mashtruese piramidale dhe në fund përfituesi i malit me lekë të krijuara nga mbledhja e kursimeve të popullit. Në këtë numër vijon seanca e 9 majit 1997, kur po diskutohej për projektligjin mbi transparencën e firmave piramidale. Ndonëse kanë kaluar vetëm pak muaj nga rënia e disa prej fondacioneve apo kompanive rentiere, deputetët apo ish-ministrat e qeverisë së PD-së bëjnë të paditurin, dhe madje kundërsulmojnë të majtën, duke mos i dhënë përgjigje publikut se kush i mori paratë. Nga ana e saj opozita akuzon ish-qeveritarët për masakrën ekonomike që iu bë vendit për pesë vite që kur pushtetin e mori PD-ja.

Musa Ulqini-…Projektligji hap rrugën për një kontroll financiar të plotë nga ekspertë të pavarur për firmat dhe kompanitë që kanë marrë hua nga publiku i gjerë. Ai përmes transparencës për publikun në një kohë tepër të shkurtër do të tregojë, se mbi ç’bazë janë ndërtuar edhe firmat e pushtetit, si VEFA, Silva, Kamberi etj.Ndërkaq të gjithë ne presim përfundimet e organit të prokurorisë e gjykatës për Suden, Popullin, Xhaferrin. Ky projektligj do të sqarojë deri në fund të vërtetën se kush dhe pse i krijoi firmat piramidale. Luniku nga zyrat e FMN-së dhe Zhulali, nuk e di se nga ku, tashmë e kanë vënë gishtin mbi “I”, ata fajësojnë vetëm njërin, Berishën, dhe dëshmitë e tyre duhen vlerësuar, sepse ata kanë qenë në majat më të larta të pushtetit dhe për disa vjet në krah të presidentit Berisha.

Ridvan Bode-…Pas paralajmërimit publik për rrezikun e falimentimit të firmave rentiere që aplikonin norma të larta interesash dhe denoncimit të shpifjeve se këto firma bashkëpunojnë me qeverinë, bërë nga ministri i Financave më 7 tetor të vitit të shkuar, fenomeni nuk erdhi në tkurrje, por në shpërthim, si rezultat edhe i politizimit që iu bë deklaratës, apo i propagandës së kundërt që bëri masmedia, përfshirë këtu edhe guvernatorin, i cili premtoi licensimin e bankave për disa nga këto kompani. Fill pas kësaj periudhe normat e interesave pësuan rritje të paparë. Depozitat, vetëm në fondacionet e ashtuquajtura bamirëse, gati u dhjetëfishuan në krahasim me muajt gusht-shtator. Koha shumë shpejt provoi se deklarata e ministrit nuk prekte interesat e shqiptarëve, përkundrazi ishte momenti optimal për t’i marrë në mbrojtje ato, se legjitimiteti i huamarrjes, sipas Kodit Civil, nuk mund të mënjanonte dot falimentimin e tyre, sepse dolën jashtë logjikës ekonomike, se fajdet nuk ishin një dyqan qelqurinash, por arena ku do të ndesheshin elefantët në luftën për front…

