E Shtunë, 31 Tetor 2026

Te Mali i dashurisë

Thomas Mann me “Mali i magjepsur” në proces përkthimi, për herë të parë në shqipe. Për arsye financiare, përkthyesi Afrim Koçi e kish lënë pezull për disa vjet, veprën madhore të letërsisë së shekullit të XX-të, të nobelistit gjerman

Mali i magjepsur ose Mali magjik siç pëlqehet të thuhet në shqipe, është nga ato vepra, si fjala vjen Uliksi i Xhojsit, Procesi i Kafkës apo 1984 e Oruellit, për të cilat flitet pa i lexuar. Për rastin e lexuesit shqiptar kjo mund të jetë e kuptueshme sepse janë vepra dhe autorë madhorë të shekullit të XX-të që i kanë munguar për rrethana ideologjike për më shumë se 50 vjet.

Ja, ku më në fund, përkthyesi i letërsisë gjermane, emri i të cilit u lakua më me zhurmë kur u sollën në gjuhën shqipe dhe u botuan premierë “Kujtimet” e “beut të fundit”, Eqrem Vlorës, pra, përkthyesi Afrim Koçi, ka në proces “Malin e magjepsur” të Thomas Mannit. Prej bujarisë së tij po botojmë in anticipit një fragment nga romani 1000 faqësh, një vepër me influencë për kohën kur u shkrua, sot e cilësuar një ndër 10 veprat më të mëdha të letërsisë së shekullit të XX-të. Koçi, njohës i mirë i jetës dhe veprës së shkrimtarëve të familjes Mann, Heinrich dhe Thomas dhe të birit të këtij të fundit, Klaus Man, rrëfen detajet e para të një vepre dhe autori nobelist pak i përkthyer në gjuhën tonë.

Ngjarjet e këtij romani filozofik vendosen në dekadën para fillimit të Luftës I Botërore, në senatoriumin e Davosit, në Zvicër, ku pacientët kurohen po edhe ku përplasen kultura dhe botë psikologjike. Protagonisti, Hans Kastorpi, 22-vjeçar, i sapodiplomuar, ndërsa shkon të vizitojë kushurirën e tij në senatoriumin e vendosur në malin e këtij qyteti, magjepset nga Klaudia, vajza me të cilën bie në dashuri dhe qëndron për gati 7 vjet “i izoluar” me të. “Linja kryesore dhe më interesante e këtij romani është raporti midis Hansit dhe Klaudiës dhe në planin kryesor Mann vendos lidhjen Frojdiste se, sëmundja është gjenerator dashurie dhe dashuria është gjenerator për sëmundje”, komenton përkthyesi.

“Mali i magjepsur” (Der Zauberberg) u botua më 1924. Autori i tij, Thomas Mann (1875- 1955), 5 vjet më pas u laureua me Nobel.

Si u takuat me Mann-ët?

I afeksionuar pas letërsisë gjermane, kam përkthyer libra të viteve 70-të, të cilët jo rastësisht u ndodhën në dorën time por si rezultat i një pune studimore dhe leximit të autorëve përfshirë këtu dhe familjen Mann. Ndër vite kam përkthyer vepra si “Nënshtetasit” nga Heinrich Mann, “Vdekje në Venecia” dhe “Ligji” nga Thomas Mann deri tek djali i këtij të fundit me romanin “Mefisto” të Klaus Mann-it.

Po me “Malin e magjepsur”?

Romanin “Mali i magjepsur”, për herë të parë e kam lexuar në gjuhën ruse në kohën kur nuk kisha filluar akoma të ushtroja profesionin si përkthyes. Më vonë më lindi dëshira për ta përkthyer.

Në disa gjuhë titulli është përkthyer “Mali Magjik”, ju pse e “konsideroni” një mal të magjepsur?

