Krimineli ynë, Damir Fazlliç
Profili kriminal i mikut të qeverisë shqiptare, sipas medias boshnjake
“Ko je Damir Fazlic” (Kush është Damir Fazlliç)?Në Shqipëri dihet botërisht se është mik personal i kryeministrit Sali Berisha, ortak me shumë qeveritarë dhe ndihmës të qeveritarëve, blerës i disa kompanive fantazma që “prodhojnë” miliona euro, i tokave shtetërore të dhëna bujarisht nga qeveria shqiptare, i mbrojtur stoikisht për javë të tëra në Tiranë, pas akuzave që iu bënë, veçanërisht pas ndalimit në datën 4 tetor në Sarajevë. Madje aq burrë i mirë, saqë për të mos hapur letrat e tij, Ekzekutivi është prej dy javësh në konflikt të hapur me Prokurorinë e Përgjithshme, e cila tentoi thjesht t’i merrte një dëshmi për bizneset në Shqipëri, për të cilat, sipas tatim-taksave, nuk ka derdhur asnjë lek. Por në vendlindjen e tij, Bosnje-Hercegovinë nuk kanë këtë konsideratë për Fazlliçin, që është thjesht njëri prej atyre kriminelëve që prodhoi me shumicë destabiliteti në ish-Jugosllavi, vitet e gjata të luftës dhe tranzicioni i stërgjatë i pasluftës.
Revista e Sarajevës “Dani” i kushton kopertinën çiftit Naser Oriç dhe Damir Fazlliç (dy prej të ndaluarve në 4 tetor) në njërin numër të tetorit të shkuar. Okelio, aspak dinjitoze për personin që mbrohet heroikisht nga qeveria shqiptare: “Dosja e krimit” -shkruhet në mbititull, ndërsa titulli i përbashkët përshkruan biznesin e tyre, gjobvënënien që bëjnë në Bosnje-Hercegovinë. Është njëra prej dosjeve të njohura të Sarajevës, sepse Naser Oriç, i liruar nga Gjykata e Hagës për mungesë provash, shumë herë ishte ndaluar nga policia e federatës për gjobvënie dhe pastrim parash. Serbo-boshnjaku Damir Fazlliç, ka patur akuza nga drejtësia serbe, për falsifikim identiteti, gjatë aktivitetit të tij si “konsulent financiar”, si pronar i shoqërisë fantazmë “European Finance”. Në Bosnje Fazlliç prezantohet si përfaqësues i koorporatës “Capital Investment Management” dhe emri i tij është i lidhur me afaristin kroat Hrvoje Petrac, i cili nga ana e tij ka patur “biznese” me gjeneralin e luftës Ante Gotovina.
“Washington Post”: Transaksionet amerikane të FazlliçNë artikullin e revistës “Dani”, ka një referim nga gazeta e Sarajevës “Dnevni Avaz” për jetën amerikane të Damir Fazlliç në Washington, ku ka një firmë konsultimesh dhe ku “jeton e punon”.
Sipas artikullit, Fazlliç ka një rezidencë luksoze të tipit “penthouse” në hotelin “Ritz-Carlton”. Revista “Dani” i refrohet transaksioneve të publikuara nga gazeta autoritative amerikane “Washington Post”. Janë gjashtë pagesa të kryera në vitin 2007, dy në emër të Amra Fazlliç, bashkëshortes, në datën 8 janar 2007, secila prej 660 mijë dollarësh amerikanë dhe katër pagesa të emër të tij të bëra në 4 prill 2007, secila prej 3 milionë e 145 mijë dollarësh. Dhe të gjitha këto transferta sipas gazetës amerikane janë bërë për të blerë dy apartamente në hotelin Ritz-Carlton!!!
Dogana, akuzë Fazlliç për kontrabandë makine
Miku i qeverisë shqiptare është një biznesmen plot me të papritura. Kryesekseri i Ballkanit, është edhe kontrabandist makinash kur bëhet fjalë për marka luksoze. Në qershor të vitit 2000, shërbimi doganor i Republika Srpska, pjesë e Federatës së Bosnje-Hercegovinës, akuzoi shtetasin Damir Fazlliç se kishte kaluar pa paguar detyrimet doganore të një automjeti luksoz të markës “Mercedes ML”, çmimi i të cilit llogaritej atëherë në rreth 80 mijë markash konvertibile, rreth 40 mijë euro sot.