Illyricum Libertas: Jo rumuni në njësitet speciale të EULEX

Organizata qytetare “Illyricum Libertas” në Maqedoni mbështet Lëvizjen “Vetëvendosje!”, kundër emërimit të një zyrtari policor rumun në krye të njësitit të policisë speciale të misionit EULEX në Kosovë.
“Illyricum Libertas përkrah plotësisht dhe pa asnjë rezervë qëndrimin e drejtë dhe parimor të Lëvizjes VETËVENDOSJE, e cila e ka kundërshtuar fuqishëm këtë emërim.
Qeveria rumune duhet të mbajë përgjegjësi të plotë për ngjarjet e 10 shkurtit të vitit 2007 në Prishtinë, ku policia e saj si pjesë e forcave ndërkombëtare i tejkaloi dukshëm kompetencat duke vrarë dy dhe plagosur me qindra demonstrues paqësorë në qendër të një kryeqyteti europian. Ajo duhet të nxjerrë para drejtësisë personat përgjegjës për këto krime dhe të bashkëpunojë me OKB-në për të zbardhur plotësisht ngjarjen tragjike në fjalë”, thuhet në reagimin e Illyricum Libertas.
Sipas saj, emërimi në këtë pozitë të lartë i një shtetasi të një vendi që përkrah pozicionin serb dhe nuk ka qëndrim pozitiv madje as neutral në çështjen e statusit të Kosovës, përbën një element shtesë që e bën krejtësisht të papranueshëm emërimin e zyrtarit në fjalë.
“Kërkojmë nga BE dhe EULEX në Prishtinë që të revokojë këtë vendim, kurse nga prezenca e BE-së në Shkup që të këshillojë partnerët e vet në Prishtinë në lidhje me çështjen në fjalë”, thekson kjo organizatë me seli në Tetovë.