Zgjodha këtë titull sepse në disa gjuhë si frëngjisht ose anglisht kjo vepër është e vërtetë që është përkthyer “Mali Magjik”, por në gjuhë të tjera është përkthyer dhe konsideruar, vendi ku ndodhin ngjarjet, si një vend i magjepsur. Titulli nuk është arbitrar pasi ka një domethënie dhe kjo nuk mund të kuptohet veçse pasi lexuesi të ketë përfunduar veprën.

Ju keni përkthyer autorë të rëndësishëm gjermanë, dy nobelistë të tjerë, Heinrich Boll apo Gunter Grass. Po “Mali i magjepsur” ç’vend zë në këtë kontekst gjigantësh?

Është pikërisht vepra që evidenton edhe vlerat e një autori të madh. “Mali i Magjepsur” është një roman që shtjellohet në planin filozofik, social, etik, është një arenë debatesh midis dy botëkuptimeve liberale dhe konservatore që mbizotëronin asaj kohe në mendimin intelektual europian. Aty janë problematikat sociale dhe morali që përmban elementë të romanit të shtjelluar me stilin e shkrimit të paraluftës, seks, nudizëm, marrëdhënie shpirtërore dhe mishtore, të prekura në mënyrë delikate dhe fine, jo pornografike.

Si i tillë, ky roman kërkon një lexues të kualifikuar?

Ëshë e vërtetë që jo kushdo mund t’i qaset kësaj vepre pasi është ndërtuar mbi koncepte filozofike dhe është e destinuar tek nivele lexuesish me një formim intelektual.

Ku qëndron vështirësia e përkthimit?

Kjo është një vepër voluminoze, 1000 faqe. Aktualishtjam në gjysmë të procesit të përkthimit. Vëllimi i madh i romanit ka bërë që për vite të tëra të kem hasur vështirësi gjithashtu dhe ekonomike, që shpjegojnë dhe arsyen e mosbotimit të tij. Të tilla vepra kërkojnë një program dhe një bashkëfinancim nga shteti, pasi kryevepra të rëndësishme të letërsisë botërore duhen financuar që të jenë pjesë e shqipes.

A mendoni se pas përkthimit të kujtimeve të Eqrem Bej Vlorës, kjo është një sfidë që ndoshta do t’ju identifikojë në të ardhmen si përkthyesi i “Malit të magjepsur”?

Unë mund të them se këtë libër e kam studiuar mirë, ashtu si dhe autorin. Shkrimtarë si Mann nuk e kalojnë rëndësinë e përkthimeve të kaluara, por shpresoj që kjo vepër të zërë vend në fondin e letërsisë shqipe.

Përse kaq “tahmaqarë” botimet shqip me Mann-ët?

Këto vepra ose autorë si vëllezërit Mann janë botuar por me një selektim të dukshëm të teksteve ku ndonjëherë u hiqnin edhe kapituj të tërë. Vepra të tilla ishin të papranueshme me edukatën dhe moralin e sistemit, botimi i tyre do ishte një provokim.

A ka ndryshuar raporti i letërsisë gjermane me letërsi të tjera në gjuhën shqipe?

Jemi edukuar gjithmonë me një letërsi ruse, por që gjithsesi na krijoi mundësinë për të kaluar tek shumë vepra të autorëve perëndimorë. Letërsia gjermane nuk është aq e njohur sa letërsia ruse, pasi politikisht e kishte të vështirë pa kaluar nën censurë dhe selektohej prej saj, zhdukeshin pjesë.

Kurse problemi i sotëm është që hasim përkthyes të pakualifikuar, të cilët i kushtojnë më shumë vëmendje veprave komerciale sesa një letërsie serioze. Me shtëpitë botuese jemi munduar të krijojmë një raport të balancuar duke nxitur botimin e kryeveprave botërore. Ndodh që vepra të autorëve gjermanë komercializohen dhe përkthehen nga njerëz jo kompetentë. Po me siguri ky lloj përkthyesi që bazohet te tregu që ofron kësi lloj letërsie shumë shpejt do kthehet specie në zhdukje.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›