Iluzion i Tadiçit

Zyrtarë të institucioneve të Kosovës e cilësojnë iluzion deklaratën e presidentit serb, Boris Tadiç, në Manastirin e Deçanit për integrim të Kosovës në Bashkimin Europian, si pjesë e Serbisë.
“Mund të jetë dëshirë e tij, por asgjë më shumë sepse Bashkimi Europian e ka të ndarë procesin e integrimit të Kosovës dhe të Serbisë. Procesi integrues i Serbisë në BE dhe aplikimi për t’u bërë kandidat është pa Kosovën. Edhe procesi i liberalizimit të Serbisë është pa Kosovën. Secili qytetar i Serbisë e di që kjo është një retorikë e zbrazët, e cila nuk mundet të ndryshojë realitetin politik në terren”, ka thënë Memli Krasniqi, zëdhënës i Qeverisë.
Krasniqi thotë se Qeveria nuk ka miratuar kërkesën e plotë të Tadicit për vizitë në Kosovë.
“Nuk ia kemi miratuar pjesën e vizitës së tij në Osojan, pikërisht për arsye se nuk e kemi konsideruar si pjesë e një vizite religjioze”, ka thënë ai.
Zëdhënësi i Presidentit, Xhavit Beqiri, tha se Tadic me deklarata politike në Manastirin e Deçanit, po ia ngushton vetes hapësirën për vizitat e ardhshme në Kosovë.
“Në një mënyrë, Presidenti Tadiç po ia ngushton vetes rrugët e ardhjes herëve të tjera në Kosovë. Është vetë fajtor ai, që, në njëfarë mënyre, po i ngushton udhët e bashkëpunimit dhe të lëvizjes së ndërsjellë”, ka thënë Beqiri për Radion Europa e Lirë.
Zëdhënësi i Presidentit thotë se Beogradi sërish dëshmoi se nuk heq dorë nga qasja e vjetër destruktive ndaj Kosovës.
“Edhe në deklaratat e djeshme (e mërkurë), presidenti Tadiç, sado që mundohej që këtë herë të ishte pak më i moderuar, nuk mundi të qëndronte pa theksuar se Kosova kinse është pjesë e Serbisë, ndonëse edhe vetë e di se dje ai ka qenë në një shtet tjetër, ka qenë në Republikën e Kosovës, shtet sovran dhe i pavarur”, ka thënë ai.
Parti opozitare kanë kritikuar Qeverinë e Kosovës që ka dhënë leje për vizitën e presidentit të Serbisë. Në qytetin e Deçanit është mbajtur një protestë nga organizata e veteranëve të UÇK’së të rajonit të Dukagjinit.
Presidenti serb, Boris Tadiç, ka përfunduar vizitën në Manastirin e Deçanit të enjten në mesditë, me porosinë për paqe në Ballkan si dhe për pajtim mes qytetarëve të Kosovës. Ai është larguar nga Kosova me një helikopter të KFOR’it nga një heliodrom i improvizuar në afërsi të Deçanit.
“Sot është festa e paqes dhe gjithnjë është rast i mirë që në këtë ditë të dërgohen mesazhe për pajtim, ndoshta më së shumti në Kosovë, ku është e nevojshme që njerëzit të pajtohen mes veti, në familje, por të pajtohen edhe popujt dhe të gjenden zgjidhje për hallet dhe problemet që rrjedhin nga e kaluara, sepse padyshim të gjithëve së bashku na pret e ardhmja”, ka thënë Tadiç.
Ai ka theksuar se mesazhin për paqe ua drejton bashkëqytetarëve të tij, por edhe shqiptarëve dhe të gjithë popujve në Ballkan, ku ka pasur ndasi dhe luftë në të kaluarën. Ai është takuar edhe me një grup nxënësish serbë të Kosovës dhe si dhe me serbë të rajonit të Anamoravës dhe fshatit Osojan të Istogut.
Në liturgjinë e mëngjesit në manastirin ortodoks kanë marrë pjesë edhe i këshilltari politik i Tadiçit, Mladjan Djordjevic, si dhe i ashtuquajturi ministër për Kosovën në Qeverinë e Serbisë, Goran Bogdanoviç.
“Sot jemi në Manastirin e Deçanit, manastirin ortodoks i cili paraqet një nga monumentet më të bukura të arkitekturës mesjetare serbe, por ngërthen në vete edhe të gjitha ndikimet tjera. Merr frymë me shpirtin e Mesdheut. Sot është rast që të kujtojmë edhe të gjitha manastiret tjera ortodokse”, citohet të ketë thënë Tadic, nga mediat serbe.
Ai është shprehur se populli nuk mund të ekzistojë pa identitet.
“Ne duam të ruajmë identitetin tonë të popullit evropian, si vlerë të përbashkët pikërisht siç është edhe ky manastir - vlerë e përbashkët e trashëgimisë kulturore të botës”, ka thënë ai.