E Shtunë, 31 Tetor 2026

Ministritë, ndërrojnë vend

Skënder Hyseni pritet t’i kthehet zyrës së tij të dikurshme, të cilën e kishte braktisur kur u emërua ministër i Punëve të Jashtme.

Ai në gjysmën e dytë të këtij muaji do të akomodohet me ish-ndërtesën e Komitetit, e cila aktualisht shfrytëzohet nga Ministria e Kulturës, Rinisë, Sporteve dhe Çështjeve Jorezidente - në krye të së cilës dy vjet më parë kishte qenë Hyseni - dhe nga Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural.

Ministria e Punëve të Jashtme, e cila aktualisht ndodhet në ndërtesën qendrore të Qeverisë, që nga themelimi i saj është përballur me mungesë hapësire dhe shumë drejtori të saj kanë qenë të shpërndara në objekte të tjera.

Hyseni ka kërkuar që Ministria e Punëve të Jashtme të vendoset me gjithë stafin e saj në një objekt të madh, siç është ndërtesa e ish-Komitetit.

Burime të Expressit, brenda Qeverisë, kanë konfirmuar se kërkesa e ministrit Hyseni do të zyrtarizohet në mbledhjet e ardhshme të Qeverisë në muajin janar, ku pritet të merret vendim edhe për ministritë e tjera, të cilat do të akomodohen në Pallatin e rinovuar të Mediave.

Zëdhënësi i Qeverisë, Memli Krasniqi, tha të enjten se kalimi i Ministrisë së Jashtme nga objekti aktual, në atë ku ndodhet aktualisht Ministria e Kulturës dhe ajo e Bujqësisë është opsioni që mund të aprovohet në një nga mbledhjet e para gjatë këtij muaji.

“Akomodimi i ministrive do të bëhet në bazë të nevojave dhe kërkesave të ministrive përkatëse. Me inaugurimin e objektit të ri qeveritar te ish-Rilindja, është krijuar mundësia që në atë objekt të akomodohen deri në pesë ministri. Kjo do të krijojë mundësi të riorganizohen ministritë, të cilat edhe sot e kësaj dite, vazhdojnë të jenë të ndara në disa objekte, për shkak të mungesës së hapësirës”, tha ai.

Kryeministri Hashim Thaçi me stafin e tij të Kryeministrisë do të vazhdojë të mbetet në objektin qendror qeveritar.

“Kryeministri me stafin e tij nuk do ta ndërrojë zyrën, do të vazhdojnë aty ku janë”, tha Krasniqi.

Riakomodimi i Ministrisë së Jashtme do t’i bëjë të lëvizin nga objekti aktual zyrtarët e Ministrisë së Kulturës dhe ata të Ministrisë së Bujqësisë, të cilët ose do të akomodohen në objektin e ri qeveritar, ose në objekte tjera shtetërore.

Majlinda Sinani-Lulaj, zëdhënëse e Ministrisë së Administratës Publike, tha se kjo ministri, e cila është përgjegjëse për akomodimin rezidencial të institucioneve shtetërore, ka kryer punën e saj dhe siç tha ajo, tani nevojitet vendimi i Qeverisë për fillimin e kalimit të ministrive në objektin e ri qeveritar.

“Kjo pritet të ndodhë nga 15 janari i këtij muaji”, konfirmoi ajo për gazetën.
Ndonëse ende nuk është marrë vendimi në Qeveri për akomodimin e ministrive, jozyrtarisht është thënë se në godinën e re qeveritare do të akomodohen Ministria e Mjedisit dhe e Planifikimit Hapësinor, Ministria e Kulturës, ajo e Bujqësisë, ajo e Administratës Publike dhe Ministria e Punës dhe e Mirëqenies Sociale.

Pallati i Mediave, i cili është përuruar më 18 nëntor të vitit 2009, do të mund të pranojë 800 punonjës.

Qeveria e Kosovës, që nga paslufta, ka paguar miliona euro për qiratë e ministrive, të cilat kanë qenë të vendosura në objekte me qira, e në shumë raste edhe pa leje ndërtimi.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›