Hamit Gjoni-…Humbjet nga skemat piramidale ishin katastrofike për qytetarët shqiptarë dhe ekonominë e vendit. Qytetarët humbën kursimet e realizuara nga puna e ndershme, humbën shtëpitë, bagëtinë dhe pasuritë e tyre. Emigrantët humbën kursimet e fituara me djersë dhe gjak për vite të tëra pune në dhe të huaj. Afaristët e vegjël dhe të mesëm pësuan një goditje të rëndë. Investimet private në ekonominë shqiptare u frenuan…Populli supozohet që votoi për PD-në më 26 maj. Dihet që janë zgjedhje të kontestuara nga të gjithë, brenda dhe jashtë, megjithatë populli zgjodhi një qeveri që të qeverisë dhe jo t’ua lërë në derë fajin qytetarëve. Një qeveri që thotë: “Unë nuk kam të bëj me këtë, kjo është një çështje që u takon vetë qytetarëve dhe kompanive huamarrëse”, jo vetëm është një qeveri e papërgjegjshme, por këto qëndrime të saj përbëjnë një krim ndaj shtetit dhe qytetarëve. Ju natyrisht nuk e bëtë këtë sepse i kishit vënë detyrë vetes të pasuroheshit, në mënyrë të paligjshme si dhe të joshnit elektoratin shqiptar për mrekullitë, gjoja, të qeverisjes suaj në një vit elektoral, siç ishte viti 1996 me dy palë zgjedhje: parlamentare dhe lokale. Tani mendoj se nuk ju takon të bëni rolin e të persekutuarit apo të shpëtimtarit të situatës. Mendoj se qëndrimi juaj më i mirë do të ishte që, me rastin e këtij diskutimi t’i kërkonit falje publikisht popullit dhe t’u vinit më konkretisht gishtin personave brenda partisë suaj, se unë jam i bindur që kjo nuk është përgjegjësi kolektive e të gjithë deputetëve, por këtu kam parasysh që në këtë sallë ka ish-ministra e deri dhe kryeministër, pra t’u vinit gishtin personave, Brenda partisë tuaj, që kanë përgjegjësi individuale më direkte e më konkrete.

Bashkim Kopliku - …Detyrohem t’ju kujtoj se kam paralajmëruar për rrezikun e fajdeve që më 1993-shin, kur ngulja këmbë me të madhe për nevojën urgjente të bankave private, deri në Washington, deri në Bankën Botërore dhe në FMN, si mjeti më efikas kundër tregut joformal. Pastaj, më 1 mars 1996, në kohën e miratimit të ligjit të ri për sistemin bankar, e në vazhdim…më 20 nëntor 1996, kam ngulur këmbë që me fajdet duhet të merret ekzekutivi, në radhë të parë, e jo nënkomisione parlamentare pensionistësh….

Ilir Meta - …Aventura e fajdeve tregoi se ekonomia e një vendi nuk mund të shkojë përpara pa rritje të prodhimit të brendshëm dhe të eksportit, tregues që u injoruan në 5 vitet e fundit nga PD-ja, pavarësisht nga trumbetimet e mëdha, për rritjen më të madhe ekonomike të Shqipërisë, në krahasim me vendet e tjera ish-komuniste. Sot, mua më kujtohet edhe një herë përgjigjia që ekonomisti i njohur, Zhak Adali, ish-drejtor i BERZH-it, i dha pyetjes se si e shpjegonte që, Shqipëria kishte rritjen më të madhe ekonomike, në krahasim me shumë vende të tjera të Europës Qendrore e Lindore. Ai fare thjesht u përgjigj se: “Mbase kjo vjen ngaqë shqiptarët nuk kanë përvojë në përpunimin e statistikave”.

Namik Dokle-…Këtu u fol shumë se kush i ka krijuar, tek i ka krijuar, kush i ka përkrahur etj. Mjafton të marr një facsimile të gazetës së Partisë Demokratike, për të shprehur të gjithë të vërtetën e këtyre firmave piramidale. Në një artikull të gazetës RD, ka një titull shumë interesant: “Parathënie për fitore në Vlorë”. “Pesë dragojt e Vlorës: “Gjallica”, VEFA, “Kamberi”, “Silva”, “Cenaj” mbështesin kandidatin e Partisë Demokratike”. Atëherë nuk na mbetet gjë tjetër pasi kemi gjetur pesë dragojt e Vlorës, të gjejmë krokodilin e Tiranës. Dhe krokodili i Tiranës është mënyra më e keqe e qeverisjes, sepse politika ekonomike që u adaptua në këto vite është një ekonomi tregu pa reformë tregu, një privatizim pa banka private, një treg i lirë pa konkurrencë, por me monopol dhe dhe me përkrahje politike të tregut, investime pa garanci ligjore…Sistemi i piramidave u krijua si një pompë thithëse e kursimeve të popullit, për t’i çuar në ato vende ku u interesonte shtetarëve. Është e vërtetë që shteti është i varfër, është e vërtetë që qeveria, siç tha zoti Meksi, nuk ka marrë asnjë qindarkë nga firmat piramidale, por është edhe e vërtetë se nëse nuk ka marrë qeveria, nuk mund ta mohojë askush se nuk kanë marrë qeveritarët. Politika e keqe solli një shtet të varfër dhe pushtetarë të pasur. Mjafton të përmend faktin që ka denoncuar zoti Blerim Çela në një shkrim të gazetës “RD”, ku thuhet se ka edhe ish-ministra të qeverisë që nëpërmjet këtyre firmave kanë marrë deri 2 milionë dollarë. Dhe këto dy milionë dollarë nuk janë as më pak as më shumë, po 5.7 herë më shumë se pasuria e shpallur e presidentit francez Zhak Shirak. Po kështu ka edhe pushtetarë të tjerë që kanë marrë para në këto firma, të cilët kanë shpërdoruar kursimet e popullit…Këtu zoti Hajdari tha se një prokuror kriminel ka përcjellë presidenten e firmës “Gjallica” deri në Rinas për ta çuar në Izmir. Emrin e atij prokurori unë ia kam thënë edhe kryetarit të shtetit se cili është ai prokuror që e përcjell deri në Rinas dhe pas përcjelljes është shpallur kërkimi i saj nga Prokuroria.

Ali Spahia- Falimentimi i firmave fajde solli rrënimin ekonomik të qindra mijëra familjeve shqiptare, kurse manipulimi i dëshpërimit të popullit nga Partia Socialiste dhe aleatët e saj vuri në rrezik integritetin dhe demokracinë në Shqipëri…Moralisht shumica e shqiptarëve kanë përgjegjësi, sepse për hir të një fitimi të dyshimtë, jemi pajtuar me një fenomen të pamoralshëm. Ne, si partia në pushtet, kemi përgjegjësi se i kemi pranuar publikisht, se nuk përgatitëm me kohë, kuadrin ligjor kundër aktiviteteve fajde dhe nuk ndërhymë në kohë për të ndërprerë këtë aktivitet kriminal. Por ishte një deputete e grupit të PD-së, ajo që në korrik 1996 dha alarmin për rrezikun e fajdeve dhe ish-ministri i Financave të qeverisë “Meksi” që foli qartë, publikisht kundër këtyre firmave, dhe ju e dini cili ishte reaksioni. Guvernatori Luniku, të cilin zotërinjtë socialistë po e përmendin shpesh, të nesërmen e kësaj interviste doli në televizion për kundërpeshë ndaj ministrit të Financave të asaj kohe.

Namik Dokle- Përsa i përket kërkesës që bëri z.Spahia, që tani ju të opozitës nxirrni transparencën se si janë e tek janë këto, kërkesa e tij është e drejtë, por zoti Spahia kërkon që për 15 ditë ministri i Financave të nxjerrë vjedhjen e 6 vjetëve që ka bërë Partia Demokratike. Keni vjedhur aq shumë sa është e vështirë të nxirret për 15 ditë.

Arben Malaj-…Unë i sqaroj të gjithë shqiptarët se po bëjmë maksimumin për ta për ta zbutur zhgënjimin. Por, në qoftë se, zoti Blerim Çela thotë se VEFA, Silva, Cenaj, Kamberi mund t’i shlyejnë detyrimet e tyre për dy-tre vjet, kjo është thjesht joshje politike në prag të fushatës elektorale, sepse edhe unë si ministër i Financave, për fat të mirë, kam disa të dhëna. Sipas raportimeve në tatimet, “Kamberi” e ka fitimin për tre vjet vetëm 2,5 milionë lekë, “Cenaj” e ka fitimin për vitin 1996 vetëm 524 mijë lekë dhe “Silva” për vitet 1994-1996 ka jo më shumë se 100 mijë lekë në vit.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›